Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, teksa hodhi akuza ndaj opozitës për ‘eksportim të baltës dhe helmit’ nga kryeqyteti shqiptar drejt vendeve të BE-së, me qëllim sipas tij goditjen e qeverisë, shtoi se të njëjtën gjë PD bëri edhe edhe me ligjin për portet turistike në Parlament (duke alarmuar edhe BE-në).

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ndryshimi ishte i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe kanë një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël.

Sipas kryeministrit, Shqipëria është një vend që ka një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det (për porte të vogla për anije turistike, jo për porte të mëdha).

Pjesë nga fjala e Ramës:

E para, më vjen mirë nëse e kam shpjeguar si duhet Paketën e Maleve sepse do duhet ta shpjegojmë shumë shpesh, sepse ka shumë “helm” që hidhet çdo ditë këtu, siç besoj mund ta keni parë, mund mos ta keni parë, rezistencën idiote që u bë për një ndryshim krejt të thjeshtë për portet në parlament, aq sa u vu alarmi edhe në Bashkimin Europian. U çua nga këtu atje, se në këtë pikë domethënë jemi i pari dhe unë jam i bindur, i fundit vend kandidat në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, që “eksportojmë baltë dhe helm” nga kryeqyteti ynë drejt kryeqyteteve të tjera dhe u tha që “qeveria po ndryshon ligjin se do t'i japë oligarkëve portet pa garë’’.

Në fakt, ndryshimi është i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar dhe marrë zvarrë, investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe vijnë me një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël dhe përgjigjja që marrin është: “mund ta marrësh lejen për këtë pjesën tjetër, për pontilin dhe për marinën duhet bërë tender”. Sepse në ligjin ekzistues, normal, duke qenë se deti është nën administrimin total të shtetit, për portet turistike që ndërton, që nxjerr në garë qeveria, bëhet garë, ndërsa t'i thuash tjetrit që “ti investoje gjithë këtë këtu, po për parkimin, se porti është një parkim i anijeve, për parkimin do bëjmë një garë’’, i bie që të krijosh “territore luftrash” midis le njëherë që ai që bën investimin do të thotë “po heq fare pontilin’’.

Ne jemi një vend që kemi një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det, shumë të madhe. Qindra e qindra porte kanë të tjerët, ankorimi,  dhe këtu s'flitet për porte si Marina e Durrësit apo si Marina e Vlorës që janë marina të mëdha turistike. Këtu dhe për porte të vogla dhe vëmë në diskutim këtë gjë. Pra, flitet për çdo gjë në mënyrë të mbrapshtë sepse nuk kanë dhe faj, nuk kanë dhe faj, u bënë kaq shumë vite që s'kanë lidhje fare me punët e shtetit.


Lajmi kryesor:

Paketa e Maleve/ Rama zbulon detaje: I jep zgjidhje problemit që ka lindur me ligjin 7501! Pasi përfundon investimin, mund të marrësh titull pronësie! Ja procedura