Në një kohë kur bota po tenton drejt trendit të përsosshmërisë, kirurgjia plastike dhe ajo estetike duket se po marrin një kuptim të ri. Nevoja për t’u dukur më mirë fizikisht, ardhur nga mënyra e gabuar e të jetuarit dhe ushyerit, apo edhe mungesa e aktivitetit fizik, është dëshirë e cilitdo që nuk ndjehet rehat me peshën trupore apo me kilogramët e tepërt në zona të caktuara të trupit.
Liposuksioni, apo heqja e indit dhjamor në disa pjesë të trupit, është një metodë shumë e përdorur në kirurgjinë estetike.
I ftuar në “Rreze Dielli”, kirurgu estetik Panajot Papa thotë se liposuksioni, është një ndërhyrje që nuk mund të bëhet te të gjithë pacientët që kërkojnë të heqin ind dhjamor nga trupi i tyre. Ai thotë se kjo ndërhyrje bëhet kur pacienti është i shëndetshëm, kur nuk përdor ilaçe dhe ajo që ka rëndësi, të jetë mbi 18 vjeç, në një moshë madhore, atëherë kur të jetë plotësisht i vetëdijshëm për vendimet që merr.
Por nga studio e “Rreze Dielli” mjeku ngre shqetësimin se edhe pse është ndërhyrje estetike, liposuksioni duhet të kryhet në spital, dhe jo nëpër klinika të vogla në pallate, pasi përzgjedhja jo e duhur e pacientit, mund edhe të rrezikojë jetën e këtij të fundit. Sipas tij, ka edhe rreziqe gjatë operacionit!
“Mund të ndodhë që një pjesë e indit dhjamor mund të kalojë në pjesën e gjakut dhe mund të krijojë probleme në mushkëri. Kjo vjen për shkak se nuk është bërë përzgjedhja e duhur e pacientit. Operacionet duhet të bëhen në spitale, jo nëpër pallate. Në çdolloj spitali do kesh terapi intensive, nëse ndodh kjo ke mjek që të sjellin në jetë. Po bën ndërhyrje për të qenë më mirë estetikisht jo për të rrezikuar jetën. Në Itali dhe Zvicër nuk ndodh, por di një rast në Shqipëri kur pacienti që po kryente këtë lloj ndërhyrje ka rrezikuar jetën. Më ka marrë në telefon një paciente, bashkëshorti i saj kishte bërë liposuksion, i është carë pjesa e zorrëve, pas disa operacioneve është sjellë në jetë. Këshilla që i dhashë ishte ta çonte në spital. Para ndërhyrjeve, duhet bërë një ekografi, mjekët duhet ta kontrollojnë pacientin nëse është në gjendje të kryejë liposuksionin”, shprehet kirurgu estetist.
Megjithatë Papa thotë se vitet e fundit liposuksioni po zëvëndësohet me metoda të reja, pacientët kërkojnë të bëjnë trajtime që nuk janë shumë evazive, me makineri që në pak seanca sjellin rezultate të dukshme.
Një liposuksion kushton rreth 2 mijë euro.