Lufta anti-Vetting, gjyqtarët 
të tmerruar nga dëshmitarët

Lufta anti-Vetting, gjyqtarët <br />të tmerruar nga dëshmitarët
Gjyqtarët e përfshirë në praktika korruptive dhe që nuk justifikojnë dot me dokumentacion ligjor pasuritë, janë të trembur nga mundësia e daljes së dëshmitarëve, gjatë procesit të Vetingut, të cilëve u kanë marrë para në këmbim të vendimeve të padrejta apo të dhënies së drejtësisë.

Përpos deformimit të verifikimit të lidhjeve me krimin, armata e gjyqtarëve i kërkon Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e një prej neneve më të rëndësishëm të ligjit të Vetingut, i cili parashikon detyrimin e gjyqtarëve të korruptuar t’u kthejnë mbrapsht paratë që u kanë marrë qytetarëve të ndryshëm, në këmbim të drejtësisë. Bëhet fjalë për nenin 54, për bashkëpunëtorin e drejtësisë, gjatë Vetingut të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edhe pse ky nen është konfirmuar fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese, gjyqtarët kërkojnë rrëzimin e tij, duke konfirmuar se i tremben zbardhjes së abuzimeve të tyre, me anë të daljes si dëshmitarë të personave, me të cilët kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.

Ndërkaq, ky nen i ka dhënë një dimension tjetër ligjit të Vetingut, duke rritur pritshmëritë për identifikimin dhe ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, duke stimuluar pikërisht qytetarët, të cilët u kanë dhënë para për të marrë drejtësi.

Neni i famshëm neni 54
Neni 54 i ligjit të Vetingut parashikon që personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me një gjyqtar apo prokuror të caktuar, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

Kushtet e marrëveshjes
Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të prokurorit apo gjyqtarit në fjalë. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore. Por, të gjitha faktet duhet të jenë të besueshme dhe të çmohen të tilla nga organet. Dëshmitari duhet të tregojë detaje rreth raportit me prokurorin dhe gjyqtarin, çështjen për të cilën ka paguar para, detaje për ndërmjetësin etj.

Imunitet për dëshmitarin
Sipas nenit 54, bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme, për të cilën mban përgjegjësi penale, sipas legjislacionit penal.

Kthimi i parave
Gjyqtari apo prokurori që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100 000 lekë pa shkak të ligjshëm, që nga 1.1.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.

Dorëheqja
Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë të heqin afatin për dorëheqjen nga detyra. Ligji parashikon që subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.  Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit. Pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas nenit 7, pika 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Gjyqtarët me anë të padisë së tyre, kërkojnë rrëzimin e fatit tremujor, për të pasur mundësi për të dhënë dorëheqjen në çdo kohë.
 
Kërkesa e gjyqtarëve 
“Shfuqizimin e nenit 4 pika 2, konkretisht të shprehjes ‘ose në vlerësimin tërësor të procedurave’, të nenit 36 pika 3, konkretisht shprehja ‘ose personat e dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar për qëllime të këtij ligji;, të nenin 37 gema ‘b’, ‘c’ dhe ‘ç’, nenin 38 pika 1, konkretisht shprehja ‘në informacione kofidenciale si dhe informacione të tjera të disponueshme’, pika 4 germa ‘b’ e këtij neni, konkretisht shprehja ‘ose personi i lidhur me të’, pika 4 ‘c’ konkretisht shprehja ‘ose një person i lidhur me të’, pika 4 germa ‘d’ e kij neni konkretisht fjalia e dytë me këtë përmbajtje ‘anëtarësia e dyshuar e personit në krim të organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të një çështje e dokumentuar në regjistrat përkatës”, nenit 39 pika 1 konkretisht shprehja ‘ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar’, nenit 49 pika 1 germa ‘ç’ dhe pika 2, neni 54, nenit 56 pika 1 konkretisht shprehja ‘jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji’, dhe nenit 61 pika 5 të ligjit nr. 84/2016 për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën”.

faksimile per luften antivetting

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pse po tërhiqen kandidatët e Partisë Demokratike?



×

Lajmi i fundit

Raporti/ Inteligjenca artificiale 'mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune'

Raporti/ Inteligjenca artificiale 'mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune'