TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim i propozon qeverisë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm që të merret me përgatitjen e vendit për 70-vjetorin e çlirimit të Atdheut nga okupatori nazist. Në emër të kësaj partie, sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama bëri të ditur edhe rëndësinë e këtij viti përkujtimor për historinë e shqiptarëve. “Është detyrë e qeverisë dhe unë në emër të LSI-së i propozoj Kryeministrit të krijojë një komision të posaçëm shtetëror gjithëpërfshirës, gjithëpërfshirës në dimensionet e vlerave që mbart dhe sjell 70-vjetori çlirimit të atdheut, me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi i 70-vjetorit të jetë i denjë për këtë ngjare të madhe, të jetë i denjë për të nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, e cila ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar dhe në fund të fundit nderimi i 70-vjetorit të çlirimit të atdheut është padyshim një meritë për Shqipërinë evropiane, sepse në themel të Evropës së Bashkuar qëndrojnë vlerat e Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

Ndër të tjera, në deklaratën e tij, sekretari i përgjithshëm i LSI i tërheq vëmendjen edhe pushtetit vendor si dhe atij qendror për rikonstruksionin e varrezave të dëshmorëve që kanë rënë nga kjo luftë. “Mbetet në vlerësimin e Kryeministrit dhe qeverisë për të formuar këtë komision të posaçëm, por në emër të LSI-së unë propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e qeverisë qendrore dhe autoriteteve lokale të komunave dhe të bashkive, duhet të jetë rikonstruktimi i varrezave të dëshmorëve në të gjitha rrethet e vendit dhe gjithashtu rikonstruktimi i monumenteve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Ngjarje që kanë shënuar dhe kanë bërë epokë aq më tepër po të kemi parasysh që Lufta Nacionalçlirimtare e renditi Shqipërinë në krahun e koalicionit të madh antifashist botëror. Shqipëria evropiane, Shqipëria e sotme është padyshim ëndrra e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, por që kjo ëndërr të jetë e realizuar në tërë dimensionin e saj qytetar dhe evropian duhet që këtë vit, pra vitin 2014, ta shndërrojmë në vitin e 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, duke përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha ai.


Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)