Ervin Hodaj është larguar nga drejtimi i policisë së Shkodrës. Gazetari i Report Tv Sokol Dema raporton Hodaj i emëruar në këtë detyrë si i rikthyer në rolin si drejtues në dhjetor 2022, do të zëvendësohet nga një tjetër emër brenda radhëve të bluve.

Qarku problematik kësaj here Muhamet  Rrumbullaku ia ka besuar Edmond Sulajt, i cili deri më sot ka qenë drejtues i Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtori të Përgjithshme.

Në fakt, me këto ndryshime Rrumbullaku ka bërë një rrokadë pasi Hodaj merr emërimin në detyrën që lë bosh Edmond Sulaj në Policinë e Shtetit.

Kanë qenë ngjarjet e fundit kriminale të regjistruara në Shkodër, që kanë provokuar ndryshime në kupolën drejtuese të këtij qarku në polici. Qarku i Shkodrës, i mbajtur si tejet problematik për shkak të pozicionimit të disa prej bandave kriminale më të dhunshme në vend, do të jetë tashmë nën kujdesin e drejtues Sulajt, i cili më herët ka mbajtur detyra të shumta në polici, e fundit në qarqe ajo në Kukës, deri në dhjetor 2022.