‘Doshi’, Toni merret në mbrojtje pas 
 5 orëve dëshmi: S’jam ndërmjetës

‘Doshi’, Toni merret në mbrojtje pas <br /> 5 orëve dëshmi: S’jam ndërmjetës
TIRANE - Prokurori i dosjes “Doshi” Përparim Kulluri për herë të parë nga nisja e hetimeve deklaron se pas administrimit të 16 dëshmive, hetimet po shkojnë shumë mirë.
 
Këtë të mërkurë për 5 orë dha dëshminë e tij në organin e akuzës Fatjon Skënderi i njohur ndryshe si “Toni i Kombinatit”. A1Report mëson se në deklarimin e tij ai ka mohuar se ka qenë ndërmjetës i atentatit që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendon se ishte planifikuar ndaj tij dhe deputetit të PD Mhill Fufi gjashtë muaj më parë.  Pas dëshmisë, Fatjon Skënderi është marrë në mbrojtje nga policia duke u shoqëruar për në banesë nga oficerët e njësisë së mbrojtjes së dëshmitarëve.

Sipas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS, Tom Doshi, Fatjoni është personi që ka ndërmjetësuar atentatin duke gjetur vrasësin me pagesë Durim Bami. Fatjon Skënderi është kthyer dje nga Gjermani ku ndodhej pas një atentati të dështuar ndaj tij disa muaj më parë. “Toni” rezulton në një video të publikuar nga Doshi në tavolinën e lokalit Viva në zonën e ish-bllokut ku deputeti pretendon se planifikohej vrasja ndaj tij. Në tavolinë shfaqen dhe kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Agim Rama, dhe ish-kreu i Prokurorisë së krimeve të Rënda Eugen Beci, i transferuar së fundi drejtues në Prokurorinë e Elbasanit. Sipas Doshi, Skënderi në emër të kreut të Kuvendit Ilir Meta ka kërkuar vrasjen e deputetit Doshi kundrejt 500 mijë eurove dhe ekzekutimin e Fufit kundrejt shumës prej 100 mijë euro.

Ora 14.40 Prokurori për A1 Report: Hetimet po shkojnë mirë, pyesim edhe persona të tjerë
Një javë nga nisja e hetimeve për atentatin e pretenduar nga deputeti Tom Doshi se ndaj tij ish planifikuar një atentat, prokurori i këtyre hetimeve Përparim Kulluri flet për herë të parë për mikrofonin e A1Report duke deklaruar se ato po shkojnë shumë mirë.

Kulluri po ashtu deklaroi se lista e personave të cilët do të pyetën për llogari të hetimeve mbetet ende e hapur

perparim kulluri

Ora 14.34 “Toni” mbaron dëshminë, merret në mbrojtje
Para prokurorit Përparim Kulluri për më shumë se 5 orë ka dëshmuar dhe Fatjon Skënderi i njohur ndryshe si “Toni i Kombinatit”, i cili pas dëshmisë është shoqëruar me agjent të mbrojtjes së dëshmitarëve.

A1 Report ka filmuar momentin kur Skënderi lë ambientet e Prokurorisë ndërsa nuk ka preferuar të flas për mediat. Skënderi qëndron në pjesën e pasme të automjetit Alfa Romeo dhe pasi del nga tuneli i sigurisë është larguar për në banesë.

A1Report ka mundur të mësojë se Fatjon Skënderi përballë prokurorit Kulluri ka mohuar të jetë ndërmjetës i një atentatit, apo të ketë diskutuar në lokalin “Viva” në zonën e ish-bllokut eliminimin e Doshit dhe deputeti Mëhill Fufi.

Burime pranë grupit hetimor konfirmuan se Skënderi është pyetur dhe me largimin e tij nga Shqipëria shtatorin e vitit të shkuar.  Skënderi ka mohuar që largimi  tij të ketë lidhje me pretendimet e deputetit Doshi, por sqaruar se u largua pas atentatit ndaj tij në muajin shtator, i cili nuk pati pasoja. Ai tha para hetuesve se ndjehej i rrezikuar.
 
Ora 11.45 Të enjten në prokurori dëshmon Spartak Braho
Të enjten pritet të dëshmojë para hetuesve dhe kreu i sigurisë kombëtare deputeti Spartak Braho, njëherësh i Komisionit parlamentar të Sigurisë, por ende zyrtarisht prokuroria nuk ka konfirmuar të ketë nisur një ftesë për dëshmi.

Ora 11.40 Dëshmon pronari i lokalit “Viva”: Në tavolinë s’u fol për asnjë atentat
Pronari i lokalit “Viva” në zonën e ish-bllokut, Ylli Xhaxhollari dëshmoi ketë të mërkurë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me hetimet për atentatin e mundshëm ndaj Tom Doshit. A1Report mëson se Xhaxhollari ka mohuar që në tryezën e lokalit të tij ku Doshi ka denoncuar se është planifikuar atentati ndaj tij.
 
Xhaxhollari dëshmoi në përgjigje të ftesës së organit të akuzës. Në përfundim të dëshmisë ai nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat, ndërsa ka lënë ambientet e prokurorisë së Krimeve të Rënda nga dera e sigurisë së lartë ku hyn dhe del vetëm administrata e prokurorisë dhe e Gjykatës.

pronari i vives
(Xhaxhollari duke u larguar me makine nga Prokuroria)

Gazetari i A1 Report Arsen Rusta gjatë lidhjeve të vazhdueshme Live nga prokurori e Krimeve të Rënda tha se Xhaxhollari është futur në prokurori nga tuneli i sigurisë së lartë. Ende nuk dihet se në çfarë cilësie Prokuroria ka zgjedhur këtë hyrje e cila bie në shkelje me rregullat e sigurisë të kësaj prokurorie për hyrje-daljet e dëshmitarëve. Sqarimet për këtë çështje mbetet t’i japë kreu i Prokurorisë së krimeve të Rënda Adnan Xholi se përse është përdorur tuneli i sigurisë së lartë që është vetëm për persona të autorizuar.
 

gjykata e krimeve te renda tuneli i sigurise
(Hyrja e tunelit te sigurise nga ku u fut per te deshmuar ne Prokurori Xhaxhollari)

Ora 09.05 Fatjon Skënderi mbërrin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
 
Pas dëshmisë, Toni ballafaqim me “vrasësin” Durim Bami
Një burim nga prokuroria shpjegoi për A1Report se dëshmia e Tonit administrohet njëherë të vetme e më pas ai do të përballet me 36-vjeçarin nga Fushë Kruja, Durim Bami tashmë të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. Vetë Fatjon Skënderi ka pranuar se ka njohje të mëparshme me Durim Bamin, por ka mohuar të ketë porositur vrasjen e deputetëve. Po ashtu Skënderi ka mohuar të ketë diskutuar në tavolinë për vrasjen e deputetëve me shtetasit Eugen Beçi ish-kreu i Prokurori  së Krimeve të Rënda, Agim Ramën kunatin e ish-kryeministrit Berisha si dhe Agron Kuliçajn ish numrin dy të policisë së shtetit.
 
“Toni” u kthye në Shqipëri me garancinë për të mos u arrestuar
Garancia për të mos u arrestuar nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka bërë që Fatjon Skënderi i identifikuar në videon e Tom Doshit me emrin “Toni” të udhëtojë nga Gjermania në drejtim të Shqipërisë, me qëllimin e vetëm të dëshmojë në dosjen “Doshi”.

Skënderi ka zbritur në aeroportin e Rinasit, dhe më pas ka udhëtuar në drejtim të banesës së tij që ndodhet tek kthesa e Kamzës, ndërkohë që ka konfirmuar para prokurorëve se është gati të dëshmojë lidhur me atë çfarë e kanë përmendur si njeriu që ka porositur Durim Bamin në emër të Ilir Metës për të vrarë deputetin e PS Tom Doshi. Ardhja e Tonit të Kombinatit në Tiranë, tregon se ai ka marrë garanci nga policia dhe prokuroria që të mos arrestohet, ndërkohë që edhe në një intervistë të dhënë në media ai ka shfaqur dëshirën e tij se nëse merrte garanci ishte i gatshëm të takohem me këto, qoftë me Tom Doshin qoftë edhe me Durim Bamin, të cilin ai e njeh prej vitesh.

fatjon skenderaj
(Në Foto: Fatjon Skënderi gjatë një procesi gjyqësor ndaj tij)

fatjon skenderi
Në foto: Fatjon Skënderi

Akuzat e "Doshit", flet "Toni": Nipi i tij më tha janë thashetheme
Gjatë një interviste Fatjon Skënderi ndërsa ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen, ka theksuar se nipi i Tom Doshit i ka thënë se janë vetëm thashetheme.
"Kur pashë videoregjistrimin u shqetësova dhe mora në telefon nipin e Tomës. Ai m’u përgjigj se janë disa thashetheme, por hajde të sqarohemi. I dërgova fjalë Tom Doshit duke i thënë se dua ta takoj burrërisht, por Toma pas disa ditësh më çoi fjalë e më tha mos u kthe, se nuk i zë besë ministrit Tahiri dhe policia do të ndalojë. Akuzat e "Doshit", flet "Toni": Nipi i tij më tha janë thashetheme

Tom Doshi: Monika Kryemadhi e njihte Tonin
Tom Doshi gjatë një interviste ka deklaruar se Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës e njihte Fatjon Skënderin me pseudonimin Toni i Kombinatit.
 “Meta thirri edhe Monikën. Pyeti Monikën dhe i tha ti e njeh Tonin? Po i tha Monika, Toni i Kombinatit. A e di, i tha, ku e ka lokalin? Po, i tha, afër shtëpisë tonë.”- tha Doshi gjatë një interviste televizive. Doshi: Monika e njihte Tonin e Kombinatit

Kush është Fatjon Skënderi ose "Toni i Kombinatit"
Fatjon Skënderi i përfolur si një nga ndërmjetësit e atentatit të pretenduar ndaj deputetit të Shkodrës, Tom Doshi, është një emër i njohur për drejtësinë në vend. Në tetor të vitit 2005, ai u arrestua nga policia bashkë me Gjergji Dervishin, si pjesëtarë të një rrjeti të trafikimit të heroinës nga Turqia me destinacion vendet e BE-së. 

Ata u arrestuan në ambientet e “Truck Servis”, që ndodhej në afërsi të mbikalimit të Kamzës në Tiranë, ndërsa në operacionin ndërkombëtar, të zhvilluar në Bullgari, Turqi e Shqipëri, në tri ngarkesa të ndryshme, autoritetet kishin bllokuar 120 kilogramë heroinë që synonte të shpërndahej kryesisht në Itali, Gjermani, Spanjë e vende të tjera të BE-së. 

Në tri ngarkesa të ndryshme, atyre u janë kapur sasi droge që varionin nga 30 deri në 50 kilogramë heroinë e pastër. Duke u bazuar në këto sasi droge kanë nisur edhe hetimet e prokurorive të pesë vendeve të ndryshme, përfshi edhe Prokurorinë për Krimet e Rënda. 

Një hetim i gjerë që ka zgjatur për muaj me radhë bëri që në pesë shtete të grumbulloheshin prova dhe fakte që përfshinin këta persona në këtë linjë të trafikut të drogës. Në atë kohë, pas operacionit, policia arrestoi në Bullgari, Itali dhe Turqi, korrierë të heroinës. Nga hetimet e kryera në Shqipëri, prokuroria pas operacionit, pati deklaruar se në vendin tonë rolin kryesor në këtë trafik e kishin Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi. Sipas pretendimit të prokurorisë në atë kohë, ata rezultonin të ishin të përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike. 
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë