Pas Monika Kryemadhit, edhe nënkryetari i LSI-së Luan Rama, me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me publikimin e listës prej 100 emrash të nëpunësve të administratës.

Luan Rama shprehet se kryeministri Rama po përdorur modelin e gardistëve të kuq për te shpëtuar nga krimi elektoral.

Një dacibao e shëmtuar e sajuar prej atij vetë, duke perdorur modelin e gardistëve të kuq, të ca spiunëve anonimë e të pashkollë që ndërsente timonieri i madh Mao në kohën e revolucionit kulturor në Kinën komuniste të fundviteve '60 te shekullit te kaluar” shkruan ai.
 
Bazuar në mbi 3 mijë denoncime online, kryeministri Edi Rama publikoi sot një raport në faqen e tij në Facebook me 100 zyrtarët që kanë abuzuar në administratën e shtetit.
 
Sipas tij, 70 zyrtarë i përkasin qeverisjes vendore e qendrore, ndërsa 30 sistemit të drejtësisë.
 
Statusi i Luan Ramës
Papërgjegjshmëri dhe abuzim!
Këtë dëshmon Kryeministri i Rilindjes me të ashtuquajturën listë të njerëzve të denoncuar për abuzim me detyrën!
Një dacibao e shëmtuar e sajuar prej atij vetë, duke perdorur modelin e gardistëve të kuq, të ca spiunëve anonimë e të pashkollë që ndërsente timonieri i madh Mao në kohën e revolucionit kulturor në Kinën komuniste të fundviteve '60 te shekullit te kaluar!
 
Një akt krejtësisht i kundërligjshëm që inkurajon perversitetin e spiunëve dhe dekurajon e vret besimin e qytetarëve tek ligji dhe institucionet e shtetit te së drejtës!
 
Sepse në një shtet të së drejtës, qytetari nuk ka pse të bëhet spiun anonim, por drejtohet tek institucionet e zbatimit të ligjit.
 
Një veprim aspak etik e i pamoralshëm, që nuk ka asgjë të përbashkët me qasjen europiane të qeverisjes si shërbim ndaj qytetarëve e si përgjegjësi në zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë!
 
Një praktikë tipike komuniste e demaskimit në popull, por me një ndryshim; demaskimi komunist formalisht bazohej në ligj, ndersa demaskimi rilindas edhe formalisht është i paligjshëm!
 
Përpjekje e dështuar, për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga krimi dhe korrupsioni elektoral !

 
 dy.b/shqiptarja.com