VLORE- Një autobus me gati 40 turistë holandezë i shpëton mrekullisht një aksidenti të ngjashëm me atë të Himarës. Mjeti i ka shpëtuar greminës në Qafën e Llogarasë për pak centimetra.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:30 minuta në aksin rrugor Llogara- Vlorë, pikërisht në vendin ku janë dhe lokalet e para në zbritje të Qafës së Llogarasë. Autobusi me targa holandeze dhe që drejtohej nga një shtetas holandez u bllokua për shkak të një kthese të fortë që vinte nga e djathta e tij në zbritje, duke bërë që pjesa e pasme të kapte në asfalt dhe të rrëshqiste e për pak momente të krijonte panik tek pasagjerët, por edhe tek udhëtarët e mjeteve të tjera që ndodheshin pranë autobusit.

“Moti i lagësht me shi që krijonte një terren rrëshqitës, ngushtësia e segmentit në kthesë por dhe autobusi i gjatë dhe me përmasa mbi standardin e rrugës bënë që të kishte vështirësi për të manovruar.”- shkruan sot gazeta Shekulli e cila publikon dhe foto të autobusit të aksidentuar.

Dëshmitarët i kanë thënë gazetës se shoferi i autobusit nuk kishte arritur të merrte mirë kthesën duke e prerë atë ngushtë, për shkak edhe të gjatësisë së mjetit. Pjesa e pasme e autobusit preku asfaltin e rrugës duke pasuar rrëshqitje ndërsa maja e autobusit ishte drejt greminës. Në disa manovra të tij, drejtuesi i mjetit u mundua të futej në rrugë, por nga lëvizjet mjeti gati sa nuk rrezikoi të përfundonte poshtë në një rrëpirë shumë metra të thellë. Për fatin e tij të mirë mundi të frenonte. Më pas turistët zbritën nga autobusi ndërsa shoferi me ndihmën e disa shoferëve të tjerë duke përdorur disa kavo bashkë tentuan të tërhiqnin autobusin,por kavot u këputën.

Pas më tepër se dy orë përpjekjesh një kamion jeshil arriti të tërhiqte nga pas autobusin nëpërmjet një kavoje të trashë e të posaçme prej çeliku. Nëpërmjet këtij kamioni autobusi mundi të drejtohej dhe të futej në rrugë.  Më tej mjeti me turistë të huaj u shoqërua deri në Vlorë nga mjete të policisë për të shmangur rrezikun e një aksidenti të mundshëm.

POLICIA: ASNJE PASAGJER NUK U RREZIKUA
Në një njoftim për shtyp, Policia e Vlorës sqaroi se: "Rreth orës 12:30 të datës 27.05.2012 në Sallën operative të Komisariatit të Policisë Vlorë është marrë njoftim se një autobuz me turistë me shtetësi Hollandeze me drejtim Llogara-Vlorë, për shkak të gjatësisë së tij dhe pjerrësisë së aksit rrugor gjatë manovrës për të kaluar kthesën në afërsi të vendit të quajtur “Cezma e Dervish Aliut” pjesa e poshtme e pasme e autobuzit është fërkuar me asfaltin dhe ka ngecur.

Menjëherë në vend kanë shkuar shërbimet e Njësisë së Policisë së Qarkullimit Rrugor të cilat kanë zbritur gjithë pasagjerët në tokë dhe nëpërmjet një mjeti tjetër kanë tërhequr autobuzin ngadalë deri në kalimin e plotë të kthesës dhe kanë bërë shoqërimin e tij deri në dalje të territorit të Qarkut Vlorë pa probleme.

Theksojmë së në asnjë moment nuk është rrezikuar as jeta e pasagjerëve dhe as rënia apo dëmtimi i autobuzit."