TIRANË -­  Prokuroria e Përgjithshme përfshihet në aksionin e pastrimit të politikës nga elementët e inkriminuar, një kërkesë kjo shumë e përsëritur nga ana e ndërkombëtarëve në mënyrë të vazhdueshme dhe sidomos nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Kështu, Kryeprokurori Adriatik Llalla ditën e djeshme u ka dërguar një qarkore të brendshme 30 Prokurorive në 12 qarqe të vendit, përmes të cilës ai kërkon që të verifikojnë imtësisht të gjithë kandidatët e zyrtarizuar për kryetar bashkie.

Në qarkoren e Prokurorisë së Përgjithshme të nisur nga Adriatik Llalla kërkohet të bëhet verifikim për kandidatët nëse kanë rekorde kriminale, por dhe e çdo të dhënw për kandidaturat dhe hartimin e raporteve, të cilat duhet të depozitohen brenda datës 21 Maj në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ku do t’i përcillen Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin. Sipas burimeve nga Prokuroria e përgjithshme, bëhet me dije se verifikimet do të përfshijnë të gjitha akuzat e artikuluara publikisht ndaj kandidatëve, publikimet e mediave apo dhe informacionet që mund të sigurohen në rrugë operative nga institucionet ligjzbatuese dhe Policia e Shtetit, në lidhje me aktivitetin e këtyre kandidatëve, nëse bien ose jo në kundërshtim me objektin e dekriminalizimit të politikës shqiptare.

Kjo nismë është ndërmarrë në kuadër të dekriminalizimit të kandidatëve që po garojnë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015. Megjithëse një ndërmarrje e tillë verifikuese e Prokurorisë së Përgjithshme është shumë e mirëpritur, ajo që bie në sy është fakti se ka pasur shumë ngurrim nga ana e organit të akuzës, aq më tepër që një zvarritje e tillë mund të kushtojë krijimin e problemeve në lidhje me kandidaturat, pasi në rast tërheqjeje të tyre, Kodi Zgjedhor nuk lejon futjen në garë të kandidatëve të tjerë. Ose mund të ndodhë zhvillim gare e njëanshme ose probleme zgjedhjesh.


Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)