Liria e medias, si pronë private

Liria e medias, si pronë private
Ministria e Transporteve nxitoi dje të përgënjeshtrojë faktet se mediat pranë qeverisë kanë marrë fonde të shumta në zërin “reklama” duke renditur si përfituese gati tërë mediat e shkruara dhe vizive, për të thënë se kanë qenë një “fair play’ qeveritar. Në listë ishin futur edhe media të shkruara që prej vitesh kanë mbetur një kujtim i vagullt, sepse falimentuan. Për të thënë se ky fat i pret edhe ato media që sot ngrejnë zërin për lojën e pistë dhe antiligjore që qeveria bën me shpërndarjen e fondeve për reklamat?

Dje kryeministri i vendit ishte për të dytën ditë në Romë. Iu bashkua edhe spikerja e Kuvendit, ndërsa matanë Atlantikut është kreu i shtetit dhe shpura e tij. Planet e tyre filmike dhe fjalimet e gjata euforike mbushin padyshim mediat e tyre, sepse ata për këto i kanë paguar. Z. Berisha ende nuk ka ndonjë reagim dhe as pritet, edhe pse është ftuar në një vend të Eurozonës, ku ka probleme të ngjashme, me financimin selektiv të medias, shpenzimet për udhëtime dhe luks, por ku shumë ndryshe nga Shqipëria, ka edhe reagime të ashpra, ku kërkohet ndëshkimi i fajtorëve dhe zhdëmtimi i parave publike nga abuzuesit dhe kjo ndodh, deri kur të kthehet edhe qindarka e fundit.

Në Shqipëri, skandali është më tepër se i madh: janë dhënë fonde kolosale, të paktën 10 milionë euro për reklama qeveritare, shumica për median qeveritare, në kundërshtim me ligjin. Shpërndarja është përqëndruar në një dorë, te televizoni i qeverisë dhe te gazetat e partisë në pushtet.

Para se të vinte në pushtet, Sali Berisha e kishte kollaj të drejtonte gishtin: Fatos Nano kryeministër dhe Edi Rama kryebashkiak në Tiranë, si kapës të medias, që e kishin blerë atë për të çimentuar pushtetin e tyre politik. Sot pas shtatë vitesh në pushtet kryeministri Sali Berisha vijon të tregojë të njëjtën përrallë edhe përpara burrështetasve që do të kishin vrarë veten, po tu ishin hapur letrat e klaneve mediatikë siç po ngjet në Shqipëri.

Dhe u flet atyre për lirinë e tregut, kur u drejtohet:

“Shqipëria gjithashtu gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se çfarëdo që ka arritur e ka arritur duke respektuar liritë, dhe mbi të gjitha liritë e tregut”. (Fjala e tij në punimet e Ndërkombëtares së Demokrateve te Qendrës, që u zhvillua dje në Romë në ambientet e Parlamentit Italian).

Se sa i lirë është tregu në Shqipëri, posaçërisht tregu mediatik e tregojnë faturat e reklamave, ku liria është pronë private e qeverisë dhe mediave që i bëjnë hosana asaj. Paratë e buxhetit të shtetit për reklama i bën një dorë, dhe po ajo dorë i shpërndan për veten e vet dhe vetë i merr lekët. Duke ngritur në sistem ato monopole që Berisha denonconte vetë para vitit 2005. Si një njollë antieuropiane që nuk mund të shqiqet duke kthyer kokën mënjanë nga kamera e televizionit të familjes. Dhe që kërkon një reagim, pikësëpari me mentalitet europian, sepse liria dhe pavarësia e medias, është një kusht shumë i rëndësishëm për afrimin e vendit me BE-në, ku nuk mjaftojnë vetëm 12 kriteret, heqja e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve, por heqja dorë nga shperdorimi i parave publike brenda një klani mediatik, duke mos e kthyer lirinë e medias në një pronë private, për të cilën duhet të hetojë urgjentisht Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, të vrasim, duhet shembull

DOSJA/ 446 kilogramë kokainë nga Amerika Latine në Holandë u kapën, bisedat e Suel Çelës dhe biznesmeni Shega: Na vodhën, të vrasim, duhet shembull