/ ATSH/ - Shfaqja "Liri në Bremen", e cila erdhi si një ndër premierat e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar gjatë vitit 2014, e rivënë në skenë përsëri përgjatë këtyre ditëve (11/12/13/14/15 shkurt 2015) tregon se është një ndër shfaqjet më të suksesshme dhe më të kërkuarat edhe nga publiku.
Dhe pikërsht në datat 11/12/13 dhe 14 shkurt, Teatri Kombëtar ka qënë i tejmbushur nga publiku, ku një pjesë prej tyre rivinin për here të tretë për të parë shfaqjen e vënë në skenë nga regjisorja Sesilia Plasari.

Vepra e autorit Rainer Werner Fassbinder  e cila frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë e Bremenit të vitit 1831, në intepretimin e titanëve si Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Vasjan Lami dhe Naun Shundi, apo brilantes Gladiola Harizaj,dhe kastës së aktorëve si Anastas Kristofori, Pjerin Vlashi, Aneta Malaj, Sokol Angjeli, , Anila  Bisha, , Gert Ferra, Indrit Çobani dhe Anil Frashëri është mirëpritur nga publiku i kryeqytetit.
Nga shfaqja-Liri ne Bremen-ne Teatrin Kombetar Foto Agim Dobi
"Ekzekutimi i fundit publik me prerje koke në këtë qytet të Gjermanisë, ishte ai i një gruaje që kish helmuar  me arsenik pesëmbëdhjetë personal të familjes e të rrethit të saj".
Gjenia e autorit Rainer Werner Fassbinder nxjerr nga kjo ngjarje e kronikës së zezë një tragjedi agresivisht 'naïve' të jetës sociale.
Personazhi kryesor i veprës, Geshja e tij, prezantohet  si një luftëtare spontane e përpjekjes së gruas për emancipim. Dhunën e saj e pjell ëmbëlsia e saj dhe ajo ç`ka duket si diabolike vjen nga marrëdhënia e saj me zotin, nga respekti për atë ç'ka ajo e ndjen si të shenjtë :
Ajo vret për të çliruar shtypësin,  njësoj edhe të shtypurën. Pjesa është një lloj parabole tragjikomike e vështirësisë, ose më mirë e pamundësisë për t'u emancipuar në kushtet e një bote të cilën nuk e rrotullojnë vlerat e vërteta humane (dashuria, respekti dhemshuria), por materializmi, lufta për mbijetesë, indiferenca, cinizmi dhe agresiviteti.
Në një botë të tillë, marrëdhëniet bëhen gjithnjë e më vrastare, si shpirtërisht, edhe fizikisht ; kjo botë ha pjellat e veta.
Pjesa eshte ndërtuar si një alegori e mënyrës sesi ngjizet fashizmi, fenomeni i dhunës dhe diktatura.
"Liri në Bremen" do të shfaqet edhe nesër në skenën e Teatrit Kombëtar ora 19:00