‘Zâ Fest’, sot këngë dhe
rrëfenja mes alpeve në Theth

‘Zâ Fest’, sot këngë dhe<br />rrëfenja mes alpeve në Theth
Deri më tani jemi mësuar që muzikën bashkëkohore shqipe ta shijojmë në sheshet dhe sallat më në zë të qyteteve tona.
 
Në fakt gjatë fundjavave, nga Saranda deri në Shkodër dhe kryesisht në Tiranë, janë me dhjetra eventet që na ftojnë të kalojmë disa orë të këndshme në shoqërinë e muzikës cilësore live.
 
Sot, një event krejt i pazakontë na fton të thyejmë rutinën, për t’u bërë pjesë e një festivali unik, i cili bën bashkë kantautorë origjinalë, trashëgiminë kulturore dhe natyrën mbresëlënëse të një prej perlave të natyrës shqiptare.
 
Sot në Parkun Kombëtar të Thethit do të zhvillohet edicioni i parë i “Zâ Festival - Muzikë dhe rrëfenja nën hijen e malit”.
 
Pikërisht mes majave të larta të Thethit, siç janë Radohima, Harapi dhe Aliu, nën hijen e Alpeve Shqiptare, do të ngrihet skena e Zâ Festival.
 
Në këtë skenë, me sfond peizazhin malor më magjik të vendit tonë, do të ngjiten kantautorë që kompozojnë dhe këndojnë shqip në skenat europiane.

Elina Duni, Vlashent Sata dhe Shpat Deda do të performojnë për publikun pjesë të repertorit të tyre, një përzierje e pop-it me folk-un shqip, bashkë me nuanca jazz-i.

[gallery]23564[/gallery] 
Sipas organizatorëve të eventit ‘Zâ Fest’ synon të promovojë atë rrymë të muzikës që flet ekskluzivisht shqip dhe që lufton me komercialen për të risjellë këngët e vjetra, duke i shpluhurosur nga harresa me motive bashkëkohore.
 
Nëse sot shkoni në Theth, për t’u bërë pjesë e Zâ Fest, përgatituni të shijoni vetëm muzikë live dhe krejtësisht instrumentale.
 
Përtej muzikës origjinale, Zâ Fest premton t’i japë “zâ” edhe disa copëzave të trashëgimisë kulturore të zonës së Thethit dhe më gjerë, nga të gjitha krahinat e Alpeve Shqiptare.
 
Bëhet fjalë për përrallat, gojëdhënat apo legjendat qindravjeçare, të cilat janë përcjellë me fanatizëm gojë më gojë nga paraardhësit tanë.
 
Këto xhevahire të paçmuara do të performohen në skenë nga aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj. Bajraktaraj njihet për rolet e suksesshme në filma si “Harry Potter”, “Taken”, “Sarah’s Key”, “Of Gods and Men” etj.
 
Vetëm 70 km nga Shkodra, Thethi është qendra më e rëndësishme turistike-alpinistike në të gjithë veriun e Shqipërisë.
 
Thethi është i mbushur me kulla qindravjeçare dhe ndodhet fare pranë vendeve natyrore që mahnisin me bukurinë e tyre, siç janë “Ujëvara e Thethit”, “Kanioni i Gunasit”, “Maja e Arapit” apo “Syri i Kaltër”.
 
Me ndihmën e një guide të specializuar, e cila nuk kushton shumë, të gjitha këto vende mund të kthehen në një aventurë të paharrueshme.
Gjithashtu kjo zonë njihet për mikpritjen dhe konsiderohet nga banorët si trashëgimia e tyre më e vyer.
 
“Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut”, kjo nuk është vetëm një moto, por shprehi e karakterit mikëpritës të banorëve të Thethit.
 
Në Theth janë ngritur me dhjetra bujtina, për t’i ofruar vizitorëve ushqime 100% bio, shtretër të rehatshëm dhe të gjithë ngrohtësinë e nevojshme, 1000 metra mbi nivelin e detit.
 
Çdo vit zona e Thethit vizitohet nga mijëra turistë të huaj, por mbetet ende për t’u zbuluar nga vetë shqiptarët.
 
Zâ Fest kthen vëmendjen te kjo perlë e natyrës, duke sjellë për publikun muzikë origjinale dhe rrëfenjat e paraardhësve, me sfond peizazhe përrallore, në gjirin e mikpritjes tradicionale shqiptare.
 
Për më shumë informacione mbi eventin, mënyrën e transportit dhe guidat vizitoni faqen zyrtare të Zâ Fest në Facebook ose kontaktoni organizatorët e Zâ Fest nëpërmjet email-it - [email protected]

za fest


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?

Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?