TIRANE- Gjykata Kushtetuese pritet që të japë sot vendimin për pezullimin ose jo të aktit normative i cili urdhëron lirimin e banesave të pronarëve të paligjshëm nga qyetarët e pastrehë.                           

Shoqata e Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore Ish- Pronë Private" kërkuan dje prej Gjykatës Kushtetues shpalljen si antikushtetues të këtij aktit normativ, pasi bie ndesh me të drejtat kushtetuese dhe me qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të mëparshme në lidhje me këtë kategori qytetarësh. Deri në atë kohë, kërkohet pezullimi i zbatimit të Aktit Normativ gjer në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Ankuesit pretendojnë se me anën e këtij Akti Normativ kërkohet që kësaj kategorie qytetarësh, që banojnë me qira në banesat e ish pronarëve, t'u imponohen zgjidhje të reja, haptazi të pafavorshme, e cilësisht të dallueshme nga ata të mëparshmet. Sipas tyre, në rregullimet e mëparshme ligjore shteti kishte obligimin e zgjidhjes së strehimit të kësaj shtrese duke i bërë pronarë, ndërsa aktualisht me këtë Akt Normativ të Këshillit të Ministrave, shteti largohet nga obligimi i tij për strehimin e kësaj kategorie shtetasish.

"Në emër të Shoqatës të Qeramarrësve në Shtëpitë Shtetrore ish Pronë Private, ju drejtohemi me kërkesën për shpalljen antikushtetues të këtij akti normativ, pasi bie ndesh më të drejtat kushtetuese dhe me qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të mëparshme në lidhje me këtë kategori qytëtarësh. Këtë kërkesë e mbështesim në nenet 49.2, të Ligjit nr. 8577, dt. 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH" si dhe në Nenin 134 të Kushtetutes së RSH etj., dispozita, të cila i njohin të drejtën organizatave të tjera, midis subjekteve të tijera të cituara shprehimisht në këto dispozita, për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën. Por përveç papajtueshmërisë me Kushtetutën për sa sipër, që është trajtuar gjerësisht nga praktika e Gjykatës Kushtetuese, ky akt normativ vjen në kundërshtim edhe me parimin e shtetit ligjor dhe sundimit të së drejtës në lidhje me: procedurën që sanksionon për zgjidhjen e këtij problemi dhe konfliktin që krijon me ligjet dhe kodet në fuqi", thuhet në kërkesën e kësaj shoqate. Në sallën e gjyqit qiramarrësit janë shprehur se zgjedhja e ofruar nga qeveria për strehim është diskriminuese.

NDRYSHIMI I LIGJIT
Në kërkesën e "Shoqata e Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore Ish- Pronë Private" thuhet se ligji i ri bën ndryshime esenciale tek të drejtat e qiramarrësve. "Kështu ndërsa me dispozitat e mëparshme shteti merrte përsipër të zgjidhte strehimin duke i bërë kërkuesit dhe pronarë mbi të njëjtat kritere që përfitoi pjesa tjetër e popullit, dispozita e kontestuar nuk parashikon shprehimisht këto detyrime të shtetit. Dispozita parashikon sigurimin e strehimit të tyre nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interesa të ulëta ose banesave me qira të kompensuara nga shteti. Në ligjin e ri parashikohen edhe masa të tjera të cilat keqësojnë në një shkallë të ndjeshme pozitën e qiramarrësve. Kështu ndërsa në ligjin e mëparshëm (të shfuqizuar) si afat kohor për lirimin e banesave merrej shprehimisht koha kur do të zgjidhej përfundimisht strehimi i qiramarrësve, në dispozitën e kontestuar, në mënyrë arbitrare e pa asnjë garanici të shprehur, parashikohet që qiramarrësit të lirojnë banesat brenda një afati 3-vjeçar", thuhet në kërkesën e kësaj shoqate drejtuar Gjykatës Kushteuese.

TE PASTREHET

Në seancën gjyqësore mbrojtësi ligjor i kësaj shoqate, avokati Dorian Matlija ka bërë me dije se nëse do të lihet në fuqi ky akt normtiv, 3000 familje do të përfundojnë në rrugë si të pastrehë. Sipas argumentimit të mbrojtësit çështja e pronësisë është një problem i trash¬ëguar që nga viti 1993, i mbetur ende pa një zgjidhje. Ndërsa e ka quajtur si antikushtetues aktin normativ të Këshillit të Ministrave, i cili nuk përmbush kriteret e nevojës dhe urgjencës. Aavokati kërkoi shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti normtiv, i cili me datë 1 nëntor do të lërë në rrugë 3000 familje. Sipas mbrojtësit nëse ky akt do të zbatohet do të sjellë pasoja të rënda për qiramarrësit. Duhet një zgjidhje e vlefshme për 3000 familje, në mënyrë që të sistemohen në banesa dhe pronat ti kthehen pronarëve përkatës.

QEVERIA
Ministri Olldashi theksoi se akti normativ i qeverisë erdhi si nevojë dhe prioritet në kushtet e BE-së, nuk ishte një befasi pasi që nga viti 2009 është bërë publik plani i kredive me interes 0. Olldashi shtoi se me këtë akt kemi zgjidhur problemin për 7400 familje të pastreha. Nga ana tjetër përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Marsida Xhaferrllari theksoi se nëse nuk zbatohet akti i qeverisë dëmtohet pala e pronarëve të ligjshëm. “Nxjerrja e këtij akti ka respektuar kushtet e nevojës dhe urgjencës. Fatura e shtetit nga vendimet e gjykatës europiane për të dëmshpërblyer pronarët e ligjshëm ndaj bëmë këtë akt”, deklaroi Xhaferrllari.
(sg/Shqiptarja.com)