Me karrierën e tij që po i afrohet fundit, Lionel Messi po shfrytëzon në maksimum çdo mundësi. Ndërsa pret Kupën e Botës 2026 me Argjentinën, 'Pleshti' po punon në disa projekte. Midis tyre është krijimi i një kompeticioni për lojtarët e rinj. Lionel Messi tani ka themeluar 'Kupën Messi', një turne që do të shohë klubet më të mira U-16 nga e gjithë bota të përballen mes tyre në Miami (SHBA) gjatë muajit dhjetor (datat 9-14).

Turneu, i cili mban emrin e ikonës së futbollit botëror Lionel Messi, do të përfshijë tetë skuadra U-16: Chelsea (Angli),Manchester City (Angli), Barcelona (Spanjë), Newell’s Old Boys (Argjentinë), Inter Milan (Itali), River Plate (Argjentinë), Atletico Madrid (Spanjë), Inter Miami (SHBA).

Skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga katër ekipe, duke zhvilluar ndeshje me sistem “round robin”, ndërsa faza me eliminim direkt do të mbahet kryesisht në Chase Stadium dhe në qendrat stërvitore të Inter Miami.

Sipas Tim Pastore, CEO i kompanisë “525 Rosario”, që është pjesë e perandorisë mediatike të Messit, synimi i këtij turneu është më i madh se thjesht sportiv: “Messi Cup është vendi ku takohen futbolli i sotëm dhe talentet e së ardhmes. Është një mundësi për të festuar talentin, kulturën dhe komunitetin, duke krijuar trashëgimi që do të zgjasin shumë më tepër se loja vetë.”

Gjatë javës së turneut do të zhvillohen edhe aktivitetet shoqëruese kulturore e profesionale, përfshirë një samit ndërkombëtar në Faena Forum, ku do të mblidhen liderë nga sporti, biznesi dhe kultura, si dhe “Messi Cup Summit Party”, që do të mbahet në restorantin Pao by Paul Qui.