‘Tahiri' Rama-gazetarëve:Turp
t’ju vijë, beni vetëm pyetje idiote

‘Tahiri' Rama-gazetarëve:Turp<br />t’ju vijë, beni vetëm pyetje idiote<br /><br>
Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër me gazetarët në përfundim të seancës plenare, ku u rrëzua kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Rama iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve jashtë dyerve të Kuvendit me fyerje e ofendime, duke e cilësuar kërkesën për arrestimin e Tahirit një masë ekstreme.

Kjo ishte e vetmja përgjigje e kryeministrit mbi çështjen e Tahirit, ndërsa gjithçka tjetër ishte e përqendruar në sulme e fyerje ndaj gazetarëve, teksa i quajti ata të paditur, të papërgatitur, pjesë të llumin e kazanit  dhe që flasin përçartë. Në shenjë 'hakmarrjeje' ndaj të parit të vendit, gazetarët u larguan, duke rënë dakord me Ramën dhe u larguan duke i thënë 'ok, keni të drejtë'.

VIDEO/ Kryeminsitri, Edi Rama u përgjigjet pyetjve të gazetarëve jashtë dyerve të Kuvendit

Bashkëbisedimi i plotë i Ramës me gazetarët:

Zoti Kryeministër, a jeni i bindur që keni marrë vendimin e duhur?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, turp për të gjithë ju dhe për të gjithë ata si ju që ende nuk keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe vazhdoni torolisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi. Se keni kuptuar akoma që jemi sot në kushte thjeshtë të qarta për këdo që merr mundimin të lexojë pesë rreshta, përpara se të kuturiset t’u tregojë të tjerëve, duke abuzuar me misionin e ndërmjetësit, me opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë.  Ju akoma s’keni marrë vesh që së pari imuniteti i deputetit ka rënë prej kohësh. Nuk jemi këtu në një situatë kur diskutojmë t’ia heqim apo t’ia lëmë imunitetin! E keni marrë vesh këtë?! Së dyti, ju s’keni marrë vesh akoma që jeni pjesë e këtij problemi të madh, jo në rastin konkret, por në tërësi që ka Shqipëria, ku akuzat kërcasin si në haradoz përditë dhe ju thjeshtë i përçoni ato si një tel bakri, që as ka detyrën të logjikojë, as ka detyrën të kuptojë, as ka përgjegjësinë për atë që përçon. Sot, jemi këtu, jo për të mbrojtur një deputet, por për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të mbrojtur ligjin dhe për të mbrojtur drejtësinë. Cili prej jush do pranonte që pronari ta çonte në burg me idenë se mbase dikush nga ju ka vjedhur ndonjë mikrofon dhe e ka çuar në shtëpi?! Cili?! Kush nga ju do pranonte?!
 
-Këtë e vendos gjykata, jo prokuroria...
Kryeministri Edi Rama: Këtë nuk e vendos gjykata se edhe këtë ju nuk e keni kuptuar dhe s’keni si ta kuptoni ju, për fatkeqësinë tuaj që as lexoni, as përpiqeni të thelloheni në ato që lexoni dhe mbi të gjitha as doni të lexoni për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Sepse po të ishte kështu siç thoni ju, atëherë për çfarë arsye dhe cili është roli që e përfshin Kuvendin e Shqipërisë në këtë rast? Dini të ma thoni? Çfarë është Kuvendi i Shqipërisë, një studio noteri që vjen të firmosësh dhe të vulosësh një certifikatë?! Çfarë është komisioni i mandateve, një tuf hunjsh, që thjeshtë janë aty për të tundur sipas muzikës që i ofron prokuroria?! Pse se keni kuptuar këtë akoma?! Për çfarë është aty komisioni i mandateve, për çfarë është aty kuvendi? Këtu nuk bëhet fjalë për imunitetin. Po ua përsëris. Këtu bëhet fjalë për një gjë shumë ekstreme. Arrestin me burg. Ju kam dëgjuar edhe ju. Ju jeni më të pafajshmit në këtë histori, kur them juve se me ju personalisht e kam fare të thjeshtë ta anashkaloj, por ato kokat e mëdha që tundin dynjanë nëpër klubet e katundit mediatik. “Po mirë, pse çfarë ka? Le të shkojë njëherë në burg tjetri, pastaj shohim e bëjmë”. Ku jemi këtu ne? Në çfarë epoke jemi këtu, në epokën e drurit apo të gurit?!
 
-Drejtësia mbrohet duke u kthyer Këshilli i Mandateve dhe mazhoranca në gjyqtarë, pra duke vlerësuar provat?
Kryeministri Edi Rama: Jo, në gjyqtarë, nuk kthehet as ministri, as kuvendi, as komisioni i mandateve, por para se të bësh një pyetje kaq pa vend, shko lexo dhe shko kupto, cili është roli i kuvendit dhe cili është roli i këshillit të mandateve, dhe pse duhet të vijë kjo kërkesë në këtë kuvend? Kërkesa s’duhet të vinte fare këtu, duhet të shkonte drejtpërdrejtë në gjykatë. Për çfarë arsye vjen këtu? Dhe për çfarë arsye në gjithë përshkrimin e punës së Këshillit të Komisionit të mandateve thuhet qartësisht që është aty për të vlerësuar relacionin dhe provat? Pse është aty? Që të rrijë dhe të dëgjojë e të ngrejë dorën? E kuptoni që pyetjet tuaja burojnë nga padituria. Jeni kaq të paditur dhe mbi të gjitha nuk është ndonjë problem të jeni të paditur se s’keni detyrën ju të dini gjera që s’janë pjesë e formimit tuaj, por ju jeni të detyruar të mësoni për gjërat që merrni përsipër të bëni ndërmjetësin e publikut, pra të lexoni. Se nuk është shkencë kjo, këto janë pak fjalë.
 
-Zoti Rama a jeni gati ta zhvishni nenin 73 të Kushtetutës edhe nga ajo pak koracë që i ka mbetur imunitetit të deputetit?
Kryeministri Edi Rama: Kam dalë për ju sot, për ju dhe për ato kokat e mëdha që torolisin dynjanë atje në kazan.
 
-A jeni ju ai që u shpreh i shokuar dhe keni folur për drurë të shtrembër. Pse nuk kërkuat prova që në fillim, para se të merrnit një qëndrim?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, përsëri flisni përçart sepse unë kam bërë ekzaktësisht gjënë që bën çdokush dhe që duhet të bënit dhe ju, duke parë atë çorbë llumi që doli. E natyrisht si të mos isha i neveritur dhe i shokuar?! E çfarë kam thënë? Kam thënë atë që duhet të thotë gjithkush dhe mbi të gjitha ai që drejton qeverinë dhe shumicën nëse e ka seriozisht drejtësinë: Që dua të vërtetën dhe vetëm të vërteten sa më parë që të jetë e mundur dhe e dua këtë nga drejtësia. Këtë kam thënë unë.  E përsa i përket druve të shtrembër, unë kam thënë një shprehje shumë të thjeshte: Ka dhe familje normale që kanë ndonjë dru te shtrembër, por nuk kam thënë as cili është druri i shtrembër dhe as ju kam dhënë juve mundësinë profesionale që të bëni këto abuzime. Këto abuzime janë pjesë e problemit.
 
-A ka më drurë të shtrembër në PS, për ca kohë Tahiri është jashtë zoti Rama? Sepse zoti Basha tha që ka dy deputetë që kanë patur darka luksi!
Kryeministri Edi Rama: Shiko çfarë jeni ju, ju jeni për të qarë hallin. “Tha ai, po ti si thua”, po ju çfarë jeni këtu në këtë mes? Ju ku jeni në këtë mes? Është detyra ime t’ju përgjigjem juve si ma do e bardha zemër.  
 
-Ne kemi të drejtë të bëjmë çfarëdolloj pyetje...
Kryeministri Edi Rama: Unë po i përgjigjem të gjitha pyetjeve dhe do i përgjigjem pyetjeve siç di unë.
 
-Përveç zotit Tahiri që është jashtë, a ka ende drurë të shtrembër në PS? Edhe Damian Gjiknuri është njëri nga ata?
Kryeministri Edi Rama: Ju, ku jeni këtu në këtë mes? Përveçse pyesni, a bëni ndonjë gjë për atë që është detyra juaj? Që ju të kërkoni, të mësoni, që ju të kërkoni të informoheni, që juve të kuptoni? Të kërkoni të hetoni se për çfarë thuhet, jo të bëni hetime penale. “Tha ai, që ishin dy veta atje, po ti çfarë thua”- po kjo është  një idiotësi, për të cilën unë s’kam pse të them asgjë. Mirëpo në këtë pozitë idiote unë vë timen me pyetjen tënde, sepse normalisht këto janë çështje shumë të thjeshta. Prandaj juve është  mirë  që të kuptoni se roli juaj nuk është ta amplifikoni thashethemet. Jeni një amplifikator thashethemesh i paparë.
 
-Pse zgjodhët të flisnit këtu atëherë dhe të ofendoni gazetarët? 
Kryeministri Edi Rama: Pse ku të flisja me ju? Unë s’po ofendoj askënd. Ju mos u ofendoni fare, sepse juve e ulni dhe e ngrini këdo, si ju teket, i vini pas të gjitha gjërat që ju teket, dhe kujtoni se askush nuk ka të drejtë t’ju thotë që jeni pjesë e një kazani të madh, që është një problem më vete, dhe është pjesë e problemit për Shqipërinë.
 
-A jeni gati të zhvishni nenin 73 të Kushtetutës nga ajo pjesë e pakët e imunitetit që ua ka ngelur deputetëve, meqënëse nenit 73 të Kushtetutës iu referuan të dyja palët sot në Parlament. Edhe gjatë Këshillit të Mandateve ju keni ndjekur linjën e argumenteve që kanë sjellë deputetët në Këshill. A do ta hiqni përfundimisht imunitetin?
Kryeministri Edi Rama: Nuk bën vaki në asnjë vend të planetit, - nëse bën vaki diku, shkoni gjejeni dhe thoni, ja si bënë vaki në këtë vend – që Prokuroria të arrestojë, një deputet pa kaluar nga Parlamenti, ose nga gjykata. Janë dy rrugë. Edhe njëherë, po ju them. Ne kemi Kushtetutën tonë, e kanë shumë vende siç e kemi edhe ne, ne zbatojmë Kushtetutën tonë.
 
-A ekziston mundësia për ta reformuar Kushtetutën, meqenëse ju keni folur për reforma kushtetuese? Që edhe publiku ta kuptojë që si mazhoranca dhe opozita...
Kryeministri Edi Rama: Publiku, ju siguroj që kupton gjithçka dhe kupton shumë  mirë. Edhe unë nuk jam këtu të merrem me çështjen, se përsa i përket çështjes konkrete, unë  e kam mbyllur punën time, dhe i kam thënë fjalët e mija.  Unë jam këtu për t’u marr me ju, ekzaktësisht  me ju, dhe për t’iu thënë juve që ju duhet t’i thërrisni mendjes dhe të lexoni, të kuptoni, ju këtu dhe ata që janë atje, që ju paguajnë juve që janë edhe më shumë pjesë e problemit.  Domethënë ti thua, me fonde private, unë mund ta bëjë rolin e budallait sa të dua, është e drejta juaj. Unë s’po them që t’i të ndryshosh së bëri budallain. Unë po të them që në këto kushte jemi kur, ka një të vërtetë shumë të thjeshtë, aq e thjeshtë sa është e kotë ta diskutosh dhe një torolisje shumë e madhe sa është e kotë ta diskutosh. Se akoma nuk i thoni publikut që këtu nuk bëhet fjalë për imunitetin, që hetimi ka filluar, që Prokuroria i ka të gjitha mundësitë me pranimin e kërkesës nga ana jonë për të çuar hetimin deri në fund. E që këtu ndarja është shumë e thjeshtë: Midis arrestimit të një deputeti, apo të kujtdo qoftë në këtë vend pa asnjë provë apo hetimit deri në fund me provat e pretenduara e çfarëdo që të jenë, ajo është punë e prokurorisë, - ne nuk ndërhyjmë. E kuptoni sa e thjeshtë është ndarja? Këtë ndarje të thjeshtë duhet të bëni ju.
 
-A ishit dakord për heqjen e imunitetit?
Kryeministri Edi Rama: Domethënë fol, fol se nuk përçon gjë. Kaq e ka Kushtetuta. Imunitet deputeti për t’u hetuar nuk ka. Pyetja “a jeni dakord të hiqet imuniteti” është një pyetje idiote, dhe kësaj pyetje idiote unë i përgjigjem shumë thjeshtë: Nuk ka. Faleminderit!
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji