TIRANE- Çdo vendim gjyqësor i formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë do të zbatohet menjëherë nga institucionet shtetërorë. Në pamundësi të rikthimit, punonjësi do të regjistrohet në një listë pritjeje dhe do të përfitojë pagën e rregullt të pozicionit të fundit që ka mbuluar në administratë.

Përcaktimet e mësipërme vijnë përmes disa ndryshimeve të miratuara nga Qeveria në Ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe të publikuara dje në Fletoren Zyrtrae, për të hyrë në fuqi pas 15 ditësh. “Vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë zbatohen menjëherë nga njësia përgjegjëse”, përcakton pika 1 e nenit 66 të ligjit të ndryshuar “Për Nëpunësin civil”. Ndryshime kanë pësuar edhe procedurat e rekrutimit të punonjësve në të gjitha shkallët administratës publike, ndërkohë që janë përcaktuar edhe numri i pagave që përfiton çdo i larguar nga detyra për efekt ristrukturimi të institucionit.