Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, ishte i pranishëm në pikën kufitare të Morinës ku nënshkroi bashkë me homologun kosovar, Ekrem Mustafa, marrëveshjen “Për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”. Kjo marrëveshje lejon që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë.

Lleshaj në fjalën e tij zbuloi edhe mesazhin e kryeministrit Edi Rama. Lleshaj tha se Rama nuk donte të ishte i pranishëm nëse suksesi nuk është 100%, kur të hiqet kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Për mua është një kanaqësi e veçantë që në prag të vitit të ri, të jem këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje të rëndësishme. Së pari ju sjell përshëndetjen e kryeministrit Rama, i cili nuk preferoi të vinte se më tha: Kemi 50% sukses kësaj rradhe do vi vetëm kur ta heqim komplet kufirin. Jemi mbledhur për të nënshkruar këtë marrëveshje. Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë,  me këtë marrëveshje ulim me 50 % kohën e pritjes, duke eliminuar plotësisht kontrollet me kufirin tonë të përbashkët. Ne na duhet që çdo hap të lirisë ta shoqërojmë me rritjen e sigurisë. besoj se ky është vetëm një hap. Hapi tjetër është se shumë shpejt qeverisë do i mundësojmë të firmosin një marrëveshje të rëndësishme.

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm