TIRANE- Pezullimi nga detyra i rektorit të Universitetit të Sporteve, Vejsel Rizvanolli, nuk është i mjaftueshëm për një pjesë të stafit akademik të këtij institucioni elitar në vendin tonë. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Prof.dr. Sejfulla Shtëpani, shpjegon se ky universitet është mbushur me miq, kushërinj e militantë të PD-së, nëpërmjet konkurseve fiktive, janë “shitur” diploma, u janë dhënë tituj shkencorë personave që nuk plotësojnë kriteret, është abuzuar me fondet e projekteve TEMPUS për kërkimin shkencor, profesorët me grada përgatisin leksionet të detyruar të zbatojnë tekstet e hartuara nga pedagogët pa grada, ndaj sipas tij një reformë urgjente dhe e thellë është e nevojshme për të futur në “hulli” të gjithë jetën e këtij universiteti.

Çfarë ka ndodhur në universitetin tuaj, pse ngulet këmbë tek reformat?
Që prej 8 vjetësh universiteti i Sporteve ka ecuri regresive në kurikula dhe në vendimmarrje, ka arrogancë në bashkëbisedim, ka hakmarrje dhe klientokraci, e së fundi ka shkelje haptazi të ligjeve dhe akteve nënligjore. Madje, ndonjë drejtues mjeran e ka konsideruar Universitetin tonë si një pronë pa zot, me të cilin mund të bëjë çfarë të dojë për të realizuar dëshirat e tij. 

Në UST është dhënë diplomë falso??
Rektori i ka dhënë diplomë dhëndrit të tij, i cili në kohën e provimeve nuk ka qene prezent në disa prej tyre. Ky individ është regjistruar në UST, por nuk ka frekuentuar rregullisht procesin mësimor. Në diplomë rezulton se i ka dhënë të gjitha provimet. Për këtë problem po merret prokuroria dhe hetuesia, është thirrur edhe ndonjë pedagog që ka firmosur procesverbalet fallco. Por çudia është se si ka mundësi që një rektor firmos proces-verbalet e dhëndrit të tij duke e ditur që ai është jashtë shtetit e duke i vendosur disa nga kolegët e tij në qorrsokak.

Një argument i kontestuar kanë qenë zgjedhjet e zhvilluara në UST, pse?
Zgjedhjet në UST janë zhvilluar pa u miratuar rregullorja e zgjedhjeve dhe senati Akademik nuk ka miratuar rregulloren. Pra, zgjedhjet janë zhvilluar duke përdorur prepotencën dhe mbi të gjitha mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe personalisht të ish-ministrit Myqerem Tafaj. Madje, shkeljet janë çuar më tej, ku kryetar i komisionit të zgjedhjeve është caktuar një pedagog, i cili është zgjedhur vetë në organet drejtuese të UST-së. Zgjedhjet janë zhvilluar pa u miratuar rregullorja, pa u miratuar komisioni i zgjedhjeve, pasi Senati Akademik nuk është mbledhur për këtë qëllim (pra çdo gjë e jashtëligjshme). Këtë gjë e konstatoi edhe auditi i ardhur kohët e fundit, madje ky ishte edhe argumenti kryesor që solli pezullimin e Rektorit nga ana e ministres Nikolla.

Ish-rektori kontestohet, si individ apo partiak?
Në legjislacionin shqiptar nuk lejohet të bëhet propagandë partiake në mjediset shkollore dhe universitare. Jo vetëm që është bërë fushatë politike pro PD-së, por “rektori” aktual nuk ka dashur as ta fshehë përkrahjen që i ka bërë lidershipit të PD-së. Madje, ka detyruar studentët të përshëndesin me dy gishtat lart, simbol të PD-së.  Në kundërshtim me vendimet e qeverisë dhe ligjit për arsimin e lartë ka mbështetur politikisht pedagogë, duke u dhënë edhe tituj e grada shkencore. Më flagrante ka qenë dhënia e gradës shkencore “Doktor” punonjësit të Bashkisë së Tiranës, Artan Pogoni, i cili nuk fitoi të drejtën e vazhdimit të procedurave për fitimin e titullit “Doktor” nga Këshilli i Profesorëve (”rektori” është edhe këshilltar bashkiak i së djathtës).

Në dijeninë tuaj a ka shkelje të tjera në pozicionin e rektorit nga Rizvanolli?
Shkeljet e tij janë të shumta, të gjitha të qëllimshme për përfitime financiare dhe administrative. T’i marrim me radhë:  Një shkelje flagrante është dhënia e të drejtës disa personave të cilët vite më parë (25 vjet më parë) kishin kryer një kurs 1 vjeçar për trajner dhe pa bërë konvertimin për dhënien e disa provimeve plotësuese, mbrojtjen e mikrotezës dhe provimin e gjuhës së huaj e morën dëshminë e ”Masterit” në dorë; disa nga këta persona u emëruan si pedagogë duke bërë konkurse fiktive.

Studentë të përjashtuar me vendime të Rektoratit të mëparshëm për shumë arsye, zoti Rektor në mënyre flagrante merr vendimin për t’i pranuar të japin provime plotësuese për vazhdimin e shkollës, në një kohë që duhet t’u jepte të drejtën e pjesëmarrjes në konkursin e radhës. Në stafin tonë akademik gjen punonjës shkencorë pa titull e grada shkencore, partiakë, shokë e miq, kushërinj dhe të afërt të Rektorit e zv/Rektorit: Juna Pogoni e Ledina Koçi (punonjëse shkencore) gratë e drejtuesve të sportit në Bashkinë e Tiranës, Frida Jasa (juriste e drejtore personeli), tre laborante kushërinj të familjes së Rektorit, arkivistja, Majlinda Beli (laborant) kunati i zv/Rektorit, sekretarja e Rektorit Safiola Çarçani, e cila më vonë u gradua drejtore e marrëdhënieve me jashtë.

Edhe pse i pezulluar nga ministrja, Lindita Nikolla si rektor dhe zëvendësimi i tij me një tjetër pedagog, ish Rektori vazhdon shantazhet duke bërë një mbledhje të Senatit e duke caktuar arbitrarisht në krye të tij Edison Pashaj mikun e tij dhe duke lënë mënjanë të komanduarin e Ministrisë, i cili zyrtarisht duhet ta mbulojë këtë funksion si kryetar i Senatit Akademik.

Janë dhënë shumë fonde, nga MAS dhe nga programi “Tempus”, si janë materializuar?
Me arrogancën e tij ka përfshirë në studimet e programit “Tempus” veten e tij, sekretaren e tij dhe kancelaren e UST-së, etj, duke favorizuar me shuma të mëdha në euro këta “bashkautorë”. Madje e ka përvetësuar projekt-studimin e miratuar nga zyra Tempus, si të tijin, duke përjashtuar autorët e fitimit të këtij projekti. Po ashtu, ka shkelje financiare në ndërtimin e palestrës së shkollës. Edhe sot kjo palestër është me tavan të pasiguritë (duhet një ekspert për ta vlerësuar, sepse nga çasti në çast tavani mund të shembet), me parket të shkatërruar nga cilësia mjerane e tij, etj.

Për çfarë ka nevojë ky Universitet?          
Reforma në tre dimensione është fillesa e punës. Reforma kurikulare, pasi në UST ka raste që bëhen lëndë e module që nuk duhet të bëhen dhe ka të tjera që nuk zhvillohen. Studentët e “Bacheler” janë më të ngarkuar teorikisht se çdo student tjetër në Evropë, kurse praktikisht zhvillojnë më pak orë se të tjerët. UST-ja ka nevojë për reforma organizative.

Ka raste që përgjegjës i një lënde apo moduli është një pedagog pa tituj e grada shkencore, kurse profesorët përgatisin leksionet të detyruar të zbatojnë tekstet e hartuar pikërisht nga këta pedagogë që janë vasalë të “rektorit”. Departamentet duhet të riformatohen, pasi theksi i është dhënë lëndëve të sajuara apo edhe dytësore e tretësore, të cilat i lektojnë përkrahësit partiak dhe personal të “rektorit”.

Si mund te dilet nga kjo gjendje?
Është bërë hapi i parë, pezullimi i ”Rektorit”, por mos të ngelet me kaq; duhet të pasohet urgjentisht me ardhjen e auditit administrativo-financiar, dhe kam besimin se ministrja Lindita Nikolla do të dijë të veproje shpejt dhe saktë sipas procedurave ligjore. Me kaq shkelje sa ka bërë “Rektori” do të ishte proceduar penalisht, nëse MAS do të kishte vepruar me shpejt, duke caktuar përkohësisht një Zv.Rektor që nuk do kishte të drejtë të zgjidhet, i cili mund t’i janë zgjidhje këtij problemi. Ai të bëjë reformën, te përgatisë zgjedhje të ligjshme, duke futur në normalitet këtë institucion kaq të rëndësishëm. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)