MAT - Sot u zhvillua në Mat konventa e LRI-së ku të pranishëm ishin anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani.  Në takim morën pjesë qindra të rinj.

Duke vlerësuar kandidatin për deputet të LSI-së në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, Kryemadhi tha se matjanët dhe dibranët kanë nevojë për një njeri, që të ngrejë gjithmonë zërin për problemet e përditshme të tyre.

 “Për ne në Tiranë është shumë e thjesht të bësh politike por ta bësh këtë në vende si Burreli, Peshkopia, Bulqiza apo edhe nëpër komuna është shumë e vështirë për shumë arsye, për vetë situatën, për vetë ambientin, për vetë agresivitetin e politikës”.

Ndërkohë, që nga ana e tij nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, i bëri thirrje të gjithë rinjve, që të japin në të gjithë Matin mesazhin e fitores.
 
 “Është rruga më e mirë për të ecur më shpejt sepse burrat e vjetër të Qarkut të Dibrës ka kohë që i japin Partisë Demokratike 60 për qind mbështetje. Dhe çfarë kanë marrë në shkëmbim? 60 për qind varfëri. I japin katër mandate deputetësh. Çfarë kanë marrë në këmbim? Katër mijë halle më shumë. Asnjë lopatë zift nuk meriton dot rrethi i Burrelit? Një rreth, të cilit i është shitur një pasuri rreth 120 milion dollarë hidrocentrale. Dhe nuk e meritoka ky rreth të ketë një rrugë më të mirë? Nuk e meritoka ky rreth të ketë një spital edhe më të mirë sesa ky? Nuk meritoka ky rreth që të trajtojë më mirë rininë me kënde sportive dhe me evente rekreative? Kjo është e padrejtë. Prandaj, duhet të keni parasysh se ne nuk jemi për të ndarë matjanët dhe dibranët në demokratë dhe socialistë. Ne jemi për t'i bashkuar njerëzit drejt trenit që do ta çojë Shqipërinë gjithnjë e më shpejt dhe sa më parë në rrugën e Evropës. Ky është një udhëkryq që do duhet të dalim sa më parë”, - tha në fjalën e tij Manjani.

(ad.ti/shqiptarja.com)