Shorti i plotë/ Kombëtarja në Grupin B1, rival me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Ligën e Kombeve! Kosova kundër Rumanisë

PARIS - Kombëtarja shqiptare e futbollit dhe Kosova mësuan kundërshtarët në ligat përkatëse të Ligës së Kombeve. Shqipëria luan me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Ligën B dhe Grupin B1. Kosova u shortua në grupin C2 së bashku me Rumaninë, Qipron dhe një mes Lituanisë apo Gjibraltarit (play-off).

Kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho ndodheshin në Ligën B, aty ku kundërshtari më i fortë i shmangur ishte Anglia. Ndeshjet do të zhvillohen në pushimet ndërkombëtare që FIFA ka gjatë shtatorit, tetorit dhe nëntorit të këtij viti, ndërsa finalet do të zhvillohen në verën e 2025-ës.

Sa i takon përballjeve më të forta, spikasin ato në Ligën A. Grupi A1 gjen përballë Kroacinë, Portugalinë, Poloninë dhe Skocinë. Në A2, Italia luan me Belgjikën, Francën dhe Izraelin. Edhe Grupi A3 gjen përballë Holandën, Hungarinë, Gjermaninë dhe Bosnjën. Në atë A4, Spanja gjen Danimarkën, Zvicrën dhe Serbinë.

Rezultatet e shortit:

Liga A


Grupi A1 : Kroaci, Portugali, Poloni, Skoci
Grupi A2 : Itali, Belgjikë, Francë, Izrael
Grupi A3 : Holandë, Hungari, Gjermani, Bosnje dhe Hercegovinë
Grupi A4 : Spanjë, Danimarkë, Zvicër, Serbi

Liga B

Grupi B1: Çeki, Ukrainë, Shqipëri, Gjeorgji
Grupi B2: Angli, Finlandë, Republika e Irelandës, Greqi
Grupi B3: Austria, Norvegjia, Sllovenia, Kazakhstani
Grupi B4: Uells, Islandë, Mali i Zi, Turqi

Liga C


Grupi C1 : Suedi, Azerbajxhan, Sllovaki, Estoni
Grupi C2 : Rumani, Kosovë, Qipro, Lituani/Gjibraltar
Grupi C3 : Luksemburg, Bullgari, Irlanda e Veriut, Bjellorusi
Grupi C4 : Armenia, Ishujt Faroe, Maqedonia e Veriut, Letonia

Liga D 

Grupi D1: Lituania/Gjibraltar, San Marino, Liechtenstein
Grupi D2: Moldavia, Malta, Andorra

Si funksionon gara në Nations League (Liga e Kombeve)?

Fituesit e katër grupeve në Ligën B edicionin e vitit të ardhshëm do ngjiten në Ligën A, ndërsa katër vendet e fundit të katër grupeve në Ligën B do zbresin në Ligën C. Kjo vlen për secilën Ligë, me përjashtim të D që nuk mund të zbresin më shumë.

Ndërkohë për herë të parë këtë edicion do ketë një tur shtesë pasi të mbarojnë ndeshjet në grupe. Vendet e para të katër grupeve në Ligën A do luajnë çerekfinalet me katër vendet e dyta të katër grupeve po në Ligën A. Nga këto katër ndeshje do përcaktohen gjysmëfinalistët dhe më pas sipas formulës edhe kompeticioni.

Dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve do jenë nga datat 5-10 shtator, ndërsa për secilën kombëtare, me përjashtim të grupit D do kenë nga 6 ndeshje.

Edicionin e fundit të Ligës së Kombeve Shqipëria u rendit e fundit në grupin e saj në Ligën B, por për shkak se Rusia u përjashtua nuk zbriti në Ligën C. Ky moment shënoi edhe fundin e aventurës për trajnerin Edy Reja, ndërsa me Sylvinhon kuqezinjtë kanë siguruar Europianin "Gjermani 2024".

Të rejat e Ligës së Kombeve për edicionin 2024-25

Deri në edicionin e fundit, vetëm skuadrat e renditura si më të mirat nga katër grupet e Ligës A hynin në Final Four. Formati i ri në vend të kësaj prezanton çerekfinalet me dy të parat në grup që kalojnë në raundin tjetër. Fituesit e çerekfinaleve më pas do të marrin një kalim për në finale, të planifikuar për në qershor 2025 në shtëpinë e një prej katër finalistëve. Vetëm skuadra e vendit të katërt në grup do të zbresë drejtpërdrejt në Ligën B, ndërsa skuadra e vendit të tretë do të luajë një play-off mbijetese kundër një prej skuadrave të renditura si e dytë nga Liga B.

Paraqitja dhe renditja në grupe ndikon në kualifikueset e Kupës së Botës 2026

Përveç dhënies së vetë trofeut dhe llogaritjes për renditjen, Liga e Kombeve do të ndikojë edhe në shanset për t'u kualifikuar në Kupën e Botës 2026. 4 finalistët e Ligës së Kombeve do të vendosen në një grup me një ekip më pak dhe në rast të dështimit të hyrjes në Kupën e Botës nga kualifikueset, ata do të kenë të drejtën e vendeve në play-off.

Kalendari i ndeshjeve:

Ndeshja 1 – 5-7 Shtator 2024

Ndeshja 2 –  8-10 Shtator 2024

Ndeshja 3  –  10-12 Tetor 2024

Ndeshja 4 –   13-15 Tetor 2024

Ndeshja 5 –   14-16 Nëntor 2024

Ndeshja 6 –    17-19 Nëntor 2024

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
'Doja Anglinë në grup', Armand Duka konfirmon Sylvinhon: S'kam ndërmend të ndërpres marrëdhënien

1705439252_armandduka.jpg
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli pas shortit të Ligës së Kombeve. Kombëtarja shqiptare u shortua në Grupin B1 së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Për Dukën ai do kishte zgjedhur në grup Anglinë dhe do kishte shmangur Çekinë. Kreu i FSHF-së duket se ka konfirmuar Sylvinhon në stol, ndërsa pritet rinovimi i trajnerit kuqezi.

"Shorti? Janë skuadra të të njëjtit nivel sportiv, i pranueshëm. Janë skuadra të mira, por nuk mund të thuhet se do të ishim më mirë në një grup tjetër. Jemi një grup i balancuar, i vështirë për t’u parashikuar fitues. Grup interesant. Nëse do të kisha zgjedhur me dorë mund të kishte ndryshime, nuk doja Çekinë. Janë të fortë dhe e kemi provuar, do të më pëlqente pse jo Anglia. Është kënaqësi kur luan kundër të mëdhave dhe fiton eksperiencë.

Kur konfirmohet Sylvinho apo ka plan B? Nuk ka asnjë plan B, nuk e mendoj të ndërpres marrëdhënien me stafin. Ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe nuk kemi pasur kohë të ulemi dhe të bisedojmë. Kemi para Europianin dhe ai ka qenë i përqëndruar aty, është një sukses i madh edhe për Sylvinhon që nuk është një nga ata tranerët me shumë eksperiemcë. Por, do ta gjejmë mundësinë të diskutojmë edhe për atë që do ndodhë përtej Europianit", tha Armand Duka pas shortit.

Ora 19:36
Liga e Kombeve/ Me Ukrainën Kombëtarja ka vetëm një barazim dhe pesë humbje, Gjeorgjia na ka mposhtur tetë herë! Çekisë ia kemi 'marrë dorën'


Liga e Kombeve ka njohur grupet për edicionin 2024-25. Kuqezinjtë e Sylvinhos do përballen me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Grupin B1 të Ligës B. Tanimë është momenti për të bërë llogaritë kundër rivalëve në grup, me statistikat që janë kokëforta kundër Shqipërisë.

Kundër Çekisë, Shqipëria ka tre fitore, katër humbje dhe një barazim. Duhet thënë se tre herë janë përballur dy skuadrat që pas ndarjes së Çekosllovakisë. Si Çeki, Kombëtarja ka një fitore, një barazim dhe një humbje. Çekët janë rivalë të njohur për tanët, pasi u përballëm dy herë në kualifikueset e Euro 2024, ku kuqezinjtë dolën në vend të parë në grup dhe u kualifikuan në Euro 2024. Barazim 1-1 në Pragë dhe fitore 3-0 për tanët në Tiranë.

Kundër Ukrainës, Shqipëria nuk ka asnjë fitore. Në gjashtë ndeshjet mes tyre, kemi pesë humbje dhe një barazim 2-2 në udhëtim, për kualifikueset e Botërorit (8 tetot 2005).

Kundër Gjeorgjisë, Kombëtarja ka rivalin që është ndeshur më shpesh. Dueli i parë daton në 4 dhjetor 1994. Në Tiranë miqtë fitonin 0-1 për kualifikueset e Europianit. Që atëherë, janë në total 15 ndeshje të luajtura me vetëm 3 fitore për tanët, 4 barazime e plot 8 humbje të regjistruara. Hera e fundit që Shqipëria fitonte ndaj Gjeorgjisë ishte në kualifikueset e Botërorit 2006, kur triumfoi 3-2 në Tiranë.

Ora 19:33
Liga e Kombeve, Sylvinho 'ngre stekën': Objektiv kemi vendin e parë, tani mendjen te Italia

1705159890_sylvinho.jpeg
Pas shortit të Ligës së Kombeve, ku Shqipëria u shortua me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Grupin B1 të Ligës B, foli edhe trajneri i Kombëtares. Sylvinho tha se synimi është vendi i parë, ndërsa tani e ka mendjen te ndeshja me Italinë në finalet e Euro 2024 që do mbahen në Gjermani nga 14 qershori-14 korrikun e këtij viti.

"Ky është grup ndryshe nga kualifikueset e Europianit. I vështirë, janë skuadra fizike. Sigurisht i vështirë, por ndryshe nga i Europiani. Është ndryshe, nuk dua të them më i lehtë apo i fortë. Ukraina është e fortë dhe e vështirë. Ky është grup ndryshe dhe i fortë, skuadra fizike për mënyrën se si përballojnë futbollin.

Vendi i parë? Sigurisht si objektiv po. Por më pas, sipas meje, grupi është shumë i ekuilibër dhe do të ketë ndeshje të vështira, duhet të luftojmë për çdo pikë në çdo ndeshje, që të marrim maksimumin.

Ndonjë grup tjetër? Tani që mbaroi shorti, nuk kam preferenca, mbaroi. Tani të mendojmë për Italinë", tha Sylvinho pas shortit.

Kuqezinjtë e Sylvinhos do përballen me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Grupin B1 të Ligës B.

Ora 19:07
Liga e Kombeve/ Italia në grupin e 'ferrit', përballë ka Francën dhe Belgjikën! Gjermania 'peshkon' Holandën

Liga e Kombeve mësoi sot ndarjen në grupe, kjo pas shortit në Paris. Padyshim që Liga A është ajo me ndeshjet më të forta, aty ku Italia dhe Gjermania kanë rivalë të fortë.

Grupi A1 gjen përballë Kroacinë, Portugalinë, Poloninë dhe Skocinë. Në A2, Italia luan me Belgjikën, Francën dhe Izraelin. Edhe Grupi A3 gjen përballë Holandën, Hungarinë, Gjermaninë dhe Bosnjën. Në atë A4, Spanja gjen Danimarkën, Zvicrën dhe Serbinë.

Ora 18:33
Greku Karagunis shorton Kosovën sërish me Rumaninë në Ligën e Kombeve

Giorgios Karagunis, ish-kapiteni i Greqisë ka zgjedhur goglat e Ligës C në Ligën e Kombeve. Kosova u shortua në grupin C2 së bashku me Rumaninë, Qipron dhe një mes Lituanisë apo Gjibraltarit (play-off). Kujtojmë se Kosova edhe në kualifikueset e Euro 2024 ishte në short me Rumaninë, aty ku në Bukuresht huliganët vendas përdhosën simbolet e Kosovës.

S.Dh/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter