Kur duhet edhe 1 javë nga 11 dhjetori, kur Sali Berisha ka paralajmëruar se do të mbajë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në stadiumin 'Air Albania', për analistin Ben Andoni ky Kuvend do të jetë thjesht miting.
Sipas tij të 2 protagonistët e kësaj përplasjeje, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, duhet të largohen.
"Z. Berisha ka qenë mbi 50% vendimtar në vendimmarrjen e PD. Ndërkohë që z. Basha arriti të merrte strukturat e partisë. Dhe jemi sot, me një Parti Demokratike që ka humbur identitetin. Ju e patë që Berisha nga qendra e djathtë e bëri PD-në konservatore. Nuk bëhet me urdhër kjo punë. Çfarëdo që të ndodhë në këto 2 kuvendit përplasja do të vazhdojë. Do të fillojnë të merren me procedurat. Duhet të largohen që të 2 sepse asnjëri nuk mund ta nxjerrë PD-në nga kjo situatë", tha ndër të tjera Ben Andoni në intervistën dhënë gazetarit Andi Kapxhiu në Report Tv.
Për Berishën të akuzuar për korrupsion nga SHBA Andoni thotë se duhej të ishte tërhequr më kohë, ndërsa Basha të kishte bërë një kuvend real pas zgjedhjeve të 25 prillit. Por ndonëse në kampin e majtë është qetësi, Andoni e ka një këshillë edhe për kryesocialistin Rama.
"Zoti Rama duhet të mendojë për të ardhmen e PS. Për të lënë demokraci më të madhe në PS. Atje mungon demokracia e brendshme. Rama flet si kryeministër i Luksemburgut. Shqipëria ska ende ujë. Ka ardhur koha që PS të nxjerrë njerëzoit alternativë që do ta drejtojë në të ardhmen", vijoi ai.
Partinë Demokratike e ndajnë vetëm 7 ditë nga mbajta e Kuvendit të iniciuar nga Berisha dhe vetëm 1 javë më vonë do të mbahet ai i 18 dhjetorit i thirrur nga Lulzim Basha.