TIRANE - Tom Doshi, deputeti i Partisë Socialiste, ka dalë kundër vendimit të Grupit Parlamentar lidhur me procesin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai është shprehur për televizionin A1 Report se do të votojë në Kuvend pro kandidaturës së Adriatik Llallës si Kryeprokuror.

Me argumentin se Llalla është një profesionist dhe jurist i pavarur, deputeti socialist Tom Doshi ka dalë kundër vendimit që ka marrë grupi i Partisë Socialiste, për të abstenuar dekretin e Presidentit që emëron Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

Vendimi i grupit u bë publik nga deputeti Taulant Balla menjëherë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste zhvilluar sot me dyer të mbyllura. Balla theksoi se PS konteston procesin dhe jo kandidaturën.

PS: ABSTENOJME, PD: VOTOJENI TE GJITHE
Partia Socialiste nuk do të votojë kandidaturën e Adriatik Llallës i cili u propozua nga presidenti Bujar Nishani për postin e kryeprokurorit. Vendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar i cili u zhvillua sot paradite me dyer të mbyllura në selinë rozë.

Lajmi u konfirmua për A1Report nga burime brenda grupit PS. Sipas këtyre burimeve Partia Socialiste do të abstenojë gjatë votimit në Kuvend. Ndërsa pas mbledhjes së Grupit, deputeti socialist Taulant Balla sqaroi për mediat se ky vendimi nuk lidhet me kandidaturën e Adriatik Lallës, por me procesin ndaj kqtij posti, duke përmendur edhe faktin se mandati i kryeprokurores aktuale Ina Rama ende nuk ka përfunduar.

Ndërkohë që dje në grupin PD kryeministri Sali Berisha ka mbështetur dekretin e presidentit për Adriatik Llallën si Prokuror të Përgjithshëm. Vetëm pak orë pas shpalljes së dekretit, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat në pjesën e mbyllur për mediat, kryeministri e ka vlerësuar figurën e Llallës dhe duke risjellë në vëmendje zgjedhjen e tij në krye të ILDKP në vitin 2007 kur mori edhe votat e opozitës, ka deklaruar se shpreson që Llalla të votohet sërish me konsensus edhe në postin e kreut të akuzës.

Njëherësh në këtë mbledhje me dyer të mbyllura kryeministri Berisha ka kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jenë në unison në votimin e kandidaturës së Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Duke qënë se janë diskutuar shumë kandidatura, me sa duket kreu i mazhorancës ka pasur dyshime për votën pro të disa deputetëve të PD, duke kërkuar me insistim mosdevijimin e kësaj vote dhe zbatimin e vendimit të Grupit parlamentar. Por duke qënë se nga PD nuk ka pasur shmangie nga vendimet e Grupit, gjasat janë për një votë unanime për Llallën.

*Lajmi u publikua fillimisht në orën 14:37 dhe u përditësua në orën 22:10 të datës 4 dhjetor
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)