Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha tha për Report Tv se Shqipëria pret formimin e qeverisë së re në Serbi për të vendosur kontaktet e para me Beogradin, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit.

Hoxha theksoi se mbrojtja e interesave të Kosovës dhe mbështetja për të mbeten të padiskutueshme për çdo qeveri në Tiranë.

Hoxha tha se, edhe nëse mosmarrëveshjet për Kosovën vazhdojnë, Tirana do të kërkojë hapësira për bashkëpunim me Beogradin. Ai theksoi se Shqipëria do të mbrojë edhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Unë kam mbajtur një qëndrim publik në lidhje me zgjedhjet. Sa i përket asaj që mund ta quajmë administratë të re, ajo ende nuk është formuar. Deri tani kemi parlamentin dhe kryetarin e parlamentit. Do të presim formimin e qeverisë, sepse ka shumë rëndësi se kush do të jetë në qeveri. Do të presim të shohim se kush do të jetë i ngarkuar me politikën e jashtme dhe do të vendosim kontaktet e para me ta. Do t’u ofrojmë të gjithë gatishmërinë që kemi pasur gjithmonë për të ndërtuar marrëdhënie sa më praktike, në interes të ndërsjellë. Do të shpalosim qëndrimet tona për Kosovën, marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin rajonal, si edhe qasjen tonë ndaj këtyre çështjeve.

Tani për tani, programi politik që ata paraqitën gjatë fushatës zgjedhore nuk pasqyron një qasje të ndryshme. Kjo është e vërtetë. Por, siç e kemi parë në shumë raste të tjera, kur një opozitë vjen në pushtet, ajo priret të ketë një qasje më realiste. Ne do të shohim se cila do të jetë qasja e tyre. Nëse qasja e tyre mbetet e njëjtë, do t’ua bëjmë shumë të qartë se për Kosovën kemi një mosdakordësi të plotë. Do të mbrojmë interesat e Kosovës dhe do t’ua bëjmë të qartë se mbrojtja e interesave të saj dhe mbështetja për Kosovën janë të padiskutueshme për çdo qeveri në Tiranë. Kjo do të jetë linja jonë.

Nëse nuk biem dakord për Kosovën, do të përpiqemi të gjejmë çdo hapësirë për të bashkëpunuar në mënyrë pragmatike. Do t’i artikulojmë qartë interesat tona, duke lënë hapur mundësinë për të bashkëpunuar në mënyrë praktike atje ku mundemi. Ka edhe shumë çështje të tjera. Duhet të mbrojmë interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Këto çështje kërkojnë që qasja diplomatike të jetë sa më praktike, pragmatike dhe konkrete.

Do të përpiqemi t’ua bëjmë të qartë këtë. Natyrisht, do të presim të shohim se kush do të jetë në krye të diplomacisë serbe, çfarë qasjeje do të ketë qeveria e re ndaj marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rajonin, si edhe cili do të jetë orientimi dhe programi i saj europian”, tha Hoxha.


Lajmi kryesor:

Nga samiti i NATO-s te buxheti për diplomacinë e rruga drejt BE-së, ministri Ferit Hoxha intervistë në Report Tv