TIRANE-  Që  t'i jepnin liri artit te tyre 25 vjet më parë dy piktorë të rinj, Bujar Luca dhe Edi Rama, mërguan duke zgjedhur Parisin. Pastaj rrugët e tyre u ndanë...

Artisti franko-shqiptar, Bujar Luca, dhe kryeministri aktual, Edi Rama, vijnë nga ai brez piktorësh i viteve ‘80-’90 që shënuan “krisjen” e parë në metodën e realizmit socialist, si Llambi Blido, Gazmend Leka, Suzana Varvarica, Lekë Tasi, Ilir Pojani, Agron Jakupi, etj.

Bujar Luca rrëfen për “Shqiptarja.com” për ikjen në Francë me Edi Ramën në vitin 1990. Rama u kthye në vendin e tij dhe u përfshi në politikë, me një stil avangardë, duke sfiduar sulmet e pozitës dhe të opozitës.Piktori Lucaj rrëfen arsyet se pse u kthye Edi Rama nga Parisi, duke përgënjeshtruar ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili vite më parë “e sulmoi” në Kuvend me batutën: “E mora Ramën me thonj të paprerë nga Parisi..., që shiste ikona të vjedhura dhe e bëra ministër”.

Përmes 1825 veprave të artistit Bujar Luca në ekspozitën që evokon kaq shumë emocione në Galerinë Kombëtare të Arteve, zhvillohet edhe kjo bisedë, duke na rikthyer në retrospektivë. Retrospektivë, që nuk mungon edhe në veprat e Lucajt, i cili edhe pse bën art në Paris, ka ditur të lidh elementët modernë me traditën piktorike shqiptare.