Llogaridhënie Publike e Qeverisë vijoi në Njësinë Administrative Polis në Librazhd, ku Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Kryetarin e Bashkisë, Kastriot Gurra si dhe drejtues qendrorë institucionesh iu përgjigjën shqetësimeve dhe ankesave të banorëve.
Në fjalën e tij, Balla tha se zgjedhjet e vitit të kaluar ishin një votëbesim i qartë popullor për programin e Partisë Socialist të bazuar në tre shtylla kryesore: Shtet, Punë dhe Mirëqënie.
Sipas Ballës, rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave pa asnjë kusht është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur.
"Këto janë edhe shtyllat në të cilat mbështetet Shqipëria Europiane, një projekt që pas rekomandimit pozitiv pa kushte të Komisionit Europian, tanimë është më pranë të qënit realitet se kurrë. Pa dyshim, mbetet përpara ende një rrugë e gjatë që Shqipëria të shndërrohet në një vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian.
Megjithatë, rekomandimi i Komisionit, është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur. Arritjet e 8 muajve të parë të këtij mandati të dytë janë një rikonfirmim se ne, Partia Socialiste, jemi duke zbatuar një për një, të gjitha angazhimet për të cilat shqiptarët e votuan që të qeveriste e vetme, si kurrë më parë në 25 vitet e fundit".
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist