LSI jo koalicion me PD-në, Vasili:
Me PS bashkëpunimi konstruktiv

LSI jo koalicion me PD-në, Vasili:<br />Me PS bashkëpunimi konstruktiv
Jo vetëm Partia Demokratike, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është e interesuar të bëjë koalicion mes tyre. Kjo përgjigje vjen nga kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në një konferecë për shtyp. 

“Me mirëkuptimin tuaj po e fillojmë nga e dyta dhe shkojmë tek e para sepse besoj se pyetja e dytë që lidhet me deklaratën e z. Paloka është edhe më relaksuese. Unë e kam përcjellë këtë deklaratë të kolegut tim dhe Kryetarit të Demokratëve në Parlament z. Paloka për komente mbi një aleancë të mundshme midis LSI-së dhe PD-së dhe nga leximi i vëmendshëm i saj nuk mbetet gjë tjetër veçse ta mbështes plotësisht atë çka ai ka deklaruar, me gjithë mirëkuptimin parlamentar që na shoqëron edhe në sallën e parlamentit” , -tha Vasili .

Vasili ka shuar zërat edhe për një ftohje të mundshme mes LSI-së dhe PS-së . Sipas tij mardhenia mes këtyre dy forcave bazohet në konstruktivitet dhe korrektesë .

“Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie që ndërtohet mbi mekanizma politikë, ecën nën udhën e një konstruktiviteti tashmë evident për të tërë. Të një korrektese e cila ka dhënë prova të pafundme të respektimit të saj përsa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe besoj që konstruktiviteti dhe korrektesa janë dhe duhet të jenë shinat ku mund të vazhdojë të qëndrojë në mënyrë solide si deri më tani, një aleancë, një bashkëpunim politik, por njëkohësisht dhe ndërtimi i një modeli politik bashkëpunimi i cili çon përpara jo thjesht e vetëm aleancën, por çon përpara në radhë të parë ato objektiva të mëdha për qeverisjen e vendit që aleanca i ka vënë vetes.
Besoj që ecuria e deritanishme, por dhe rezultatet e fundit elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit, treguan që konstruktiviteti, prodhoi një rezultat edhe politik spektakolar, por mbi të gjitha prodhoi dhe zgjedhje me standarde. Besoj se aleanca kaloi një provë të suksesshme dhe ku korrektesa bëri të sajën dhe e dha një provë më shumë pozitive dhe jo një provë më pak
”, - tha ai.

Çështjet financiare zunë një pjesë tjetër të fjalës së Vasilit . Përsa i takon politikave fiskale nënkryetari i LSI nuk ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të taksës së sheshtë. 

“Sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin e taksave etj, unë u përpoqa të jem shterues në përgjigjet e dy kolegëve tuaj që pyetën. Besoj që matja e indikatorëve të përditshëm të ecurisë së treguesve themelorë, qoftë atyre financiarë, qoftë të atyre të punësimit, është një mënyrë normale dhe e vetmja e një qeverisje serioze. Dhe kudo ku ka një nevojë për shtysa të tjera, sigurisht që këto shtysa duhen ndërmarrë dhe besoj janë të mirëpritura edhe për aleancën, por edhe për opinionin publik i cili çdo reflektim lidhur me këto çështje të mëdha i mirëpret. Ne jemi të gjithë sëbashku seriozë dhe të preokupuar që ecuria të jetë gjithmonë në rrugën e duhur dhe të mos humbasim kohë dhe në çdo vend ku ka nevojë për korrigjime, ato të bëhen shpejt dhe pa hezitim duke bërë në çdo rast një analizë të situatës të kujdesshme, të vëmendshme, sepse vetëm kjo analizë mund të prijë drejt vendimeve të drejta. Çdo vendim i marrë pa një analizë të kujdesshme, sigurisht që do të riciklonte problemet e mëparshme”, - tha ai.


Vasili ka komentuar edhe kthimin e ligjit për turizmin nga Presidenti, Bujar Nishani. 

“Sa i takon kthimit nga Presidenti, nuk i njoh në këtë moment arsyet pse e ka kthyer ligjin për turizmin Presidenti. Që të isha korrekt edhe me opinionin  publik, edhe me Presidentin përpara se të bëja çdo koment pozitiv dhe negativ, do të duhet t’i njihja ato përpara  për të parë nëse kishte elemente konstruktiv  apo jo të tilla. Nuk dua ta paragjykoj kthimin e vazhdueshëm të ligjeve nga ana e Presidentit e cila nuk ka qenë një rast i shkëputur, por tashmë për fat të keq ,është kthyer në një rutinë e cila përveçse ka humbur në shumë raste kohë të vlefshme, pasi ato janë rivotuar dhe kanë hyrë në fuqi, megjithatë nuk dua të jem paragjykues. Nuk është as në natyrën e LSI-së, por as timen si politikan që të paragjykoj. Kështu që do ta lexoj me shumë vëmendje dhe atë çfarë ka. Megjithatë do të theksoja që ligji i turizmit ishte një akt i domosdoshëm ligjor për të rregulluar e stimuluar një sektor. Një nga sektorët e mëdhenj, perspektiva e të cilit për të krijuar edhe një rritje të mëtejshme ekonomike më të madhe është dhe mbetet vetëm turizmi. Të jeni të bindur se është një nga sektorët më pak të eksploruar në kuptimin e mirë të fjalës për ta kthyer në një industri të vërtetë dhe ku potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme dhe të pafundme. Të jeni të bindur se në momentin kur Shqipëria do ta konceptonte ndryshe turizmin, dhe falë një ligji të ri dhe të mirë sigurisht kjo gjë mund të ndodhë, ne do të kishim zhvillime të tilla të cilat nuk do të na çudisnin, siç na çudisin fqinjët tanë si Greqia apo dhe Mali i Zi që ka dimensione më të vogla në pikëpamjen natyrore se sa ne, por të cilët krijojnë të ardhura dhe e kanë kthyer në një sektor strategjik. Kështu që unë këtë ligji e kam parë në dritën e kësaj çështje dhe kam menduar që miratimi sa më shpejt dhe futja në fuqi do t’i bënte mirë edhe Shqipërisë, edhe mazhorancës, edhe opozitës edhe Presidentit,"- tha Vasili.

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria