TIRANE- Gjenerali i shkarkuar Sandër Lleshi ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Ministria e Mbrojtje se “për lirimin e 3 gjeneralëve është zbatuar ligji.
 
Në reagimin e tij, tregon se është njoftuar për shkarkimin e tij nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe lirimin nga Forcat e Armaatosura me një dekret vetëm një rresht”. Ndërkaq thekson se ky vendimi për largimin e tij nga Forcat e Armatosura ku ai ka shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim për 35 vjet, është i padrejtë.
 
Lleshi thotë se Ministri duhet të “përballej vetë me të vërtetën e hidhur dhe skandaloze, Imami u fsheh sot pas një zonje, pas Shefes së Kabinetit të tij”.
 
Gjeneral Lleshi tha se Ministri i Mbrotjes Arben Imami, duhet “të lexojë dekretet e Presidentit, pasi në to nuk flitet për ‘nxjerrje në rezervë’, por ‘lirim nga detyra’”.
 
Më poshtë vijon reagimi i plotë i gjeneralit të liruar nga detyra, Sandër Lleshi.
 
“Në pamundësi për t'u përballur me të vërtetën e hidhur dhe skandaloze, Imami u fsheh sot pas një zonje, pas Shefes së Kabinetit të tij.
 
Për një ministër dhe për një zotëri nuk është e hijshme të nxjerrë dhe të keqpërdorë në publik një njeri plotësisht inkompetent për çështje.
 
Imami përmes gojës së Capit u deklarua për "nxjerrje në rezervë" të tre gjeneralëve.
 
Nëse Imami nuk i ka lexuar ende dekretet e Presidentit të Republikës, i rekomandoj që ta bëjë këtë gjë. E nëse ai do ta bëjë këtë, do ë shohë se dekretet nuk kanë sanksionuar "nxjerrjen në rezervë", siç shkruhet në titullin e deklaratës për shtyp të MM të datës 31.05. 2013.
 
Jo zoti Ministër. Presidenti ka dekretuar "daljen në lirim". Dhe ju besoj e dini se në fushën e ligjit, fjalët nuk përdoren si në fushën e artit. Në ligj flitet me terma, me përkufizime. Mes nocionit "dalje në rezervë" dhe nocionit "dalje në lirim" ka një dallim të madh. Kjo është arsyeja që ato trajtohen në nene të veçanta të ligjit. Edhe një herë: jo në rezervë, por në lirim.
 
Me këtë rast shpreh keqardhjen time të thellë për diskreditimin që ju i Beni një zonje, duke e detyruar të dalë e të prononcohet për çështje në të cilat nuk ka asnjë minimum formimi. Por përveç diskreditimit të një personi, kjo thellon edhe më tej diskreditimin që po pëson Ministria e Mbrojtjes nga amatorizmi. Dhe më besoni zotëri: mua më vjen thellësisht keq për reputacionin e një institucioni të cilit i kam shërbyer prej 35-vitesh. Janë shumë vite shërbimi, shumë më tepër se sa vitet e qëndrimit tuaj në këtë institucion.
 
Gjeneralët ju kanë drejtuar disa pyetje shumë të thjeshta nga pikëpamje semantike. Nëse nuk keni një përgjigje të saktë, ju rekomandoj që të paktën të heshtni. Ndoshta përmes heshtjes jepni një mesazh pendese. E vetmja gjë e arsyeshme pas gabimit është reflektimi. Më pas vjen pendesa.”

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)