DURRES - Shoferi i kamionit në të cilin u sekuestruan mbi një ton kanabis në portin e Durrësit është lënë i lirë, ndërsa është prerë urdhër-arresti për 3 persona të tjerë, nga të cilët vetëm njëri është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.

Kjo çështje po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas marrjes së vendimit për lirimin e shtetasit Besnik Celcima, 49 vjeçarit i cili u vu në pranga mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit pasi gjatë kontrollit që iu ushtrua në kamionin që ai drejtonte iu gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 1 ton e 24 kg kanabis sativa.

Pas marrjes në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se shtetasi Besnik Celcima nuk kishte dijeni për lëndën narkotike dhe nuk kishte asnjë lidhje me trafikimin e saj drejt shtetit fqinj, Italisë.

Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prerë urdhër-arrestin për 3 persona, njëri prej tyre është vënë në pranga menjëherë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Personi i arrestuar është 55 vjeçari Agim Sula, nga Mamurrasi, i dënuar më parë për trafik lëndësh narkotike si dhe për vjedhje.

Kamioni me targe AA 058 D, i kompanisë 'Diamant' që transportonte tulla iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm pas informacionit që kishte marrë policia kufitare e Durrësit se brenda tij ndodhej një sasi e madhe lënde narkotike.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)