Sipas Ramës, kjo marrëveshje është anti-kushtetuese dhe me gabime të rënda gjuhësore nga hartuesit e saj, të cilët Rama i quan “injorantë”.
Politikani i opozitës konsideron se atributet që janë objekt i marrëveshjes, i takojnë dy organeve të tjera të pavarura dhe jo Prokurorisë së Përgjithshme apo Ministrisë së Brendshme.
Statusi i plotë i Luan Ramës në Facebook:
Marrëveshja mes Prokurorisë së Përgjithëshme dhe Ministrisë së Brendshme, në kundërshtim me Kushtetutën!
Akt injorance i mbushur me lajthitje gjuhësore, logjike dhe juridike!
Eshtë shitur si një ngjarje e rëndësishme marrëveshja e nënshkruar sot mes Prokurorisë së Përgjithëshme dhe Ministrisë së Brendshme, e cila ka për objekt ( citoj sipas origjinalit të marrëveshjes): “hetimin e specializuar, të shpejtë, të gjithanshëm të grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e krimit të organizuar dhe, kryesisht grupet kriminale te trafikimit të narkotikëve, krimeve të rënda me ndikim të lartë shoqëror, krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar, sekuestrimin e aseteve kriminale, me fushë veprimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Mjafton të lexosh vetëm objektin e marrëveshjes të cituar me lart, dhe do te gjesh menjëherë kundershtinë e saj me Kushtetutën.
Sepse krimi i korrupsionit në bazë të Kushtetutës dhe paketës së ligjeve të reformës në drejtësi është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, të cilat sipas nenit 148, pika 4 të Kushtetutës janë të pavarur nga Prokurori i Pergjithshëm!
Pra, ç’punë ka Prokurori i Përgjithshëm, dhe aq me pak Ministri i Brendshëm me luftën kundër korrupsionit, që është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme?!
Marrëveshja është në kundërshtim flagrant e të hapur me Kushtetutën!
Dhe duke iu referuar sërish objektit të saj, pra objektit të marrëveshjes, gjejmë në të një mori lajthitjesh gjuhësore, logjike e juridike! Pra, përveç se një akt antikushtetues, është edhe një akt injorance gjuhësore, logjike e juridike.
s.k/Shqiptarja.com










