Luan Rama: Ja e vërteta e gjyqit
të LSI me RD-në për blerje votash

Luan Rama: Ja e vërteta e gjyqit<br />të LSI me RD-në për blerje votash
TRANE - Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama ka dhënë një sqarim të gjatë për gjyqin që kjo forcë politike ka me Rilindjen Demokratike, gazetën zyrtare të Partisë Demokratike. Kjo gazetë e ka akuzuar për blerje votash forcën politike të drejtuar nga Ilir Meta në një shkrim të majit të vitit 2015, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Fjala e plote e Luan Rames
Dëshiroj të rimarr një fakt sot me ju, një çështje për të cilën ne jemi investuar në rrugë ligjore në Gjykatën e Tiranës, disa muaj më parë, në funksion të qëndrimit tonë të palëkundur, konsistent dhe gjithnjë transparent ndaj publikut për të ndëshkuar ligjërisht cilindo gjë rezulton në shkelje të ligjit në tërësi, por në mënyrë të veçantë për të ndëshkuar ligjërisht cilindo, që rezulton që të jetë pjesë e skemave të korruptimit elektoral.

Përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar gazeta “RD” ka botuar një shkrim të pavërtetë, për të ashtuquajturin fenomen të blerjes së votës apo të shitjes së votës nga militantë, simpatizantë etj., të LSI-së, në Shkodër.

Duke iu drejtuar rrugës gjyqësore, ne kemi dashur jo vetëm të respektojmë institucionin që jep drejtësi, por nga ana tjetër t’i japim edhe një mesazh për qytetarët dhe për çdo subjekt, që çdo çështje, çdo fakt apo çdo rast duhet denoncuar në Prokurori, Gjykatë dhe duhet kërkuar ndëshkim ligjor.
Duke respektuar autoritetin dhe tagrin kushtetues të Gjykatës ne nuk jemi përzier në këtë proces, nuk e kemi bërë atë publik, por meqenëse “RD”-ja vazhdon edhe në numrin e saj të sotëm të shprehet në të njëjtën linjë dhe në të njëjtin qëndrim të gënjeshtërt jam këtu për të bërë të qartë edhe një herë se si qëndron e vërteta në lidhje me këtë çështje.

Natyrisht nuk është misioni im dhe nuk është në filozofinë politike të LSI-së të merremi me shtypin dhe aq më pak të merremi me “RD”, por po i referohem asaj, sepse në fakt e respektojmë dhe e vlerësojmë si organin zyrtar të opozitës.

Meqenëse ata morën përsipër të denoncojnë një fakt që sipas tyre qe i vërtetë, do të duhej që këtë qëndrim qytetar, ligjor, korrekt ta çonim më tej duke e çuar në Gjykatë, Prokurori, rastin që ata kishin dokumentuar, me qëllim që të ndëshkohej ligjërisht cilido që rezultonte i implikuar në këtë histori.

Mirëpo çfarë ka ndodhur? Janë zhvilluar gjithsej 14 seanca gjyqësore të kësaj çështjeje, në një pjesë të cilave përfaqësues të “RD”-së nuk kanë marrë pjesë, nuk janë paraqitur në Gjykatë . Ka patur raste kur dhe të dy palët nuk janë paraqitur apo kur është shtyrë seanca për arsye objektive të angazhimeve të gjyqtarit.

Megjithatë, duam t’ju bëjmë të ditur që fjala vjen në seancën e datës 2 tetor të vitit 2015 vendimi i gjykatës është ky:
“Gjykata e ndodhur në këto kushte ndërpret shqyrtimin gjyqësor në bazë të nenit 342 të Kodit Procedurës Penale dhe shtyn seancën për në datën 16.10. 2015 për tu njoftuar RD-në. Të njoftohet RD, palët prezent morën dijeni”.

Por as në seancën e datës 16 tetor të vitit 2015, përfaqësuesit e RD nuk kanë qenë prezent në sallën e gjyqit. Dhe përsëri gjykata merr vendimin që të njoftohet RD dhe i akuzuari Blendi Kasmi. Të njoftohen palët. Në seancën e datës 23.10.2015, Gjykata shtyn seancën gjyqësore për t’u dhënë kohë palëve për të diskutuar në lidhje me pajtimin e kësaj kërkese.

Më lejoni që të shpjegoj që procedurialisht Gjykata përpara se të filloj shqyrtimin gjyqësor, i fton palët të gjejnë zgjidhje përmes pajtimit. Dhe kërkesa e gjyqtarit është procedurialisht korrekte dhe ne në respekt të procedurës nuk e kemi refuzuar kërkesën e gjyqtarit, ashtu siç ka bërë dhe përfaqësuesi i RD-së. Dhe më lejoni t’jua lexoj të plotë nga procesverbali i seancës gjyqësore qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesi i RD-së:

“Rilindja Demokratike, Blendi Kasmi, do të flasë për të dyja palët në lidhje me atë që sapo tha avokati i palës së dëmtuar/akuzuese. Jam dakord ta zgjidhim çështjen me pajtim, gjithashtu kërkoj të na jepet një kohë e nevojshme për t’u konsultuar dhe me palën tjetër për të gjetur zgjidhjen më optimale të mundshme”.

Dhe një herë më lejoni që të shpjegoj që procedurialisht e gjitha kjo është korrekte në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe i njëjti qëndrim është mbajtur dhe në seancën pasardhëse.
Ndërkohë në seancën e fundit të zhvilluar, por jo të fundit për gjyqin të datës 12.1.2016, Gjykata thotë: “Ndodhur në kushtet kur nuk është i pranishëm përfaqësuesi i RD e shtyjmë seancën për në datën 2 shkurt 2016 për të njoftuar palët”. Avokat Bledar Fejzo, që është përfaqësuesi ligjor i LSI-së në këtë gjyq, “Prezent, thotë mori dijeni” dhe avokati Bledar Fejzo mori përsipër të njoftoj edhe palën e paditur, domethënë Bledi Kasmi, sepse ai përsëri nuk ka qenë në seancën gjyqësore. Mbrëmë në një transmetim televiziv, edhe sot në Rilindjen Demokratike, Bledi Kasmi thotë që LSI-ja na paditi dhe LSI-ja kërkoi pajtim.

Edhe një herë theksoj se pajtimi është procedurë normale ligjore, që kërkohet nga drejtuesi, nga kryetari i seancës, nga gjyqtari. E dyta, nëse LSI-ja do të kërkonte pajtimin, e kishte të zgjidhur çështjen, sepse ne kemi bërë padi, tërheqim padinë dhe çështja pushohet. Dhe praktikisht pajtimi është i zgjidhur në këtë rast. Por për të mos e lënë me kaq, përfaqësuesi i Rilindjes Demokratike, përkatësisht Kryeredaktori i saj Bledi Kasmi ka dërguar edhe një e-mail në adresën e përfaqësuesit ligjor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku i ofron tekstin që ai propozon që duhet ta bonte “RD”-ja në konkretizim të pajtimit të mundshëm. Dhe konkretisht, Bledi Kasmi në këtë e-mail të datës 21 nëntor 2015 propozon edhe tekstin që ai kishte menduar ta botonte në RD për të përgënjeshtruar shkrimin që ato kishin botuar përpara zgjedhjeve dhe thotë: “Në lidhje me shkrimin dhe foton e botuar në gazetë mbi blerjen e pretenduar të votave në qytetin e Shkodrës në zyrat e LSI-së, kjo parti ka sqaruar se nuk ka të bëj aspak me të vërtetën”. Pastaj thotë: “Fotografia nuk është bërë në zyrat e LSI-së dhe gazeta e ka keqinterpretuar faktin. Fotografia është bërë në një lokal ngjitur me zyrat e LSI-së dhe nuk ka pasur fare të bëjë me këtë forcë politike”. Ndërkohë vazhdon propozimi i z. Kasmi: “Gazeta sqaron se lajmi është marrë nga portalet informative online. Këto portale e kanë dhënë lajmin disa ditë më parë. Ky ka qenë edhe burimi nga është marrë fotoja dhe lajmi që është pasqyruar në gazetë. Gazeta është e hapur të botojë të plotë reagimin e LSI-së në lidhje me këtë shkrim, duke i qëndruar besnik parimit primar të gazetarisë për dy burime”.

Ju jeni gazetarë dhe ata që janë gazetarë, ato që janë marrë me shtypin e dinë shumë mirë, që përgjegjësia e verifikimit përmes burimeve të besueshme është e gazetës apo e organit që e publikon lajmin dhe kjo përgjegjësi duhet ushtruar përpara se sa të botohet lajmi. Megjithëse nuk e kanë bërë përpara se sa ta botojnë lajmin që ai thotë që e ka marrë nga portalet online pa e cituar se nga cili portal, kërkojnë që ta bëjnë tani këtë gjë.

Pse e bëra gjithë këtë shpjegim? Natyrisht edhe një herë jo për të sqaruar opinionin publik se kush është Rilindja Demokratike dhe as për t’u marrë me Rilindjen Demokratike, por për të saktësuar përpara opinionit publik, që Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vendosur të ndjekë rrugën ligjore ndaj çdo rasti të shkeljes së ligjit, ndaj çdo rasti korruptiv, qoftë ky korrupsion elektoral, korrupsion qeverisës, korrupsion ekonomik apo korrupsion politik apo i çdo lloj tjetër. Edhe për rastin konkret ne do t’i shkojnë shqyrtimit gjyqësor deri në fund për të gjetur përgjegjësitë e cilitdo. Në rast se rezulton se lajmi i botuar në RD të jetë i vërtetë, personi i fotografuar, përgjegjësit e strukturës së LSI-së në Shkodër apo kudo tjetër të jenë ato, do të përgjigjen ligjërisht deri në një dhe ne do të kërkojmë dënimin maksimal të tyre. Por nga ana tjetër jemi të vendosur të realizojmë me transparencë dhe të japim përballë publikut çdo fakt, çdo provë apo çdo tendencë për të njollosur padrejtësisht imazhin politik, qeverisës dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Avokati Bledar Fejzo
Padashur që të përsëris atë që tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama, unë dje ndoqa në mënyrë rastësore ndërhyrjet që ka bërë kryeredaktori Blendi Kasmi tek emisioni “Opinion”, lexova dhe artikullin e sotëm tek gazeta “Rilindja Demokratike”, dhe ju konfirmoj se të gjitha deklarata e tij janë të pavërteta. Dhe përveçse të pavërteta, janë edhe të pamoralshme.

E vërteta është se pasi janë bërë seancat përgatitore, siç ju shpjegoi z. Luan, ndaj gjykata në plotësim të detyrave të veta proceduriale, janë ftuar palët për mundësinë e zgjidhjes me pajtim. Seanca e pajtimit është e detyrueshme për t’u zhvilluar sipas Kodit Penal. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe shumë i prerë. Qëllimi i këtij procesi nuk është dënimi i gazetares. Qëllimi i këtij procesi gjyqësor është zbardhja e së vërtetës. Dhe qëndrimi ynë i zbardhur në procesverbalin e seancës, i regjistruar në sistemin audio të gjykatës, ka qenë i prerë. Në qoftë se gazeta “Rilindja Demokratike” pranon faktin se shkrimi është i pavërtetë, pranon faktin që nuk e ka konfirmuar kurrë këtë lajm, pranon faktin që ky lajm është botuar vetëm me qëllim dëmtimin e imazhit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përpara zgjedhjeve vendore, jemi të gatshëm që edhe të tërhiqemi nga padia sepse qëllimi ynë është zbardhja e kësaj të vërtete dhe jo dënimi i së vërtetës.

Nga përfaqësuesi i gazetës Rilindja Demokratike dhe njëkohësisht kryeredaktori i saj është pranuar fakti që lajmi nuk është i vërtetë, që lajmi është marrë nga portalet online dhe nuk është konfirmuar nga gazeta dhe është kërkuar kohë për të gjetur mundësinë e zgjidhjes me pajtim dhe kjo mundësi e zgjidhjes me pajtim ishte botimi i këtij qëndrimi të gazetës Rilindja Demokratike, në gazetën Rilindja Demokratike ku gazeta të merrte përgjegjësi për shkrimin e botuar.

Në vijim të kësaj është edhe e-maili që ju citoi z. Rama ku ata propozojnë një artikull përgënjeshtrues sipas asaj përmbajte që tha z. Rama i cili nuk është pranuar nga ana jonë për faktin se pranon që e kanë marrë atë lajmin nga portalet online, por nuk pranon përgjegjësinë e gazetës për pavërtetësinë e lajmit. Na është propozuar në vijim nga ana e “Rilindjes Demokratike” që ta përpilojmë ne si të duam artikullin e përgënjeshtrimit dhe ata janë të gatshëm që ta botojnë vetëm për zgjidhjen e çështjes me pajtim.
Pas kësaj ka qenë kjo ndërhyrje e z. Kasmi në “Opinion” dhe botimi i artikullit ditën e sotme. Ky ka qenë qëndrimi ynë i palëkundur në lidhje me këtë proces. Në asnjë rast ne nuk kemi pasur ndërmend të tërhiqemi nga ky proces dhe as nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga ky proces pa u zbardhur e vërteta mbi atë lajm.
 
 
 Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksident në  aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur

Aksident në aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur