Deputeti i Rithemelimit Luan Baçi ka dhënë një deklaratë për mediet para Prokurorisë së Posaçme për të sqaruar arsyet se përse u paraqit 5 ditë më parë. Ai tha se është paraqitur në SPAK në lidhje me një gjyq me kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi e cila e akuzon për shpifje. Teksa lexoi vendimin e Gjykatës, deputeti tha se është shpallur i pafajshëm.

"Jam këtu për të shuar dhe kuriozitetin e medieve se kam ardhur disa herë në këtë institucion të drejtësisë. Kam ardhur vetë edhe sot edhe herën e kaluar, nuk jam thirrur. Erdha për një gjyq që kam me kryetaren e bashkisë së Roskovecit zonjën Bufi e cila më ka akuzuar për shpifje e ofendime. Mora sot vendimin e gjykatës. Vendimi i gjykatës thotë deklarim i pafajshëm i të akuzuarit Luan Baçi lidhur me veprën penale fyerja dhe shpifja. Kundër këtij vendimi të bëhet ankim në GJKKO brenda 15 ditëve.

E mora pak shpejt për arsye se zonja Bufi më ka çuar në gjykatë pasi ka nevojë për 15 mln lekë të vjetra. Më akuzon se është shumë e stresuar ka shumë ankth nga statuset që  kam bërë duke marrë në mbrojtje banorët e Roskovecit. Atë që japin mediet të një kallëzimi të bërë vite më parë është çështje e mbyllur. Jam thirru vetëm 1 herë, kam deklaruar ato që kam ditur. Pushimin e çështjes madje e kam marrë nga mediet”, tha ai.