TIRANË, 21 Dhjetor/ATSH/.- Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) zhvilloi disa takime me të rinjtë e qarkut të Shkodrës, me praninë edhe të deputetëve të LSI-së, Agron Çela dhe Kejdi Mehmetaj. Në bashkëbisedim me të rinjtë, kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari tha se të gjithë duhet të punojnë për të ngritur një sistem arsimor, i cili plotëson kërkesat dhe rrit cilësinë e arsimimit të rinisë shqiptare.
"Nëse nuk do të mundemi të krijojmë një sistem arsimi në shërbim të të rinjve, ne kurrë nuk do të arrijmë të ndërtojmë një të ardhme të mirë për vendin, sepse rinia shqiptare para se të jetë konkurrente në tregun evropian, duhet të ketë mbështetje dhe përkrahje nga sistemi arsimor", tha Braimllari.
Sipas tij, rinia duhet të orientohet drejt arsimit profesional, pasi partitë politike nuk janë zyra punësimi, ndaj dhe duhen krijuar vende pune përmes biznesit privat.
Deputetja Kejdi Mehmetaj, duke nënvizuar rëndësinë e arsimit profesional, e vuri theksin tek bujqësia, e cila tha ajo, nuk duhet të shihet më si një fermë, por si një industri e tërë në prodhimin e produkteve bujqësore. Ajo u ndal tek paketa fiskale e përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, e cila nxit të rinjtë të merren me bujqësi e blegtori.
Deputeti i qarkut të Shkodrës, Agron Çela nga ana e tij, kërkoi të ecet më shpejt në arritjen e synimeve të rinisë shqiptare, pasi kështu do të kapim ritmin dhe atë që kemi humbur ndër vite.
/a.s/