Ish ambasadori i Shqipërisë në Francë, Rama, shkruan se: Ndalimi i dramës nga administratori i teatrit më të madh të Francës, Marcel Bozonnet, ngjalli debate: Shfaqja do të ishte një fyerje që u bëhej viktimave të Milosheviçit”, pra të Srebrenicës, Mostarit, Bihaçit, Raçakut e mijra të pafajshmëve.” Hanke kundër gazetarëve; “janë qenër lufte”, “Millosheviçi patriot i madh.”
Nga Luan Rama
Po e risjell një shënim të botuar më parë në librin tim “Në udhëkryqet e kohës” (vëll.I) lidhur me rolin e shkrimtarit në shoqërinë bashkëkohore, çka ajo që kam shkruar bie ndesh me përzgjedhjen e Peter Handke si nobelist i vitit 2019. Padyshim zgjedhja e një letrari si nobelist në çdo cep të botës na gëzon dhe shqiptarët prej kohësh e kanë dëshiruar përzgjedhjen e Kadaresë, si autor i një letërsie të madhe. Prej shumë vitesh, kur në debate miqsh mbroja veprën e Kadaresë, disa kritizerë më flisnin jo mirë për të dhe përse unë e mbroja. Sigurisht, atyre nuk u pëlqente Kadareja dhe unë u thosha se dhe Bethoveni ishte njeri i tepër i prapë, por askush nuk e ka gjykuar atë për huqet e tij, por për veprën e tij. Ata harronin se Kadareja ishte monumenti më i madh letrar shqiptar i derisotëm dhe se ky monument i kishte bërë dhe i bën nder Shqipërisë. Por lajmi i përzgjedhjes së Peter Handkes më risolli në kujtesë fushatën e tij të dikurshme në mbrojtje të Milosheviçit dhe kjo padyshim më revoltoi në vetvete. Vallë ishte e njëjta filozofi humaniste që e çoi komisionin e Nobelit për të veçuar Peter Handke për ti dhënë çmimin Nobel? Si ishte e mundur vallë? C'kishte ndodhur, përse? Ja çfarë kam shkruar në atë artikull me titullin “Të jesh apo të mos jesh…shkrimtar?!”:
* * *
“Të jesh apo të mos jesh…shkrimtar?!”Le ta huazojmë këtë varg të Shekspirit për një dilemë që herë pas here shfaqet mbi rolin e shkrimtarit dhe të artistit. Duhet të jetë ai i angazhuar? Por për çfarë kauze? Bota në historinë e vet ka njohur shkrimtarë dhe artistë të angazhuar dhe të pa angazhuar, artistë në frontin e parë të sfidave njerëzore, apo të tjerë të tërhequr diku, vëzhgues të ngjarjeve dhe të rrjedhës njerëzore, mbyllur në dekorin e tyre të librave apo artit dhe krijimit. Orëell, Heminguei, Kamy, Sartre e të tjerë ishin shkrimtarë të angazhuar. Por ka patur dhe ka edhe nga ata që shkojnë kundër kësaj rrjedhe dhe aspiratave njerëzore e megjithatë janë shkrimtarë dhe artistë, vlera të cilat nuk mund t’u mohohen; shkrimtarë që i janë kundërvënë utopisë dhe humanizmit, duke justifikuar dhe krimet më të mëdha e ç’njerëzore. Mbretër mizorë, perandorë paranojakë, diktatorë të tmerrshëm kanë patur shkrimtarë dhe artistë kundërshtarë, të cilët kanë përfunduar në burgje e kampe përqendrimi, dhe të tjerë që ishin mbrojtës së tyre, shkrojtës të bëmave dhe historive të tyre të «lavdishme», ata që thurnin vetëm lavde dhe ode. Në këtë kuptim, bota duket se është po ajo që ka qenë edhe pse ajo ka hyrë në rrugën e modernitetit. Duket se thelbi i natyrës njerëzore ende nuk ka ndryshuar. Atëhere të jesh apo të mos jesh…shkrimtar, artist?!
Të burgosesh për fjalën e lirë
Pedrag Matvejeviç është sot një nga intelektualët më të njohur të juglindjes europiane, por dhe një nga më kurajozët e këtyre dy dekadave të fundit, i cili guxoi ta godasë hapur Milosheviçin atëherë kur ai sapo u ngjit në majën e pushtetit serbomadh dhe brohoritej nga miliona e miliona serbë. Ai përjetoi shpërbërjen e Jugosllavisë dhe kontribuoi për një Ballkan të paqes dhe të të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe të së Drejtës. Gjithnjë ka luftuar për të vërtetën duke guxuar në çdo moment si të ishte një dishepull i Brehtit apo i Kamysë. Dhe padyshim është e habitshme sot të dëgjosh se ky intelektual dhe shkrimtar i madh, ky eseist i një Mesdheu dhe Adriatiku të ri, dënohet me burg nga një gjykatë kroate pse në shkrimet e tij ka dënuar intelektualët që kanë mbështetur regjimet autoritare e nacionaliste të cilat u shfaqën pas ngjarjeve të vitit 1990, regjime të cilat ai i quan “demo-kraturë”, një term ky eklektik, dhe ku regjimet nuk janë as demokraci të mirëfillta dhe as diktatura me tërë kuptimin që ka ky emërtim. Emërtim që padyshim na kujton dhe regjimin shqiptar të vitit 1997 i cili e tronditi kujtesën e shqiptarëve dhe të evropianëve bashkë. Të akuzosh një regjim për “demokraturë” në vitin 2006 do të thotë që drejtësia apo shoqëria kroate të kthehet në kohërat e vjetra të mbytjes së fjalës së intelektualit anti-konformist. A mund të kuptohet integrimi i një shoqërie të tillë në Evropë ku intelektualët dënohen pse guxojnë të flasin lirisht?
Shkrimtari që justifikon krimin
Ndalimi i dramës “Udhëtim në vendin e tingujve ose arti i çështjes”, të shkrimtarit austriak Peter Handke nga administratori i «Komedisë Franceze», teatrit historik dhe më të madh të Francës, Marcel Bozonnet, ka ngjallur një debat të madh sot në rrethet intelektuale evropiane dhe në opinionin publik. Arsyeja e heqjes së kësaj drame nga repertori i vitit 2006-2007 ishte i thjeshtë: “Komedia Franceze” nuk mund të vinte në skenë veprën e një shkrimtari që merr pjesë në varrimin e Millosheviçit në Pozaroveç në prani të gjithë fanatikëve nacionalistë, të cilët e përcollën atë si një hero; Komedia Franceze nuk mund të lejonte që publiku i thjeshtë të duartrokiste në skenë një autor, i cili për vite me radhë ka dënuar evropianët pse ata i u kundërvunë veprës së Milosheviçit, pasi siç u shpreh dhe administratori i “Komedisë Franceze” para një konference shtypi, “kjo shfaqje do të ishte një fyerje që do t’ju bëhej viktimave të Milosheviçit”, pra viktimave të Srebrenicës, Mostarit, Bihaçit, Raçakut e mijra e mijra viktimave të pafajshme. Si mund të pranohej një autor i cili deklaronte në revistën franceze Nouvel Observateur se «jam i lumtur që të jem sot pranë Milosheviçit që ka mbrojtur popullin serb”. Nëse disa intelektualë u ngritën kundër asaj që quhet çenzurë, apo kundër vendimit të administratorit të «Komedisë Franceze», ata ndërkohë nuk i mbështesin pikëpamjet politike të dramaturgut të njohur Peter Handke, këtij shkrimtari të spikatur në botën e letrave por të mbrapshtë në atë të politikës. Që në fillimin e luftës në Jugosllavi, Handke u bashkua çuditërisht me kauzën nacionaliste serbomadhe duke akuzuar amerikanët e evropianët se «donin të shfarosnin popullin serb»; se Nato kërkon të bëjë në Serbi një “Aushvitz të dytë” dhe të “masakrojë popullin serb”, duke e cilësuar njëkohësisht kriminelin Milosheviç si një “patriot të mirë” dhe “mbrojtës të popullit serb”. «Jo, Milosheviçi nuk ka qenë fajtor për atë çka ndodhi në Jugosllavi » - ngulmon ai, ndërkohë që autori i “Rekuiem për Srebrenicën”, Olivier Py, regjisor dhe drejtor i teatrit të Orleanit, i kujton atij gjenocidin në Bosnje, Handke i ka shfaqur haptas pikëpamjet e tij politike, siç ka bërë me botimin e tij “Udhëtim dimëror nëpër Danub, Sava, Morava dhe Drin” dhe nëntitull “Drejtësi për Serbinë”, i cili në atë kohë lufte shkaktoi përsëri debate të mëdha dhe reagime nga bota intelektuale.
Shkrimtari gjerman Peter Schneider e cilësoi këtë botim si “një budallallëk historik”, ndërkohë që Reinhard Mohr në revistën e njohur Der Speigel nuk hezitoi ta krahasonte qëndrimin e tij me atë të disa intelektualëve të viteve ’30, të cilët kur vinin nga Bashkimi Sovjetik i këndonin “parajsës komuniste”. Nga ana tjetër, intelektuali Lionel Richard e cilësonte atë si një “mbrojtës të totalitarizmit serb”. Në polemikën e hapur në Francë dhe në Austri e Gjermani, gazetarë të ndryshëm nuk mungojnë t’i kujtojnë Handkes qëndrimin e tij ndaj gazetarëve gjatë luftës në ish Jugosllavi e Kosovë, duke i u referuar dhe frazave të tij cinike kundër gazetarëve në terren, këtyre “qenërve të luftës, që e kanë ngatërruar profesionin e të shkruarit me atë të gjykatësit dhe të demagogut», ata t’i kujtojnë atij fyerjen që i bëri publikisht gazetarit francez, korrespondentit të gazetës franceze Liberation, Jean Hatzfeld, të plagosur rëndë nga një bombë, të cilin ai e cilësonte duke u tallur një “gazetar sportiv që shkruan shkrime interesante për “Tour de France”.
Më vonë, më 1999, pikërisht gjatë luftës së Kosovës, Handke shkruante në gazetën e madhe gjermane “Suddeutche Zeitung” duke protestuar kundër diabolizimit të figurës së Milosheviçit, këtij “patrioti të madh”, dhe harronte të shkruante as dhe një fjalë për ata qindra mijëra njerëz që shpërnguleshin dhe i iknin terrorit të forcave serbe, imazhe që çdo mbrëmje shfaqeshin në ekranet e televizioneve të të gjithë botës. Edhe më 27 mars të këtij viti, në revistën gjermane Focus ai justifikonte praninë e tij në ceremoninë mortore të Milosheviçit, duke shkruar se «nuk ishte e vërtetë se Milosheviçi ishte një diktator”. “Ai nuk mund të cilësohet xhelat i Beogradit…dhe nuk është ai që ka nxitur 4 luftërat e Jugosllavisë”…Handke këmbëngul edhe pse e gjithë bota ka qenë dëshmitare e veprës kriminale të Milosheviçit, dëshmitare se ishte ai që e shpërbeu Jugosllavinë për të krijuar Serbinë e Madhe, ishte ai që organizoi masakrat, gjenocidet, shpërnguljet e mëdha. Gjithçka u bë në sytë e tij dhe me urdhër të tij. Me të drejtë drejtori i teatrit të Brestit në Francë, Jaques Blanc, duke ju kundërvënë atyre që janë kundër çenzurimit të veprës së një shkrimtari, propozon që për një sezon, teatrot e Evropës ti bojkotojnë veprat e Handkes i cili justifikon krimin. « Kjo nuk është thirrje për çenzurë, - shkruan ai në gazetën franceze Liberation, - por një sinjal i fortë që Evropa duhet tu japë nacionalistëve”. Sipas tij, emri i Handkes është një turp për teatrin e sotëm evropian, Dramaturgu francez pyet se si ka mundësi që ai “nuk di gjë nga spastrimi etnik, se ishte Milosheviçi që kërkoi ta bënte Serbinë e madhe, duke dashur t’i heqë elementët e papastërt, pra muslimanët, boshnjakët, kosovarët…Si është e mundur që ai nuk i njeh kampet e përqendrimit, terrorin ndaj popujve të Ballkanit, shpërnguljet masive, rrethimin e Sarajevës së uritur…” Nëse kineasti serbo-bosnjak Ermir Kusturica nuk e ka mohuar nostalgjinë për Jugosllavinë e kohës së Miloseviçit dhe nuk e ka dënuar siç duhej veprën kriminale të Milosheviçit (madje një nga filmat e tij u rrezikua të bojkotohej në festivalin e Kanës vite më parë), ai me të drejtë proteston kundër çenzurës, dhe bashkë me të dhe intelektualë e artistë të tjerë. Të ngrihesh sot ne princip kundër çenzurës dhe për fjalën e lirë është një akt i guximshëm dhe moral, por kur një artist shkon kundër humanizmit dhe justifikon në një farë forme krimin, është diçka tjetër, më e fortë se vetë principi. Eshtë e vërtetë që bota e qytetëruar ka pranuar të botojë dhe ti bëjë pjesë të bibliotekave shkrimtarë të mëdhenj si Ezra Paund, Celine (një antisemit i njohur), Brasilach (i cilësuar bashkëpuntor me nazizmin), e shumë të tjerë, por është dashur kohë që plagët të mpiksen.
Si mund të jesh shkrimtar dhe artist? Nëse nuk angazhohesh për kauzat e mëdha, (dhe sfidat e shoqërisë njerëzore nuk janë të pakta), të paktën qëndro në lozhë dhe vëzhgo, por mos shko kundër saj, kundër aspiratës njerëzore, kundër humanizmit dhe universalitetit njerëzor, mos tento të mbrosh diktatorët dhe të justifikosh krimin!
Si mund te behet drejtor ky kungull,,qe ska asnje rol ne teater,,zoti e di,,ndoshta i ka bere vend e shoqja,,,
Përgjigju