Lojërat Olimpike në Brazil, Bezhani:
Shqipëria s'ka frikë nga virusi Zika

Lojërat Olimpike në Brazil, Bezhani:<br />Shqipëria s'ka frikë nga virusi Zika
Frika nga virusi Zika, që është përhapur në Brazil me ritme shumë të shpejta duke kërcënuar edhe karnavalet ka bërë që shumë sportistë të vendosin në dyshim pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Brazil 2016.

Komiteti Olimpik Amerikan (USOC) përmes një komunikate zyrtare për shtyp u ka bërë me dije të gjithë sportistëve të tij që janë kualifikuar për në Olimpiadë që do të jetë në dorën e tyre nëse duan të shkojnë në Rio 2016, pasi shëndeti është mbi të gjitha.

Por, pavarësisht faktit që frika ka kapur një nga delegacionet pretendente për të fituar numrin më të madh të medaljeve, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani në një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ qetëson situatën duke u shprehur se “Nuk kemi aspak frikë për atë që po ndodh me virusin Zika.

Delegacioni shqiptar është i angazhuar maksimalisht dhe nuk e vendos aspak në diskutim pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Brazil 2016. Ekipi shqiptar do të vendoset në Kampin Olimpik të ndërtuar në Brazil nën masa të rrepta dhe besoj që nuk do të kemi asnjë problem”, tha ai.

Deri tani për delegacionin shqiptar në Lojërat Olimpike janë kualifikuar 4 sportistë, 2 nga atletika dhe 2 notarë, ndërsa priten edhe 2 peshëngritës, që do të vendosen pas Kampionatit Europian. Bezhani shprehen se beson që do të kualifikohet edhe një xhudiste, apo sportiste tjetër për në Rio 2016.

Përsa i përket fazës përgatitore të sportistëve shqiptarë në Brazil, Presidenti i KOKSH thotë se “notarët që do të marrin pjesë në Olimpiadë po stërviten në SHBA, atletët në Itali, ndërsa peshëngritësit në Greqi.

Nuk do të përsëriten ato që ndodhën me dy peshëngritësit shqiptarë në Greqi pak kohë më parë, pasi vendi ku do të stërviten është mjaft sigurt, i monitoruar nga Federata Ndërkombëtare dhe nuk do të ketë rrezik. Një muaj përpara nisjes do të dërgojmë analizat e të gjithë sportistëve për analizat anti-doping.

Jam i sigurt që delegacioni shqiptar nuk do të ketë asnjë problem, pasi edhe në rastin e dy peshëngritësve shqiptarë që rezultuan me doping pas stërvitjes në Greqi, mendoj që nuk ka asnjë faj Luan Shabani, pasi dopingu merret me vetëdije”.

Në fund të intervistës, Bezhani kërkon nga shteti shqiptar dhe institucionet përkatëse që të respektojnë vendimet e KAS, Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që është mbi gjykatat shqiptare. “Dua të kujtoj që vetëm për faktin që nuk janë respektuar vendimet e KAS, sot është shkrirë gjimnastika në Shqipëri, kjo zgjedhje duhet që të ndryshojë për të mirën e sportit”përfundoi ai.

Në Lojërat Olimpike të Brazilit, delegacioni kuqezi rezultatin më të mirë e pret nga atletja Luiza Gega, e cila ka arritur normën Olimpike për të përfaqësuar Shqipërinë në Rio 2016, pa harruar edhe peshëngritjen edhe pse në vitet e fundit ka pësuar shumë rënie pas skandaleve të dopingut, që e kanë tronditur.

 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës