TIRANE - Berisha ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike pas rezultatit humbës në zgjedhjet e 23 qershorit, duke hapur në këtë mënyrë zyrtarisht fushatën për zgjedhjen e pasuesit të tij në krye të kësaj partie.

Dhe që në fillim të herës filloi dalja në skenë e kandidatëve të parë për të pasuar liderin historik të PD Berisha, dhe më konkretisht nënkryetarja e PD njëherësh dhe për tetë vite kryetare parlamenti Jozefina Topalli si dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Në garë mendohet të përfshihen dhe grupet respektive, ku Topalli pritet të mbështetet nga anëtari i kryesisë Sokol Olldashi, madje dhe sekretari i përgjithshëm Ritvan Bode, nënkryetari tjetër Astrit Patozi e pse jo dhe disa nga të larguarit e PD, Rusmali etj të cilët kanë qënë qëndrestarë në këtë parti, por që u zhvendosën nga ish-deputetët e PS, që në listën “Basha” të drejtimit të partisë nuk e gjejnë veten nesër kur kryebashkiaku të jetë kryetar i PD.

Ndërkohë që Basha ka mbështetjen e pakursyer të Berishës por dhe të familjes së tij dhe të ashtuquajturit “klani i Kosovës” që ka si ‘tutore’ Argita Malltezin. Burimet brenda PD saktësojnë se pritet një garë e fortë mes dy grupimeve më të forta në PD, që mund të sjellin dhe një përplasje shkatërruese në këtë parti, por që mund të rezultojnë më shumë fatale për njeriun e mbështetur nga Berisha në këtë parti, Lulzim Basha.

Mundësia që ai të mos përballojë goditjet ballore e anësore të grupit rival të kryesuar nga Topalli, pamundësia e Bashës për të qënë një lider i fortë në PD që ta ringrinte atë pas humbjes rrënuese të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe pa asnjë shans për të përballuar dyshen e fortë qeverisëse tashmë Rama-Meta, mund të sjellë nevojën e një rikthimi të Berishës në krye të PD.

Periudha katër-pesëmujore deri në nëntor kur pritet të zhvillohet Kuvendi Kombëtar për zgjedhjen e liderit të ri të PD mund të shërbejë si provë se sa në gjendje është të përballojë situatën Basha apo si do të shkojë përplasja në PD. Pikërisht në këtë moment mund të sponsorizohen “kërkesa” me lot në sy për rikthimin e Berishës dhe marrjen e situatës në dorë e përballimin e opozitarizmit.

Në tekstin e dorëheqjes së Berishës s’thuhet fjala “e parevokueshme”, çka s’përjashton rikandidimin e tij për kreun e PD. Është i njejti tekst si i ish-kreut të PS Fatos Nano që pavarësisht se realizoi dorëheqjen, u penduar ditën e kongresit duke bërë madje dhe thirrje për mosvotimin e Ramës.

Aq më tepër që përpos sulmeve ndaj liderit të ri të PS, Nano më 2006 priste që të kishte ftesa nga partia për të marrë drejtimin në këtë situatë të vështirë, ku s’munguan thirrjet në formë lutjeje për rikthim. Ndërkohë që Berisha mund të mos presë të bëhet lutje për të, por dhe ti urdhërojë këto kërkesa, madje dhe me lot në sy që të kërkojnë rikthimin në krye të PD për ta rivitalizuar këtë parti dhe për të përballuar koalicionin e majtë të drejtuar nga Rama.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)