TIRANE - Ministria e Drejtësisë, pasi konstatoi mosrealzimin e ekstradimit dhe lënien të lirë të të dënuarve Paro Laçi dhe Sokol Bedini (Imami), ka filluar inspektimin e menjëhershëm të procedurave të ndjekura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo të Apelit Tiranë.

Më 8 mars 2013 gjykata  e shkallës së parë ndryshoi masën e arrestit nga ajo me burg në arrest shtëpie për aksionerin e sport klub “Partizanit”.

Laçi duhej rrinte në arrest shtëpie, por  nga verifikimet që janë bërë ai rezulton se nuk gjendej në banesë siç e kërkonte vendimi. Ai duhej të qëndronte në arrest shtëpie deri në përfundim të gjykimit të procesit të hapur ndaj tij dhe në përfundim të këtij vendimi, institucionet shqiptare do duhej ta ekstradonin në Itali, për llogari të drejtësisë italiane.

Burimet zyrtare të ministrisë njoftojnë se " inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Çështjeve të Drejtësisë me objekt kontrollin e veprimeve procedurale të ndjekura nga gjykatat në të dy rastet. Në përfundim të inspektimit, pasi të jenë marrë dhe objeksionet e gjyqtarëve Ministri i Drejtësisë do të ndërmarrë edhe eventualisht fillimin e procedurave përkatëse".

PSE ITALIA KERKONTE EKSTRADIMIN E PARO LACIT
Paro Laçi akuzohet nga gjykata e Milanos për trafik të lëndëve narkotike vepër penale të cilën Laçi e ka ushtruar i fshehur nën emrin Perisic Paro.

Aksioneri i klubit të futbollit “Partizani” u arrestua pasditen e 7 dhjetorit, 2012 nga forcat speciale të Policisë së Tiranës në një operacion sekret.

Gjykata e Apelit e Milanos e ka dënuar Laçin në vitin 2006 me 10 vite e katër muaj burg, pasi në vitin 1997 ai akuzohej për trafikimin e një sasie prej 31 kilogramësh heroinë dhe 34 kilogramë kokainë të pastër të kapur nga policia e qytetit të Milanos.

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)