Lorenc Vangjeli: Basha i aftë të humbasë edhe kur ishte e pamundur të mos fitonte

Lorenc Vangjeli: Basha i aftë të humbasë edhe kur ishte e pamundur të mos fitonte

Analisti, Lorenc Vangjeli

Në 13 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Janë zyrtarizuar 4 kandidatura ku njeri prej tyre është edhe kreu aktual Lulzim Basha, i cili nuk e ka paraqitur dorëheqjen e postit që mban. A mund të konsiderohet garë e barabartë?

Gara nuk është e barabartë në asnjë nga detajet që e shoqërojnë. Mungesa e dorëheqjes së Bashës, për të hyrë në garë pa spaletat e kryetarit, as shton dhe as nuk pakëson gjë në pabarazinë e kandidatëve mes tyre. Nuk mund të shash ekuilibrin në peshoren e prishur që në fillim. Basha është, për mirë apo për keq, një nga pjesët më të rëndësishme të historisë së tetë vjetëve të PD-së dhe kjo është epërsia e tij e parë dhe e pandryshueshme edhe nëse dorëhiqet para garës. Nëse ai do të donte të afronte garë të ndershme në PD, së paku kësaj here nuk duhej të ishte ulur në gjunjë në startin e ripërsëritur të garës, për aq sa ajo është e tillë. Sa kohë ai është pjesë e konkurrimit, barazia nuk bën pjesë në kushtet e asaj gare. Në Shqipëri, drejtuesit, kryetarët apo edhe ajo specia shumë e rrallë – liderët – mund të largohen vetëm në dy raste. Kur ikin vetë ose kur i thërret një forcë madhore në apel. Një forcë madje, edhe më e madhe se vetë Departamenti Amerikan i Shtetit. Domethënë, ata ikin vetëm kur largohen nga kjo jetë. I gjithë debati nëse duhet apo jo të japë Basha dorëheqjen para garës është artificial dhe i padobishëm. Ai shmang vëmendjen nga problematika shumë më serioze, siç është analiza se pse u humbën një tjetër palë zgjedhje që duhet të ishin logjikisht, teorikisht, moralisht dhe matematikisht të fituara. Në këtë pikë, Basha pati aftësinë e admirueshme që të humbasë aty ku çdo kush tjetër do ta kishte të pamundur të mos fitonte. Edhe miqtë, edhe kundërshtarët e tij, herët a vonë duhet t’ja njohin këtë meritë kryetarit formal dhe që pritet të rizgjidhet.

Nga ana e tij, Basha duket se po i jep rëndësi edhe më shumë se zgjedhjeve të përgjithshme, garës aktuale për kryetar në parti. Pse është kaq e rëndësishme për Bashën mbajtja e postit me çdo kusht e mjet?

Sepse nuk do që të ikë. Sepse në PD, ashtu sikudo gjetkë në Shqipëri, shprehja hipokrite: Vdis, pa të të dua!, në politikë përkthehet: Të dua sa je në pushtet! Nëse Basha largohet nga detyra, me autoritetin moral të humbësit të përsëritur, rrezik as roja i parkingut, nuk do ta përshëndesë më kryetarin e sotëm të PD-së. Ai do të jetë një barrë për fituesin, një bezdi për ish-miqtë dhe gallatë për kundërshtarët. Më pas, si i ikur, ai do të nisë të kthehet pak nga pak në jetën e përditshme të një njeriu anonim që kishte çdo mundësi, por luajti edhe vetë kundër fatit që ja shkëlqyen të tjerët. Për të mos arritur në këtë pikë, Basha do t’i mbesë në derë PD-së si mundësi e vetme, njëlloj si ato gratë që kur ndjejnë se ju shkon mosha, bëjnë zgjedhje të detyruar për martesë. Pushteti dhe edhe pushteti në opozitë është drogë dhe krijon varësi më të fortë se çfarë do lloj droge. Ai të bën të ndjehesh i mençur edhe kur flet budallalliqe, të jep respekt, edhe kur mezi presin të të marrin me shkelma, të bën të ndjehesh i fortë, edhe kur dobësia ulërin. Eshtë kaq e ngulitur një ndjesi e tillë në të gjithë ata që kanë provuar pak nga magjia e pushtetit në Tiranë, sa edhe kur janë larguar prej tij, vijnë rrotull me vite si ajo zhurma nëpër brekë, me shpresë të ngjiten edhe njëherë lart.

Duket se i vetmi qendrim që bashkon katër kandidaturat është çështja Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ku të katërt kandidatëtë janë edhe me Amerikën dhe me Berishën. Përse nuk janë të prerë në deklaratat e tyre?

Ka një keqkuptim të fortë me çështjen Berisha. Socialistët e shohin atë si një gjëmë që ka ndodhur në oborrin e PD-së dhe që nuk ka të bëjë fare me ta, kurse demokratët vazhdojnë të luten që e gjitha të jetë një ëndërr e keqe dhe që nga Uashingtoni të thonë sa më shpejt që të jetë e mundur: “Na falni, ishte një gabim teknik. Berisha është një mik i madh i Shteteve të Bashkuara dhe burrë i madh shteti!”. Kjo nuk ndodh. Do të ndodhë edhe më keq. Do të jetë dhe do të ketë edhe shumë më shumë se kaq. Për paradoks, por edhe për logjikë, i vetmi që ngjan se e ka kuptuar përmasën e vërtetë të kësaj historie dhe që nuk është as Basha, as tre sfidantët e tij dhe askush tjetër në skenën politike vendase, është Edi Rama. Ai ka zgjedhur të heshtë. Dhe ky është rasti ndoshti i vetëm që heshtja e tij i jep më shumë dinjitet si politikan klasi sesa shumica e fjalimeve të tij të gjatë ku ai i reciton dinjitetit vetjak. Eshtë e vështirë të pranohet kjo lloj heshtjeje nga një individ si Rama që nuk ka hezituar të bëjë beteja edhe kur nuk ishin të nevojshme dhe ju është shmangur betejave të domosdoshme duke humbur ca dhe duke fituar ca beteja të tjera. Në një vështrim naiv Rama duhej të ngrysej në Sheshin Skënderbej duke festuar me dajre sepse kundërshtari i tij më i egër, ai që në 30 vjet i ka ngacmuar çdo të gjallë përreth tij dhe nuk i ka lënë të qetë as të vdekurit e shenjtë, tanimë është ekzekutuar nga aleati strategjik i Shqipërisë. Rama pari mundësinë që nga pozicioni i kryeministrit të shihte ndeshjen mes mitit më të madh modern shqiptar, për mirësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe mitit të liderit të tranzicionit. Në marrëdhënie me historinë, ndoshta Rama ka kuptuar se kjo është një ngjarje që shënjon fillimin e fundit të tranzicionit. Sepse shembi një simbol. Komunizmi ra formalisht në Shqipëri kur shtatorja e Hoxhës u rrëzua nga Sheshi Skënderbej, tranzicioni do të mbyllet formalisht mbas shpinës së Doktorit.Askush në PD nuk e pranon një gjë të tillë. Eshtë e kotë ta kërkosh këtë gjilpërë të hollë logjike në atë mullar paqartësie të demokratëve të sotëm, ende në anestezinë e zgjedhjeve që i humbën vetë. Duke vrapuar drejt humbjes së paku dy vjetët e fundit me largpamësinë e pulës me kokë të prerë që gjëmon kokrrën e munguar të misrit.

Basha ndodhet përballë Shehajt, Harxhit dhe Kadillit, ku mbetet më i favorizuari për shkak të kontrollit mbi strukutrat. Pavarësisht fitores së mundshme, a është momenti që brenda PD të shfaqen seriozisht fraksione?

Në një kuptim më të gjerë të fjalës PD ka nevojë për të kundërtën. Ka nevojë që partia të bëhet ombrellë e një fronti shumë të gjerë që të nisë me të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Edi Rama. Ata duhet të bashkojnë çdo zë, çdo figurë, çdo votë kundër socialistëve për të pasur shans në ndeshje. Ata duhet të bëhen normalë. Të besojnë tek sistemi dhe të përbuzin të gjitha ngasjet satanike për qëndrime ekstrademokratike. Edi Rama në 2021 nuk ishte kurrsesi më i fortë se Berisha në 2017-ën, i cili u mund me votë. PD duhet të thithë çdo gram dhe çdo grimë energjie në betejën e saj për votën dhe me votë. Ndryshe, kushdo që do të rrëmbejë foltoren zyrtare në PD-në e nesërme, nuk do të jetë më shumë se një fokë e vetëkënaqur akuariumi. Që do ta konsiderojë akuariumin e saj si cakun fundor të botës dhe vetën, si sirenë mençurie./ Fjala.al

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media franceze 'Quand Partir': Shqipëria shndërrohet në destinacionin evropian më trendi të momentit

Media franceze 'Quand Partir': Shqipëria shndërrohet në destinacionin evropian më trendi të momentit