LSI dhe PDIU bashkojnë
votat me PD kundër Qeverisë

LSI dhe PDIU bashkojnë<br />votat me PD kundër Qeverisë
Dy aleatet e koalicionit qeverisës, LSI dhe PDIU kanë bashkuar dje votat me opozitën për të kundërshtuar një shkresë të Këshillit të Ministrave që kërkon rrëzimin e një projektligji që ka ardhur nga shoqëria civile për shitjen me çmim të lirë energjinë për familjet në nevojë.

Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”.

Kryetarja e këtij Komisioni, Albana Vokshi njohu deputetët me opinionin e Këshillit të Ministrave që rrëzoi propozimin e deputetit Gert Bogdani.

“Këshilli i Ministrave e ka rrëzuar për disa arsye. Edhe pse nisma është rrëzuar, qeveria nuk është bazuar në arsye shumë të qarta. Ata bien dakord për mbështetjen e shtresave në nevojë, por nuk bien dakord për mënyrën se si do të jepet kjo mbështetje”, tha Vokshi.

E para që e kundërshtoi këtë nismë të qeverisë, ishte kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda.

“Në parim nuk është kundër qeveria, por është kundër teknikaliteteve. Nëse qeveria do të zgjidhë diçka, duhet të vijë këtu dhe të ketë përgatitur një alternativë zgjidhjeje. Të kishte një draft që e miratojmë këtu të gjithë së bashku. Qeveria të sjellë ekspertët e saj, në bashkëpunim me deputetin Bogdani por edhe shoqërinë civile që e ka sjellë këtë ligj, të zgjidhë çështjen. Kështu veprohet nëse duam të zgjidhim punë, në të kundërt hajdeni të bëjmë debat politik. Ne si grup parlamentar jemi gati të votojmë këtë nismë të sjellë këtu nga z. Bogdani dhe shoqëria civile”, tha Doda.

Ndërsa, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo tha: “Unë jam plotësisht dakord me znj. Doda. Këshilli i Ministrave nuk është kundër në parim, por me këtë praktikë. Nuk gjejmë një shprehje që thuhet “nuk jemi dakord”. Ata që thonë se nuk janë dakord me këtë procedurë, kanë ndërmend diçka tjetër që mund të zgjidhet. Qëllimi ynë duhet të jetë se si ta zgjidhim, jo ta votojmë sot e ta rrëzojmë në seancë plenare. Unë dhe grupi im parlamentar jemi dakord me këtë propozim të shoqërisë civile. Mbase jo me faktin si është shprehur, por me atë çfarë kërkohet për të ndihmuar shtresat në nevojë. Jam me Mesilën dhe kërkoj që këtu të vijnë në një mbledhje komisioni ministrat përkatës dhe të arrijmë një konsensus me ekspertë”.

Pas diskutimeve, Komisioni vendosi të zhvillojë një tjetër mbledhje dhe të thërrasë për sqarime Ministrin e Mirëqenies Sociale, Ministrin për Financat, si dhe Ministrin e Energjetikës dhe Industrisë.

Redaksia Online
(A.N/m.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori