TIRANE- Grupi parlamentar i LSI-së, i cili ka qenë i pari që ka ngritur si sheqetësim çështjen e ngritjes së hidrocentralit nga pala maqedonase në lumin Radika, i kërkon ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, interpelancë në Kuvend. Kërkesa për interpelancë është firmosur nga shtatë depuetë të LSI. “Grupi i deputetëve të LSI-së kërkojnë këtë interpelancë urgjente në mënyrë që të njihen më mënyrën se si kjo çështje kaq e rëndësishme dhe me ndjeshmëri të madhe publike është menduar të ecet më përpara, në mënyrë që transparenca dhe vënia e interesave të vendit mbi çdo gjë të prevalojë dhe të jetë e dukshme për secilin nga ne si deputet të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për qytetarët shqiptarë”, tha kreu i grupit parlamnetar, Petrit Vasili.

Në të njëjtën kohë ai ngriti si shqetësim edhe një tjetër projekt që është duke u përfunduar dhe që mund të ketë kundërshtime nga pala shqiptare. “Aq më e qartë dhe evidente bëhet situata në mënyrë të veçantë në projektin tjetër, ai i HEC Boskov Most dhe i cili është tashmë në fazën përfundimtare të tij dhe gati për fillimin e punimeve të ndërtimit, është gjithashtu subjekt i të gjitha kundërshtimeve të mësipërme, sepse menaxhimi i kaskadës së Drinit duhet të bëhet vetëm me një marrëveshje dypalëshe”, tha ai.

Edhe PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare që të dëgjojë zërin e banorëve të Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël, që kërkojnë të ndalohet loja mbi devijimin e Lumit Radika. “Devijimi i këtij lumi do të sillte dëme të mëdha në ekosistem, do të dëmtonte rëndë ekonominë e shqiptarëve të krahinës historike të Dibrës dhe do të dobësonte edhe burimet energjetike të Shqipërisë”, deklaron PDIU. Njëkohësisht, kjo parti i bën thirrje palës shqiptare që të jetë e kujdesshme me propozime të njëjta që vijnë nga Greqia në lidhje me devijim të burimeve të Vjosës.


Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)