Lordi Lancaster: Aleatët të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në NATO

Lordi Lancaster: Aleatët të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në NATO

Lordi Mark Lancaster gjatë një vizite në Forcën e Sigurisë së Kosovës, foto arkivë

Lordi Mark Lancaster ka kërkuar konsensus të aleatëve të NATO-s për zgjerim, duke thënë se ata duhet të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në këtë organizatë.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe”, tha ai gjatë Asamblesë Parlamentare të aleancës teksa prezantoi draft-raportin ku përmendet Kosova.

Gjatë Asamblesë, që po mbahet në Sofje, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Autoritetet e Kosovës bënë të ditur në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.

Duke prezantuar draft-raportin, Lancaster përmendi edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se aleatët e NATO-s, por edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, duhet të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë që të zhbllokojnë procesin e dialogut dhe të arrijnë normalizimin e raporteve.

Po ashtu foli edhe për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ai përmendi rritjen e shitjes së armëve ruse dhe kineze në Serbi dhe në entitetit e Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës.

“Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është që të destabilizojë këtë pjesë të botës dhe të pengojë integrimet transatlantike, po ashtu për të ndërtuar varësi energjetike në sektor, duke testuar lider të caktuar. Rusia ka mbështetur agjendën e ndarjes, duke i ofruar armatim Republikës Serbe dhe Serbisë”, tha Lancaster.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë - në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ndryshe, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Shteti kërkon që fillimisht të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe më pas të anëtarësohet plotësisht në aleancë.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria humb me Italinë, a ka shanse të kalojë grupin në Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Vajza dhe gruaja e Silvinjos në mbështetje të Shqipërisë: Akoma luftojmë

FOTOT/ Vajza dhe gruaja e Silvinjos në mbështetje të Shqipërisë: Akoma luftojmë