- Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci transferohet në Prokurorinë e Elbasanit, në vend të tij komandohet Adnan Xholi -
Prokurori i Pergjithshem, Adriatik_Llalla
TIRANË, 4 Mars/ATSH/.- Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014 Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.
Në një njoftim për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme bëhet e ditur se në një takim të zhvilluar të mërkurën me stafin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kryeprokurori u shpreh se në disa ngjarje specifike të ndodhura nga fillimi i vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore.
"Për t'i dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla prezantoi disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta", citohet deklarata e organit qendror të akuzës.
Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beçi, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion z. Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Z. Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda./a.s.//m.m/