Merr fund odiseja për gjyqtarin që do të zëvendësojë Holta Zacajn në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Bajram Begaj tha për Report TV se do ta thërrasë për betim javën që vjen gjyqtarin Asim Vokshi. Ndërsa më pas, presidenca njoftoi 25 nëntorin, ora 10:00, si momentin e ceremonisë.

Betimi i Asim Vokshit, moment i cili do të shënojë dhe ditën e tij të parë ai anëtar i Gjykatës Kushtetuese, vjen gati dy muaj pasi ai u zgjodh nga Gjykata e Lartë, më 30 shtator, ndërsa dy ditë më pas emërimi i tij u botua dhe në fletoren zyrtare.

Presidenca, nuk dha asnjëherë shpjegim se përse ceremonia e betimit u zvarrit kaq gjatë. Ndonëse qartazi, kjo zgjedhje u ndikua nga përplasja e provokuar nga pretendimi i kandidates tjetër Naureda Llagami, për parregullsi në votimin e realizuar nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, ku ajo mori 8 vota, ndërsa vota e 9 që do t’i jepte emërimin, u konsiderua e pavlefshme. Në fletën e votimit kishte dy shenja, në shkelje të rregullores së Gjykatës së Lartë.

Në fillim Llagami, iu drejtua Gjykatës Administrative, por kjo gjykatë tha se kërkesa ishte jashtë juridiksionit të saj. Më pas, ajo e ankimoi rastin në Kushtetueses, duke kërkuar që vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila emëroi Asim Vokshin si anëtar të Kushtetueses, të anulohej dhe që ajo të shpallej fituese.

Edhe në këtë Gjykatë ajo doli e humbur, pasi trupa e anëtarëve nuk arriti të dilte me një vendim për mungesë kuorumi. Gjyqtarët u ndanë në dy grupe opinionesh. Sipas një pjese, Llagami nuk legjitimohej ta çonte çështjen në Kushtetuese si individ, pasi e drejta për t’u zgjedhur gjyqtar i kësaj gjykate nuk është një e drejtë themelore e mbrojtur nga Kushtetuta.

Ndërsa sipas mendimit tjetër, individët që garojnë për funksionet e parashikuara në Kushtetutë legjitimohen t’i drejtohen Gjykatës për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes, për sa kohë janë pjesë e atij procesi.

Njoftimi i Presidencës

Në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë është administruar vendimi nr. 2, datë 30.9.2025 i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila ka vendosur zgjedhjen e zotit Asim Vokshi në detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi u njoh me vendimin e përcjellë nëpërmjet shkresës me nr. 4778 Prot., datë 30.9.2025 të Gjykatës së Lartë, vendosi:

Zoti Asim Vokshi, Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur në këtë detyrë nga Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 2, datë 30.9.2025, do të kryejë betimin përpara Presidentit të Republikës ditën e martë, më 25 nëntor 2025, ora 10:00.

Ceremonia e betimit do të zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës, salla “Skënderbej”, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1. Tiranë.