TIRANE - Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur emërimin e Adriatik Llallës si Kryeprokurori i ri i Shqipërisë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, ambasadori Aleksandër Arvizu shpreh mbështetjen e SHBA-ve “ndaj përpjekjeve të tij për të kryer në mënyrë agresive ndjekjen penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkeljet e zyrtarëve.”

Në njoftimin për shtyp përmendet edhe çështja e 21 janarit. SHBA shprehet se do të nxisë kryeprokurorin e ri që “ai të ushtrojë përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011.”

“Duke punuar me Z. Llalla, Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me kënaqësi të mbështetet mbi sukseset dhe partneritetin konstruktiv që karakterizoi marrëdhënien tonë me paraardhësen e tij, Znj. Ina Rama”, përfundon deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Adriatik Llalla u votua të premten në Parlament me 75 vota pro të mazhorancës dhe deputetit të PBDNJ, Vangjel Dule, ndërsa Partia Socialiste, siç edhe kishte deklaruar më parë, dha votën e saj abstenim. Kandidatura e Llallës u dekretua nga Presidenti Nishani më 3 dhjetor.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)