Nisur nga denoncimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, bërë në një konferencë për mediat nga selia e partisë, në lidhje me një skemë mashtrimi dhe evazioni fiskal me 24 kompani që sipas Kryemadhi kanë lidhje me Inceneratorin e Tiranës, Report Tv ka mësuar se në SPAK kanë filluar lëvizjet. Në pritje të kallëzimit zyrtar të Kryemadhi, që ende nuk ka ndodhur, burime për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta kanë bërë me dije se SPAK po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e të moshuarve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, marrje në pyetje e cila pritet të ndodhë menjëherë pas kallëzimit.

Ka apo nuk ka lidhje me Inceneratorin e Tiranës, i mbetet Prokurorisë së Posaçme ta zbulojë, por denoncimi i bërë publik për herë të parë nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste, Monika Kryemadhi, nxjerr në pah një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar, bërë edhe në kurriz të disa pensionistëve shqiptarë.

24 kompani, që Kryemadhi i denoncoi me emra kanë leshuar fatura për shërbime të ndryshme, në vlera marramendëse, duke mos i paguar shtetit tatim-fitimin, TVSH dhe gjobat. Në këto kushte, janë kthyer në borxhlinj ndaj Drejtorisë së Tatimeve, 189 milionë dollarë evazion fiskal, sipas denoncimit të LSI-së.

Sipas akuzës së Monika Kryemadhi në shumë raste këto fatura janë lëshuar në favor të firmës së inceneratorëve në Tirane me vlera dhe për punime fiktive, duke shtuar kështu edhe një akuzë tjetër akoma më të rëndë. Firma e inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy” e ka mohura sot çdo lidhje me ato 24 kompani, por Kryemadhi e ka bërë publike në media të paktën një faturë që sipas saj vërteton lidhjen me inceneratorin.

“Po ju nxjerr vetëm një nga faturat e njerës kompani AM & CO  në librin e shitjeve ku i ka shitur Integrated Technology Service, një nga faturat, një nga faqet e librit të shitjeve. Dhe të gjitha janë fatura që vlerat shkojnë 220 milionë lekë, 57 milionë lekë, 89 milionë lekë dhe në fakt janë fatura të cilat janë në sistemin fiskal, janë fatura të hedhura në sistemin e Drejtorisë së Tatimeve”, tha Kryemadhi. 

Siç Report Tv zbulon nga një vëzhgim në Qendrën Kombëtare të Biznesit të një prej 24 kompanive, Frangaj International, pasi është bërë shitja e kompanisë tek e një e moshuar me emrin Gjyste Sermi, 84 vjeç nga Lezha, aktiviteti i kompanisë është pezulluar, pra borxhi është ngrirë! Në momentin e shitjes, kjo kompani i ka lënë të moshuarës një borxh ndaj Tatimeve 800 milionë lekë. Ndërkohë që sipas dokumenteve shoqëruese në QKB, shitja është bërë nga Vjollca Ymeraj.

Skema e përdorur sipas denoncimit të LSI

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë të kompanisë 'Frangaj International' në QKB)

Siç Monika Kryemadhi zbuloi këtë të martë, një i moshuari tjetër me emrin Thanas Çani është bërë pronar i kompanisë "Lumi 6". Ai në vitin 2019 është thirrur nga Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Tiranës për një faturë rreth 300 mijë euro, evazion fiskal, një detaj që zbulon që të paktën një pjesë e kësaj skeme mashtrimi ishte e njohur nga prokuroria që tre vite përpara. Po pse nuk është bllokuar ose nuk janë marrë masat?

“Ky është akti i regjistrimit në QKR që ëshët në emër të Thanas Çanit është regjistruar në 8 korrik 2019 dhe është administrator deri në 2024. Edhe pse Krimi Ekonomik e ka thirrur në 2019 dhe ka marrë dijeni për çështjen,  nuk i kanë bërë të ditur që zotëri ju keni firmosur një kontratë, nuk i kanë bërë të ditur asgjë, vetëm e kanë thirrur për të kryer veprime dhe është larguar. Të dy kontratat e zotit Thanas Çani njëra me ‘Lumi 6’ dhe tjetra me ‘SOPOTONINË’ janë të pa notërizuara, më gjeni një biznes që regjistrohet në QKR pa një kontratë të noterizuar", tha ajo. 

1657013408_ciftiitemoshuarve642x450.jpg

Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi

Në skema të ngjashme mashtrimi, kompani që lëshojnë faktura fiktive i shërbejnë kompanive të mëdha që kanë për të justifikuar në shtet investime të kushtueshme. Kështu, investitorët lidhen me këto kompani për të marrë prej tyre fatura fiktive në vlera të mëdha për kryerjen e një shërbimi. Në fakt, vlera e madhe (marrim shembull 1 milionë euro), nuk korrespondon me vlerën e punës apo shërbimin e realizuar realisht.  Dhe kështu kompania e madhe justifikon se e ka bërë investimin, por në fakt, merre mbrapa në cash diferencën midis vlerës reale të punimeve (për shembull 100.000 euro) dhe vlerës së faturës (1 milion euro). Pra 900 mijë euro i fut ne xhep. Kompania fiktive krijon automatikisht borxh qindra mijëra euro ndaj tatimeve për TVSH dhe tatim fiitmin që në rastin e skemës së denoncuar nga LSI nuk janë paguar.

Në këtë moment, kompanitë me borxhe ndaj shtetit janë shitur te disa të moshuar nga të cilët shteti nuk ka asgjë për të marrë mbrapa. Në rastin e Haxhire Gurakuqit, siç 83 vjeçarja u shpreh për mediat, 2 persona të panjohur i shkuan në azil dhe i kërkuan firmën me premtimin se do i zhbllokonin pensionin. Kjo firmë u përdor më tej për të prodhuar një akt shitje të kompanisë me borxhe “Koleci 2003” dhe “Sopotonia” tek e moshuara. Kështu, pensionistët pa e ditur janë bërë biznesmenë, pronarë kompanish me vlera formale deri në 30 milionë euro, por që në fakt, janë të mbytura me borxhe.

24 kompanitë që LSI denoncon për evazion fiskal
“AMCO&CO”, pronarë, Arben Perlala, Mrika Perlala: 1.953.462.082 lekë
“PM&A COMPANY”, Arben Perlala: 1.785.508.533 lekë
“ELVIS 03 GROUP”, Dashamir Ymeraj: 1.717.116.694 lekë
“ELVIS COO, Dashamir Ymeraj, Enejdi Zeqo: 1595.792.212 lekë
“KOLECI 2003”, Artur Xhuli: 1.458.052.563 lekë
“ALFA POUER GROUP”, Adriatik Hajdini, Urim Bashiri: 1.321.816.723 lekë
“MVR”, Enejdi Zeqo, Kreshik Ymeraj: 1.143.978.488 lekë
“SOPOTONIA”, Klevis Ndou, Kreshnik Ymeraj: 1.058.746.361 lekë
“SG LOGISTIC”, Regan Merdani: 714.359.045 Lekë
“LUMI 06”, Lumturije Murati: 668.899.554 lekë
“AA-117”, Drita Frangaj: 590.166.504 lekë
“ELVISI-03”, Dashamir Ymeraj: 573.929.105 lekë
“AL-BER CO&CO”, Santiljano Cifligu, Esmeralda Cifligu: 553.514.718 lekë
“GLE-VAN”, Gledis Vangjeli: 529.094.993 lekë
“LELI-17”, Enver Sheshi: 490.876.227 lekë
“R.S.I&T GROUP”, Lirim Jella, Robert Shabani: 488.213.946 lekë
“PELLUMBI 2015”, Pellumb Hasani, Arjan Habibi: 435.968.494 lekë
“BEST SERVICES”, Edmond Sheshi, 421.316.958 lekë
“FRANGAJ INTERNATIONAL”, Vjollca (Frangaj) Ymeraj: 370.965.19 lekë
“R.B.-GENERAL SERVIS”, Regan Merdani: 251.591.376 lekë
“FROGGY”, Enis Xhaferri, Regan Merdani: 240.088.655 lekë
“FROGY 03”, Vladimir Sheshi: 239.925.416 lekë
“EL ZA”, Emiljano Frroku: 200.966.530 lekë
“PUPA SERVICE”, Shaban Pupa: 177.536.404 lekë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:47
Denoncimi i LSI për inceneratorët, ‘Rithemelimi’ kërkon dorëheqjen e Edi Ramës

 

‘Rithemelimi’ i Berishës kërkon dorëheqjen e Edi Ramës pas denoncimit të LSI për çështjen e inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat, deputeti Belind Këlliçi tha se SPAK duhet të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat.

“Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti. Për Mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet. Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi. Dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit. Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fake’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, ‘Fake’ sepse, pas tyre janë Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj dhe Rama. Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve’. Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze”, tha Këlliçi.

Sipas tij marrë shkak nga këto fakte të reja, “Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës”

“Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjiteti të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet.  Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale. Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!”. Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë. Hiq dorëheqjen e Edi Ramës dhe fundin e qeverisë më të korruptuar në historinë e Europës. Ndaj, të nderuar qytetarë, bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve”, përfundoi deklaratën e tij Belind Këlliçi.

Ora 11:48
Pensionistët, pronarë të milionave? Kryemadhi: U është vjedhur identiteti dhe firma! SPAK të marrë në pyetje Ramën

1656920791_Screenshot1.jpg

SPAK duhet të marrë sa më parë në pyetje Edi Rama dhe jo të moshuarit në pronësi të të cilëve rezultojnë kompani miliona dollarëshe. Kjo është thirrja e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, e cila është shprehur sot se pensionistëve u është vjedhur identiteti dhe firma. Sipas saj ata nuk kanë pasur asnjë dijeni.

“Pensionistët që janë edhe të shqetësuar dhe duhet të mbrohen dhe nuk duhet të ndihen të kërcënuar. Sapo jam ndarë me djalin e Thanas Çanit, isha në një bisedë me të. Jo vetëm që nuk kanë dijeni, dhe nuk kanë firmosur kontrata të tilla por në vitin 2019 janë thirru nga krimi ekonomik në Tiranë për një faturë 300 mijë euro. Më 8 korrik të vitit 2019 e ka thirrur dhe ka marrë dijeni se zotëria nuk e dinte, nuk I kanë thënë që ishte administrator I kësaj firme apo që ka firmosur një kontratë. Nuk I kanë thënë asgjë. Problemi tjetër që implikon dhe që duhet të hetohet është që të dy kontratat e z. Thanas Çani janë të panoterizuara. Firma nuk është e Thanas Çanit. Me gjeni një biznes që regjistrohet në QKR pa dokumente të noterizuara. Ka fatura pafund të Klodian Zotos në këto 24 kompani fiktive që kanë bërë evazion fiskal. Ne ende nuk e kemi dorëzuar padinë në SPAK për këtë çështje. Kjo bëhet për të çfokusuar vëmendjen. SPAK duhet të thërrasë Edi Ramën. Të moshuarve i është marrë karta e identitit, u është vjedhur dhe më pas janë kryer ato veprime”, tha Kryemadhi.

Ora 11:45
Kryemadhi: Do të dorëzojmë në SPAK të gjitha provat! Rama nuk mund të vjedhë 180 mln dollarë me fakte

1657014097_Screenshot3.jpg

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë sërish në një deklaratë për mediat, duke denoncuar atë që ajo e quan aferën me inceneratorët. Sipas Kryemadhit ajo do të dërgojë në SPAK, me qindra e mijëra fatura që faktojnë vjedhjen me inceneratorët. Kryemadhi tha se Edi Rama nuk mund të shkojë vjedhë 180 mln dollarë për të blerë çdo gjë që të largojë vëmendjen nga korrupsioni.

‘Rama gënjeu në komisionin hetimor ku tha se ka një investim prej 128 mln euro. Qenka të shqetësuar sepse nuk qenka e vërtetë. Kjo është një histori që SPAK-u do ta zbardhë nuk mund tu jap fatura deri në momentin që do të dërgoj në SPAK me qindra mijëra fatura. Po ju nxjerr një kompani ku ju ka shitur Integretid Energy Serves, të gjitha janë fatura që vlerat shkojnë 220 mln lekë, janë fatura që janë në sistemi fiskal. Të nderuar inceneraroistë, fusha e betejës sonë është SPAK-u, do të dorëzojmë të gjitha dokumentat në SPAK. Edi Rama nuk mund të vjedhë 180 mln dollarë me faturë me fakte, për të blerë çdo gjë që i duhet të largojë vëmendjen nga korrupsioni.’- tha Kryemadhi.