Ligjvënësit republikanë propozojnë mbi 17 miliardë dollarë ndihma për Izraelin

Ligjvënësit republikanë propozojnë mbi 17 miliardë dollarë ndihma për Izraelin

Joe Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson

Ligjvënësit republikanë do të propozojnë një paketë ndihmash ushtarake prej 17.6 miliardë dollarësh për Izraelin dhe për plotësimin e arsenalit amerikan, por që përjashton ndihmën e mëtejshme për Ukrainën. Ky propozim nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen mbështetësit e një projektbuxheti gjithëpërfshirës për sigurinë kombëtare, ku do të duhet të përfshihen edhe miliarda dollarë për zbatimin e ligjeve të emigracionit.

Ky projektligj i jep mundësinë kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe ligjvënësve republikanë për të treguar mbështetje për Izraelin, megjithëse ka pak shanse që të miratohet nga Senati. Ndërkaq, teksti i një kompromisi më të gjerë në Senat pritej të publikohej këtë fundjavë dhe një votim i rëndësishëm pritej të mbahej gjatë javës që vjen për këtë paketë tjetër.

Zoti Johnson tha se drejtuesit e Senatit janë të ndërgjegjshëm se duke mos përfshirë Dhomën e Përfaqësuesve në negociatat e tyre, kanë eliminuar kështu mundësinë e një shqyrtimi të shpejtë të legjislacionit të propozuar.

“Siç kam thënë vazhdimisht gjatë tre muajve të fundit, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të vendosë për qëndrimin e saj për këto çështje dhe përparësitë tona duhet të trajtohen”, u shpreh zoti Johnson në një letër drejtuar kolegëve ligjvënës.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi në nëntor një paketë ndihmash ushtarake prej 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin, që Senati nuk pranoi ta marrë në shqyrtim. Republikanët gjithashtu këmbëngulën që fondet për ndihmën të merreshin nga shkurtimet buxhetore në sektorë të tjerë. Projektligji kërkonte që të shkurtohej buxheti i agjencisë së taksave, IRS, megjithëse zyra e pavarur për buxhetin e Kongresit tha se kjo do të sillte një kosto neto prej 12.5 miliardë dollarësh për qeverinë federale për shkak të humbjeve nga problemet që do të shkaktoheshin në mbledhjen e taksave.

Taktika e përfshirjes së shkurtimeve për IRS-në e bëri propozimin edhe më partiak, duke u votuar me 226 vota pro dhe 196 kundër. Zoti Johsnon u shpreh në letrën drejtuar ligjvënësve se heqja e shkurtimeve të propozuara do të mundësonte miratimin e shpejtë të ndihmës për Izraelin.

“Gjatë debatit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në deklaratat e shumta që pasuan, demokratët e bënë të qartë se kundërshtimi i tyre kryesor ndaj projektligjit fillestar në Dhomën e Përfaqësuesve kishte të bënte me shkurtimet”, tha zoti Johnson. “Senati nuk do të ketë më justifikime, sado të padrejta, kundër miratimit të shpejtë të kësaj mbështetjeje të rëndësishme për aleatin tonë”.

Ligjvënësi republikan Ken Calvert publikoi tekstin e projektligjit për ndihmën ushtarake për Izraelin. Propozimi ofron 4 miliardë dollarë për plotësimin e rezervave të ezauruara të raketave për mbrojtjen kundërajrore dhe 1.2 miliardë dollarë për mbrojtjen nga raketat me rreze të shkurtër dhe mortajat. Ka gjithashtu fonde për blerjen e sistemeve të avancuara të armëve dhe për të rritur prodhimin e artilerisë dhe municioneve të tjera.

Për t’u siguruar se kjo ndihmë nuk do të kompromentojë gatishmërinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, propozimi përmban 4.4 miliardë dollarë për të plotësuar rezervat e armatimeve që do t’i jepen Izraelit. Në projektligj përfshihen edhe 3.3 miliardë dollarë për operacionet e tanishme amerikane në rajon./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja