Lojë me barnat, nuk firmoset
zhbllokimi, vaksinat 4 ditë në diell

Lojë me barnat, nuk firmoset<br />zhbllokimi, vaksinat 4 ditë në diell
TIRANE - Medikamentet e bllokuara në doganën e Tiranës që prej datës 6 gusht duket se do të qëndrojnë aty, së paku deri ditën e hënë. Pas alarmit të dhënë nga Shqiptarja.com dhe presionit të vetë importuesve, kryeministri Berisha e ka shtyrë aplikimin e pullës fiskale në fillim të janarit 2014. 

Urdhri që ka dhënë kryeministri Berisha ka qenë vetëm verbal dhe ende nuk ka asgjë të shkruar. Burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se pranë tyre, nuk ka mbërritur asnjë shkresë e tillë, që t’u përcillet doganave dhe kështu të bëhet i mundur zhbllokimi i kamionëve me medikamente që po qëndrojnë që prej datës 6 gusht në doganën e Tiranës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shkresa duhet të firmoset nga ministri i Financave Ridvan Bode, por duket se kjo gjë do të shtyhet së paku deri ditën e hënë, pasi të dy drejtuesit e dikastereve, ai i ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i Financave janë aktualisht me pushime dhe pritet të futen në zyrat e tyre ditën e hënë.

Të njëjtat burime shpjegojnë se është rënë dakord që afati për aplikimin e pullës fiskale të shtyhet me disa muaj, por ama, duhet që shkresa zyrtare të shkojë në zyrat e duhura, duke zhbllokuar kështu situatën. E njëjta situatë pranohet edhe nga kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Arif Shahini, i cili thotë se në zyrën e tij nuk ka mbërritur ende një shkresë zyrtare, por ka marrë një urdhër verbal për këtë gjë. Megjithatë, maunet me medikamente, vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara në doganën e kryeqytetit, pasi ky organ nuk pranon të ndërmarrë asnjë veprim pa i mbërritur shkresa zyrtare.

Situata bëhet alarmante, po të kemi parasysh se midis barnave që ndodhen të bllokuar, është edhe një kamion me vaksinat e kalendarit të fëmijëve, të cilët u bënë plot 4 ditë që qëndrojnë në temperatura 40 gradë celcius, kur në fakt ata duhet të ruhen në kushte frigoriferike. Edhe nëse merret vendimi për zhbllokimin e ngarkesës së këtyre medikamenteve, nuk dihet nëse do të merret ndonjë hap për të verifikuar, nëse këto vaksina janë prishur apo kanë mundur të rezistojnë.

Barnat janë bllokuar në doganën e Tiranës që prej datës 6 gusht, pas një përplasje mes importuesve të medikamenteve dhe një vendimi të ministrisë së Financave që i detyron ata, t’u vendosin një pullë dyfishe që në fabrikat ku prodhohen. Mirëpo kjo procedurë e re është kundërshtuar nga prodhuesit e barnave, të cilët kanë refuzuar ta bëjnë këtë gjë, pasi kjo është një pullë që i shërben vetëm Shqipërisë, dhe ata nuk marrin përsipër kosto shtesë për vendin tonë, që për më tepër, porositë për barna që ne bëjmë, janë të papërfillshme në krahasim me vendet e tjera të botës.

Importuesit shpjegojnë se pulla që kanë aplikuar deri më tani dhe që prodhohej nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ishte mjaft e sigurtë, ndërsa kalimi i prodhimit të saj tek një kompani private hedh dyshime se shteti do të mbushë arkën duke u rënë në qafë bizneseve, dhe në këtë mënyrë bën që të lulëzojë kontrabanda e medikamenteve.
 
EKSPERTET: PULLA RRIT ÇMIMIN E BARNAVE ME 20%

Specialistët shpjegojnë se pas aplikimit të pullës së re fiskale çmimi i çdo medikamenti do të rritet me 20%. “Kostoja e prodhimit të pullës fiskale për barnat do të jetë 4.9 lekë për copë nga 0.7 lekë që është sot. Më pas shtohet, kostoja e transportit të pullave që bëhet me DHL që është 40 euro për zarf plus peshën e tyre, çmimi shkon në 110 euro ose 15 mijë lekë. Kostoja totale e një pulle do të jetë mbi 10 lekë për copë pra 93% më e lartë se pulla e sotme, kosto që do shtohet në bar.

P.sh. Atenololi, si alternativë e para e listës së rimbursimit, ka çmim deri në 300 lekë për kuti. Po t’i shtojmë dhe 10 lekë koston e pullës fiskale, çmimi i një kutie shkon 310 lekë, ose 3.5% me i lartë (Vlera e TVSH 14% + 3.5% pulla fiskale= 17.5%). Ndërkohë që kursi i këmbimit të euros, bazuar në vendimin e qeverisë për vitin 2012 do të jetë 140.1, nga 137.6 që është sot, pra 2.5 % më i lartë që do i shtohet çmimit të barit. Pra totali i rritjes së çmimit të barnave pas vendosjes së pullës fiskale do të jetë 20% më i lartë se para aplikimit të TVSH”, - na shpjegojnë ata.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator