TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama foli sot për zhargonin vulgar të përdorur dje gjatë zhvillimit të seancës plenare në Parlament. Rama tha se krahasur me atë çka kërkon integrimi drejt Evropës, këto sjellje lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa theksoi se LSI distancohet nga situata të tilla. Ai përmendi vizitën e sekretares amerikane të Shtetit Hillary Klinton në Parlamentin shqiptar ku e duartrokitën të gjithë, duke thënë se pas largimit të saj gjithçka iu kthye mentalitetit të vjetër.

“Shpreh keqardhje për zhargonin vulgar të përdorur dje gjatë zhvillimeve të seancës plenare në Kuvend. Standarti në përputhje me frymën që kërkon i gjithë procesi i integrimit evropian lë për të dëshiruar. LSI distancohet nga sjellje të tilla që s’kanë asgjë të përbashkët me etikën qytetare.”, tha Rama.

Rama theksoi se gjuha e folur dje në Kuvend në një moment historik siç është 100-vjetori i Pavarësisë, por edhe detyrimi që lidhet me angazhimet prioritare që ka marrë Shqipëria në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, "duhet të lihet mënjanë'.

“Duhet lënë mënjanë gjuha e vjetër, mentaliteti i vjetër por të jetë në përputhje të plotë me mesazhet që vijnë nga ndërkombëtarët që presin nga Shqipëria sjellje dinjitoze. Sapo Klinton iku nga Shqipëria u rikthyem tek zhargoni dhe mungesa e etikës. Palët të gjejnë pikat e takimit të gjejnë të përbashkët që i përkasin procesit të integrimit”, u shpreh Luan Rama.

Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i LSI i ftoi të gjithë aktorët politikë në vend “të ngrihen në nivelin e përgjegjësive të mandatit që i përfaqësojnë. Evropa nuk është vetëm vendi ku duam të shkojmë, është edhe standard, i cili duhet përmbushur”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)