Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cilëson si gjueti shtrigash dhe false listën e publikuar nga Rama me 100 personat që janë denoncuar për abuzime në administratë.
 
Përmes një statusi ajo shprehet se Rama më kot mundohet të tërheqë vëmendjen si adoleshent i vonuar dhe me lista linçuese për njerëzit që i ka vënë vetë në punë.
 
Kryemadhi thotë se Rama është kryeministër dembel dhe arrogant, që tallet dhe shpërdoron besimin e shqiptarëve.
 
“Me lista false dhe me veshje që të tërheqin vëmendjen nuk mund të anashkalosh vjedhjen e votës që i bëri shqiptarëve. Ndaj i kujtoj Edi Ramës se llogaria do të jepet dhe askush, asnjëherë dhe në asnjë moment, nuk do të mund ta largojë vëmendjen dhe qëllimin tonë final:

Të drejtën e shqiptarëve për të votuar lirshëm dhe pa presion politik, kriminal dhe të blerë me paratë e drogës” thotë ajo.
 

Ndërsa përsa i përket kërkesës së PS për numërimin e votave në disa qendra në Tiranë, Kryemadhi thotë se “Sot filloi delegjitimimi  i procesit nga vetë PS, e cila tani kërkon të rinumërojë votat që ka numëruar vetë”.
 
Bazuar në mbi 3 mijë denoncime online, kryeministri Edi Rama publikoi sot një raport në faqen e tij në Facebook me 100 zyrtarët që kanë abuzuar në administratën e shtetit.
 
Sipas tij, 70 zyrtarë i përkasin qeverisjes vendore e qendrore, ndërsa 30 sistemit të drejtësisë.

Statusi i plote
Për t’u dukur se po merret me drejtimin e qeverisë, Edi Rama ka nisur gjuetinë e shtrigave në administratë duke publikuar lista me emra nëpunësish, që sipas komenteve që i bëjnë në FB, na qenkan e keqja e madhe e vendit. Me këto spiunllëqe, vjedhësi dhe shkatërruesi i votës së lirë të shqiptarëve mendon se mund t’i shpëtojë të vërtetës vrastare, asaj të tjetërsimit të votës që ai i bëri shqiptarëve më 25 qershor. Më kot mundohet të tërheqë vëmendjen si adoleshent i vonuar dhe me lista linçuese për njerëzit që i ka vënë vetë në punë. 🤔🤔
 
Askush nuk i beson më atij që tradhtoi besimin e çdo votuesi me vjedhjen dhe tjetërsimin e votës. Ndaj sot më shumë se kurrë, bashkë me ne janë edhe shumica e shqiptarëve. Ata që e dënuan me heshtjen e tyre ditën e votimit dhe që e kanë më të qartë se kurrë, se kryeministri dembel dhe arrogant, tallet dhe shpërdoron besimin e shqiptarëve.
 
Me lista false dhe me veshje që të tërheqin vëmendjen nuk mund të anashkalosh vjedhjen e votës që i bëri shqiptarëve. Ndaj i kujtoj Edi Ramës se llogaria do të jepet dhe askush, asnjëherë dhe në asnjë moment, nuk do të mund ta largojë vëmendjen dhe qëllimin tonë final: Të drejtën e shqiptarëve për të votuar lirshëm dhe pa presion politik, kriminal dhe të blerë me paratë e drogës.
 
Sot filloi delegjitimimi nga vetë PS, e cila tani kërkon të rinumërojë votat që ka numëruar vetë.😓🤔🙈🙈
 

 

dy.b/shqiptarja.com