Qeveria ka miratuar vendimin duke i dhënë 1.9 milionë lekë ish-ministrit Luan Hajdaraga për mbulimin e shpenzimeve mjekësore.  Vendimi është marrë në datën 16 maj ndërsa mbulon transportin jashtë vendit për ish-ministrin. Hajdaraga pak ditë më parë pësoi një ishemi në tru, ndërsa po kurohet në Turqi.

VENDIMI
Nr. 280, datë 16.5.2018 PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË TRANSPORTIT MJEKËSOR TË Z. LUAN HAJDARAGA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Mbulimin e shpenzimeve të transportit mjekësor të z. Luan Hajdaraga, në shumën 1 900 000 (një milion e nëntëqind mijë) lekë.

2. Kjo shumë të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të transportit mjekësor ajror.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të

Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

Senida Mesi