‘Saga’ e Kryeprokurorit/ Përplasjet
e opozitës me SHBA/BE, arsyet 

‘Saga’ e Kryeprokurorit/ Përplasjet<br />e opozitës me SHBA/BE, arsyet <br>
Përfundimi i mandatit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla,  në 7 dhjetor të 2017, ka ndezur edhe njëherë politikën në Tiranë, duke i ndarë edhe njëherë palët, njëlloj si për reformën në drejtësi. Opozita, tanimë me LSI-në si pjesë zyrtare e saj, është sërish kundër SHBA/BE. Njëlloj si për reformën në drejtësi, PD-LSI janë në një luftë të ashpër jo ndaj Edi Ramës, por ndaj SHBA-BE dhe ndaj ligjit e Kushtetutës.

Mandati i Llallës i cili përfundoi ka prodhuar polemika që para datës 7 dhjetor, ku SHBA&BE të prera dhe duke cituar ligjin u shprehën se  duhet zbatuar ligji dhe duhet zgjedhur një kryeprokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.(të cilin ne do ta pasqyrojmë të plotë më poshtë.) Nga ana tjetër, PD dhe LSI duke sulmuar SHBA dhe BE, janë shprehur kundër ikjes së Llallës edhe pse ligji e përcakton qartë kur thotë se “në kushtet kur mandati i kryeprokurorit përfundon dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) nuk është krijuar akoma e për pasojë nuk ka kush të propozojë kandidatura,  Kuvendi me shumicë të thjeshtë mund të caktojë një Kryeprokuror të Përkohshëm nga radhët e prokurorëve aktualë.”

Për ta thjeshtëzuar të gjithë panoramën e çështjes së Kryeprokurorit të Përkohshëm, Lexo.al po ju sjell një kronologji të deklaratave, por edhe fakte ligjore se si qëndron e vërteta e thjeshtë, përtej politikës dhe luftës së saj:

Çfarë thotë ligji për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm, për rastin kur nuk është krijuar akoma Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), siç është edhe rasti që ne po analizojmë ?

Më 21 nëntor ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT bënin një intepretim ligjor ku sugjerojnë që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla nuk mund të qëndrojë në detyrë përtej datës 7 dhjetor, datë kur i përfundon mandati.

Ata sugjerojnë që Kryeprokurori  ri të Përkohshëm duhet të jetë një nga prokurorët më me eksperiencë siç parashikon neni 109 i ligjit për prokurorinë dhe Parlamenti duhet ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë votash.

Siç shihet edhe në pikën 2 të ligjit, “kur mandati i kryeprokurorit përfundon (si në rastin e Llallës) përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.”

“Në situatën që paraqitet këtu, duket se dispozitat kalimtare përcaktojnë të drejtën dhe detyrimin e Kuvendit të zgjedhë një prokuror të lartë, i cili i plotëson kërkesat e neneve 22 deri 27 të Ligjit, si prokuror i përkohshëm me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij.

Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”, thuhet në rekomandimin e OPDAT dhe EURALIUS.

LIGJI 97/2016 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Neni 109

Dispozitë kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit, nëse nuk ka arsye për të përfunduar mandatin e tij, sipas kreut VIII, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.

Kompetencat kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë parashikohen në dispozitat kalimtare të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Deklaratat e ambasadorit të SHBA, Donald Lu dhe asaj të BE, Romana Vlahutin mbi çështjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm.

Me përfundimin e mandatit të Llallës në 7 dhjetor, të parët që reaguan ishin ata që kanë marrë mbi shpatulla reformën në drejtësi në Shqipëri dhe që i njohin mirë palët që janë pro dhe kundër saj. E duke ditur këtë, dinin natyrisht edhe se si do reagonin palët në këtë çështje, ndaj edhe duke cituar ligjin, SHBA dhe BE reaguan si më poshtë:

Deklarata e ambasadorit SHBA; “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin” thuhet në deklaratën e shperndare nga ambasada e SHBA-se.

Deklarata e delegacionit te BE: Ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore – siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit.

E në kohën kur opozita ziente me sulme ndaj ndërkombëtarëve dhe mazhorancës, reagon sërish me një deklaratë të fortë ambasadori LU.

Në datën 12 dhjetor ambasadori Lu lëshoi një tjetër deklaratë të fortë kundër Llallës, gjatë një konference të organizuar nga Avokati i Popullit.

Lu tha se jo vetëm që duhet një kryeprokuror i përkohshëm i pakorruptuar dhe i pakapur nga politika, duke nënkuptuar kështu se Llalla nuk përmbush asnjërin nga këto kritere. Lu qe i ftohtë dhe i prerë kur tha se “Politika të lërë mënjanë mosmarrëveshjet për çështjen e Kryeprokurorit. Palët të bien dakord për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm. Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”.

Thënë këtë, Lu me një gur goditi dy zogj, duke lënë të nënkuptohet se që Llalla është i kapur politikisht dhe se PD-LSi që e duan akoma këtë të fundit në krye të organit të akuzës, janë në konflikt me ligjin dhe në konflikt interesi.

Çfarë qëndrimi ka  PD-ja dhe LSI-a lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm ?

PD dhe LSI kanë qënë të bashkuara në qëndrimin e tyre ndaj çështjes. Nga Basha te Berisha, e gjithë PD ka sulmuar SHBA dhe BE dhe kanë kërkuar që Llalla të qëndrojë akoma kryeprokuror derisa të krijohet KLP.

Me një gjuhë të ashpër, njëlloj si në periudhën kur ndërtohej reforma në drejtësi, PD dhe LSI janë hedhur në një sulm të paprecedent ndaj ndërkombëtarëve, duke lënë të kuptohet se jo vetëm që janë të lidhur ngushtë me Llallën, por dhe se kanë frikë nga një kryeprokuror i paanshëm dhe i pakapur nga politika.

Në datën 7 dhjetor, duke iu referuar opinionit të OPDATE dhe EURALIUS lidhur me mandatin e Llallës dhe nisjen e procedurave për emërimin e Prokurorit të ri, demokrati Oerd Bylykbashi tha se  “Asnjë memo s’mund të zëvendësojë Kushtetutën”

Vetem pak minuta para mbledhjes se komisionit të ligjeve PD kërkoi që në shkelje të Kushtetutës Llallës t’i zgjatej mandati deri në konstituimin e KLP.

Ndërsa një ditë më pas ishte kryetari Basha që sulmoi direkt SHBA/BE. “Interpretimi i Kushtetutës nuk është detyrë e ambasadave dhe as e misioneve ndihmëse të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, është e Gjykatës Kushtetuese.”, u shpreh ai.

Ndërsa Berisha ka qenë edhe më i ashpër kur ka akuzuar ambasadorin amerikan është I akuzuar për korrupsion. “Llalla  e ka akuzur LU-në për korrupsion. LU-ja duhet t’i përgjigjej për këto akuza. E ka akuzuar se më ka ardhur në zyrë dhe më ka kërkuar të ndërpresë hetimet për X cështje. Unë kam prit që zoti Lu t’i përgjigjet. Gjëja më e rëndë që ka ndodhur në 27 vite janë akuzat e kryeprokurorit për një ambasador. Derisa ambasadori nuk ka reaguar do të thotë që ka diçka”,– deklaroi Berisha në një studio televizive në datën 12 dhjetor 2017.

Me të njëjtën gjuhë ka folur edhe LSI, e cila i ka konsideruar ndërkombëtarët si armiq, si pushtues. “Te huajt cilido qofshin nuk mund te sillen si pushtues dhe te bekojne kapjen e drejtesise nga kanabisi i kryeministrit. Ka vetem nje kushtetute, dhe as kuvendi dhe asnje mision i huaj nuk kane as me te voglen mundesi ta tjetersojne dhe interpretojne pasi kushtetuta nuk jua jep kete te drejte. “, shkruante kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili pas deklaratës së OBDAT&EURALIUS.

Pas këtyre deklaratave, çdo eksponent i PD dhe LSI, nga kryetarët deri të deputeti më i thjeshtë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Kanë goditur ndërkombëtarët për të delegjetimuar procesin dhe kanë keqintepretuar Kushtetutën,  pasi njëlloj si tek reforma në drejtësi, janë të trembur nga një drejtësi që nuk është nën këmbët e tyre.

Shënim: Çudira të kësaj natyre ndodhin vetëm në Shqipëri. Po të shohësh axhendat, nesër PD dhe LSi do të jenë në protestë kundër SHBA/BE dhe kundër Kushtetutës, njëlloj si për reformën në drejtësi, ndërsa kryeministri Rama do të jetë në Bruksel i ftuar nga Mogherini për të diskutuar rreth integrimit të vendit në BE. (Marrë nga LEXO.AL)

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë